Nga citimi i veprës 1984 * e George Orwell se :”Kush kontrollon të shkuarën kontrollon të ardhmen” (“Who controls the past controls the future”), të kuptuarit e thënies ka nevojë për një mendim kritik dhe për një përkushtim filozofik që i duhen mësuar një debatuesi në Kuvend si dhe për të kuptuar se cilin krah zhvillimi ai/ajo përfaqëson apo sa i/e lirë, i/e nënshtruar, në ç’ aleanca si përfaqësues i popullit ai/ajo është dhe bën pjesë kur tashmë themi se jetojmë në një shoqëri vlerash demokratike mbi 30 vjeçare. A janë këta përfaqësues të zgjedhur prej popullit vigjilentë dhe a punojnë për të mirën e vendit dhe shoqërisë pa u bërë ende pjesëtar i Ferma e Kafshëve * (një tjetër vepër e Orwellit), ku realiteti dhe jeta e përditshme duan rezultatin dhe zgjidhjen e çështjeve më poshtë:
1- a është ndërtuar një botë dhe një shoqëri imagjinare në të cilën njerëzit jetojnë mes vuajtjes dhe frikës?
2- a ndikohen të gjithë qytetarët dhe a i mashtron ata një parti e vetme politike?
3- përse informacioni kontrollohet nga një grup njerëzish?
A i mishëron sot fatkeqësisht këto cilësi të transformimit demokracia shqiptare si pa u ndier prej Rilindjes Socialiste në mbylljen e tre mandateve të saj 2013-2025?
Por po ja lemë secilën pikë për zgjidhje një nxënësi/je shkolle që do të kishte marrë një rezultat të mirë nga testi i Pisas dhe që mundësisht për shembullin tonë krahasues të rridhte nga një familje me prindër që punojnë pandërprerë ndershmërisht në biznesin e tyre për të siguruar jetesën. Por si përballohen taksat, papunësia, mungesa e ujit dhe e energjisë, pamundësia e pushimeve verore apo dimërore e një vendi që “pushtohet” nga 10 milion turistë, me të afërm dhe bashkëmoshatarë që kanë shtegtuar nëpër botë duke përgjysmuar dhe mplakur popullsinë e vendit, me një vend ku drejtësia burgos pa prova liderin e opozitës dhe kthehet në armë për të goditur kundërshtarët, në një vend ku fjala e lirë dhe shtypi i lirë dhunohet, dhe me një shtet që jep lajme dhe ushqen me propagandë dhe ka forcën e ngritjes së komisione të posaçme politike për të luftuar “dizinformacionin”. Këto tregues janë të mjaftueshëm për formimin e një të riu dhe të reje shqiptare për të kuptuar se në çfarë realiteti jeton. Atëherë kush do ishte ai/ajo që t’i kishte thënë JO(!) këtij deformimi, këtij konformizmi të një individi që është produkti i tre mandateve të sundimit të elitës së Rilindjes Socialiste. Në qoftë se njerëzit ende nuk arrijnë ta dallojnë këtë mashtrim, këtë sundim dhe grabitje, atëherë nuk është më faji i atyre që “janë zgjedhur” për t’i udhëhequr. Ndërgjegjja qytetare ka përgjegjësitë e veta.
Përse ka rëndësi që shqiptarët dhe diaspora duhet ta kuptojnë qëllimin sot të qeverisjes që po sulet për një valë të re të marrjes së votave dhe për të qëndruar në pushtet? Përse po investohet kaq shumë edhe njëherë pas 11 vitesh dhe përse kjo ka lidhje edhe me takimin e Kotorrit?
Për të kuptuar lajmin në pak fjalë se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si; Mali i Zi (vendi pritës), Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria mblidhen për “Një rajon, vizion i përbashkët” në takimin dyditor të Udhëheqësve Rajonalë të Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor bashkë me partnerët e BE-së, komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi dhe Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Evropën dhe Euro-Azinë, James O’Brien ku në qendër është angazhimi për integrimin ekonomik rajonal, si dhe ndihma dhe rruga drejt BE-së.
Sikur të mos ishte kjo arsyeja që kryeministri shqiptar në qëndrimet e tij ka konceptet e veta kur kërkon që BE të hapë dyert për vendet e Ballkanit Perëndimor pa pritur që të zbatohen të gjitha reformat dhe shprehet se: “duhet të jemi pjesë e BE-së përpara se të zbatojmë të gjitha reformat për të parë se si zbatohet në praktikë dhe të përshtatemi më lehtë me tregun që i përkasim”, takimi i Kotorrit i bën të pa rëndësishme mesazhet dhe aty Rama lehtësisht shtyn propagandën ndërsa Agjencia Telegrafike Shqiptare bën atë që i urdhërohet me një “slide-show”, albumi fotografik i kryeministrit për t’u ndarë në rrjetet sociale. Aty, ai përzgjedh këndin pastrues mes pjesëmarrjes dhe më e rëndësishmja tek kjo është tërheqja e vëmendjes dhe vendosja e UNI-it mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në qoftë se paqja, dialogu dhe bashkëpunimi janë të rëndësishme për rajonin, në dyditorëshin e veprimtarisë dhe një thënie që ATSH-ja veçon nga fotoalbumi i Ramës që del si diçiturë dhe lexohet se: “për Shqipërinë nuk është e shkuara që duhet të kontrollojë të ardhmen, por e ardhmja duhet ta kontrollojë të shkuarën”.
Në mënyrën më të drejtpërdrejtë kjo përmbysje e origjinalit Orwell-ian “Kush kontrollon të shkuarën kontrollon të ardhmen”, nuk e bën interesant Ramën kur e kthen në të kundërtën. Përkundrazi ai përforcon qëllimin e mjeteve dhe të pushtetit. Me pushtetin dhe mundësisht “fitoren” një partiake, sundimi dhe korrupsioni instalohen si sistem. Por kjo përllogaritje nuk të shpie në BE, në sistemin politik pluralist dhe në formimin e shtetit të së drejtës. Rama ndoshta si autori i Manualeve të Akademisë Politike Socialiste do të duhet t’i sqarojë gjerë dhe gjatë edhe vijën e prerë që ndan krijimin mediokër dhe plagjiaturën nga prodhimtaria dhe fantazia zhvilluese e ideve për shoqërinë shqiptare. Si mund të kesh guximin dhe të shprehesh: -“…duhet të jemi pjesë e BE-së përpara se të zbatojmë të gjitha reformat…”.
Për ta sqaruar këtë justifikim teze dhe deliri se “e ardhmja duhet ta kontrollojë të shkuarën”, Ramës i duhet kujtuar pikërisht guri i ri kilometrik i pushtetit për 2025 e jo më 2030 që i ka vënë si qëllim vetes, BE-ja, si individ ai është protagonist dhe siç e ka vetë cilësuar përmbysës mbi 30 vjeçar dhe ka kapur pushtetin duke instaluar shkallën më të lartë të korrupsionit dhe përvetësimeve që elita e Rilindjes Socialiste po bën.
33 vite tranzicion kaq i ashpër, janë pikërisht e shkuara, ajo e shkuar nga e cila vështirë të distancohen dhe një e shkuar e çmuar për ta kontrolluar në një dorë të ardhmen.
Pra në 33 vite tranzicion në një kohë kur pjekuria politike shqiptare duhej të kishte krijuar një brez të ri të shëndoshë për t’i marrë në dorë fatet e vendit, në Shqipëri pikërisht etja për pushtet tregon se:- “Kush kontrollon të shkuarën kontrollon të ardhmen”.
Nuk gjendemi në lojëra fjalësh dhe në kushtet e pamundësisë të të menduarit. Logjika e thjeshtë të tregon se ku mund të rrëshqasë Shqipëria dhe se ku ndodhet sot Rama. Ku ndahet pushteti i tij nga rruga e lirisë duke kuptuar se: “Kush e kontrrollon me dorë të hekurt të tashmen, Ai/Ajo bën çfarë të dojë me të shkuarën dhe të ardhmen e qytetarëve dhe shtetasve që nuk reagojnë”.
Shqiptarët opozitarë, studentët, të papunët, të pastrehët dhe shoqëria civile po proteston sepse po e jeton varfërimin prej korrupsionit. Përditshmëria e ndërgjegjes qytetare mund të ndeshet dhe ta mundë një regjim të korruptuar dhe shtypës duke i dhënë shembujt mbi këtë rrethim që pushteti ka krijuar: 1- ndërtimin e një bote dhe shoqërie imagjinare në të cilën njerëzit jetojnë mes vuajtjes dhe frikës. 2- ku të gjithë qytetarët i mashtron një parti e vetme politike, dhe ku 3- informacioni kontrollohet nga një grup njerëzish.
_________
* Eric Arthur Blair, i njohur George Orwell (1903 – 1950) ishte një romancier, poet, eseist, gazetar dhe kritik anglez.
1984 dhe Ferma e Kafshëve shkruar fill pas LIIB u referuan gjatë këtij shënimi.
14 Maj, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)