Një ditë pas daljes nga tuneli i Murrizit, i pamjaftueshëm nga suksesi politik i Rilindjes Socialiste, që programin e zgjedhjeve të 11 Majit e ka zëvendësuar me ofertën e re të pjesëmarrësve në qeveri dhe politikë përmes PPP (Partneriteti Publik Privat), kryeministri Rama doli me një tjetër “objekt të shndritshëm” për të tërhequr vëmendjen. Ky objekt ishte pasaporta e BE, me vulën e thatë “mandati i katërt” deri 2030 dhe data e skadimit pas 10 vitesh. Pra në aritmetikën e thjeshtë, pavarësisht betejës që bëjnë forcat opozitare për rotacion, për të luftuar korrupsionin, krimin ekonomik, borxhin shtetëror në rritje, këmbimin e lekut me valutën ndërkombëtare si dukuri e tregut informal, popullsinë që braktis vendin për shkak të varfërisë, papunësisë dhe kushteve të jetesës, pra mbi këtë përkeqësim të gjithanshëm, Rama me këto zgjedhje po kërkon njëherësh dyfishimin e kohë qëndrimit në pushtet.
Zgjedhjet e 11 Majit kundrejt këtij realiteti, janë një emergjencë për shpëtim kombëtar.
Duke iu kthyer “objektit të shndritshëm” pasaportës BE që u mbajt lart gjatë një programi podcast që ai e vetë cilësoi maratonë dhe zgjati për rreth dhjetë orë, intriga dhe jo thelbi i programit të një force politike ndodh me shpalljen e një fryme “Partia e Re për Shqipërinë në BE”. Në një foto album një ditë më pas janë bërë të njohur 80 fotografi pjesëmarrësish dhe jo identitete vlerash personale të tyre pasi, fokusi shkon tek ai që i merr ata në pyetje nën ombrellën ideologjike të parullës “Deputeti që Duam” dhe “Moduleve të Akademisë Politike” të Partisë Socialiste do të duhet lexuar Ramiste pas pak kohësh publiku do të shohë “transfuzionin e gjakut politik” që Ranma e kërkoi përpara nisjes së fushatës. 80 të intervistuarit në maratonë kundrejt dy listave të hapurës dhe të mbyllurës janë “konkurrenca dhe zëvendësimi” potencial sipas parimeve të përzgjedhjes nga ana e autokratit në krye të elitës së Rilindjes Socialiste. Anëtarësia dhe fryma demokratike brenda Partisë Socialiste janë minuar tërësisht dhe po kështu fati i ekzistencës së saj pas zgjedhjeve të 11 Majit do ta vendos në krahun e forcave opozitare ndaj autokracisë.
Por duke ju kthyer Pasaportës së BE-së, kësaj teorie që ja dyfishon tre mandatet bashkë llogarive të pushtetit të Ramës duhet parë më imtësisht formulimi i gjuhës për zgjedhësit. I cili ka një idhnim dhe urrejtje personale politike karshi ndryshimeve që Shqipëria i ka arritur edhe pa stacionin 12 vjeçar të Rilindjes Socialiste në 34-35 vitet e tranzicionit.
Idhnimi dhe urrejtja personale shihen qartë në këtë deklaratë që u mbajt në hyrje të maratonës pas “objektit të shndritshëm” pasaportës BE-së:–“Ne mund ta mbyllim përfundimisht këtë histori diskriminimi poshtëruese dhe mos të na ndajë më askush si dele të zeza nga tufa e bashkudhëtarëve tanë evropianë kur hyjmë në një kufi. Të mos i japim më llogari një polici në aeroport se pse po hyj në një vend të BE-së dhe kur do iki. Ne mund të sigurojmë çdo shqiptari dhe shqiptareje pasaportën evropiane të Shqipërisë 2030”.
A ka një partneritet dhe zhvillim marrëdhëniesh mes shteteve, në qoftë se ky formulim shtrohet në rrafshin e diplomacisë dhe të politikës së jashtme të një shteti Republikë Parlamentare që sipas Kushtetutës ka parimet themelore në nenet e para të saj ku përcaktohen qartë sovraniteti kombëtar, dinjiteti njerëzor të drejtat dhe liritë e tij.
Por ashtu siç ky kryeministër personalisht i paragjykon shqiptarët dhe të tjerët me farsën e një karte elektorale pasaporta e BE-së harron se pak kohë më parë ishte ideatori i dhënies në përdorim të territorit shqiptar në Shëngjin dhe Gjadër për ngritjen e kampeve të pritjes së refugjatëve me drejtim BE-në, duke e etiketuar Shqipërinë një vend demoralizues për fluksin e emigracionit në Evropën Perëndimorë.
Çfarë na rezulton sot në këtë kartë elektorale marrëveshja “Meloni-Rama”?!
Le të shtrojmë dhe një argument të dytë sipas kësaj që përforcon Rama:-“Ndërkohë që evropianët që zbresin bashkë me ne nga avioni kalojnë në një korridor të tyre pa radhë edhe ikin avullojnë sa hap e mbyll sytë. Ne vërtetë s’kemi viza për të lëvizur në Evropë, por ama s’kemi as të drejtë për të qëndruar në një vend të BE-së”.
Sepse vazhdojmë jemi të varfër dhe rripemi si shqiptarë dhe diasporë nga regjimi i Rilindjes Socialiste!
Por kundrejt kësaj deklarate duhet shpjeguar se sipas treguesve të indeksit ndërkombëtar të pasaportave, Pasaporta e Shtetit Shqiptar ka liri lëvizje për 90 ditë me 88 shtete, kundrejt 110 të tjerëve që duhen vizat. Ky është parimi i lëvizjes së lirë i cili mbështetet në politikat e mirëqenies brenda vendit për të gjithë popullsinë, pa e detyruar atë që për shkaqe të varfërisë dhe presionit politik të zgjatjes së pushtetit njerëzit të shpërngulen përkohësisht dhe p lirinë e lëvizjes ta shfrytëzojnë për të qëndruar në perëndim dhe duke u ofruar si fuqi punëtore. Lëvizja e lirë në Evropë me pasaportën e BE-së do të ishte një e mirë, por me çfarë parash në kuletën e tyre shqiptarët do ta zgjidhnin lëvizjen apo zhvendosjen e përkohshme në një shtet të Evropës?
Me mbi 1/3 e popullsisë, kryesisht rini e larguar nga vendi, kjo kartë elektorale e Ramës synon boshatisjen.
Absurdi i saj ndërtohet tek nënvizimi: “E fundit por jo për nga rëndësia, tha Rama, çdo ambasadë e BE-së i vjen në ndihmë kudo ku ndodhet një shqiptar apo shqiptare që zotëron pasaportën e BE-së nëse nuk ka aty pranë një ambasadë shqiptare”.
Tani le ta kuptojmë.
A është Rama, ai që po i dikton BE-së apo është BE që ka 12 vite që i ka dhënë atij mundësinë të bëjë detyrat e shtëpisë?
Pa harruar se i ka shtruar rrugën dhe i ka dhënë ndihmën ekonomike dhe institucionale për t’u afruar me Evropën dhe gjithshka si reformë është shndërruar në korrupsion dhe forcim i partisë-shtet.
Çfarë është kjo përmbysje në thelb?
Shtetet kanë rregulla. Edhe ato më modernet, historikisht janë gdhendur me parimin e identitetit të kombeve ku respektohet fqinjësia, sovraniteti etj. por kjo lajthitje elektorale në një rrugë pakrye me “objektin e shndritshëm” të Ramës drejtuar elektoratit, Pasaportën e BE-së tregon se jemi përballë një mashtrimi naiv, i cili mbase duartrokitet nga 80-shja e “Partisë së Re për Shqipërinë në BE”.
Sikurse sot apo 10-15 vite më pas një pensionist shqiptar i stërkequr dhe pa të ardhura, pra kur nuk ka para do të shqetësohet dhe do të shkojë sikurse Rama e bën fushë me lule dhe do trokasë në “…çdo ambasadë e BE-së i vjen në ndihmë kudo ku ndodhet një shqiptar apo shqiptare që zotëron pasaportën e BE-së nëse nuk ka aty pranë një ambasadë shqiptare”. Jo vetëm pensionistët, por edhe administrata të cilëve ju është premtuar rroga 950-euro në muaj nuk mund ta realizojnë këtë veç se një shëtitje ditore turistike nga kursimet.
Për të mos e bërë maratonë këtë shënim me përmbajtjen e shumë problemeve që ka Shqipëria pa ardhur ende tek “objekti i shndritshëm” pasaportës BE-së, le të sqarojmë se mes Ramës ku është sot dhe “Partisë së Re për Shqipërinë në BE” nesër siç është shkruar në titull jemi NE.
NE, qytetarët dhe shtetasit shqiptar brenda Shqipërisë dhe në diasporë që e kërkojmë dhe e kemi në dorë ndryshimin në zgjedhjet e më 11 Majit, 2025.
16 Mars, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)