Është pasuar me shumë parashikime dhe komente para dhe pas vizita e së Dielës 12 Maj, 2024 në Greqi e kryeministrit Rama. Ajo ç’ka ngjau në dy orë i ka të gjitha brenda në Stadiumin e Galatsit të Athinës përsa i përket vështrimeve pro dhe kundra, me numura real 5 mijë brenda dhe po kaq jashtë, me mbështetës dhe me shumë pak kundërshtarë, me trendin e ri turistëve socialistë për mitingje jashtë shtetit apo vlera e lëvizjes së lirë, ku punonjës të zyrave të shtetetit shijojnë turizmin partiak në një kohë kur shërbimi për qytetarët ka humbur cilësitë dhe taksohet rëndë. Flitet mbi trazim ujrash për zgjedhjet në BE, për konspiracion apo shënjestra “atentati” dhe theksohet enkas përvjetori i arrestimit të një kryebashkiaku të pakicave greke në Himarë etj. pa çka se demokracia, shteti i së drejtës dhe diplomacia po shihen si burimet e fundit që po e ushqejnë pushtetin e korruptuar të Ramës. Pra gjithshka po investohet duke ngritur rreth tij një zhurmë për të tërhequr vemendjen nga gjendja e vështirë e Shqipërisë. Gazetarët dhe analistët fluturojnë në një avjon me kryeministrin për të kapur atmosferën ditës së tij për më pas dhe jo lajmin. Një shfaqje kjo plot shpenzime që bazës organizative e Rilindjes Socialiste dhe mështetësve (vullnetarë), u ka kushtuar dy muaj dhe ku janë hedhur energji për mbajtjen e takimit me Ramën që kërkoi dhe çeli një turne me diasporën, por që publikut ju njoftua vetëm dy javë më parë.
Ky inventar atmosfere dhe fjalimi i Ramës në versionin zyrtar mund të kuptohet thellësisht nga çdo lexues edhe tek pasqyrimet e detajuara që i ka dhënë Agjencia Telegrafike Shqiptare përveç mediave pranë qeverisë. Një ditë pas zhurmës së Athinës veç përqindjeve me shifrat ditore të turistëve, ATSH hodhi në përdorim aplikacionin e ri të lajmit, prej ku propaganda do të arrijë më shpejtë si shërbim turbullues dhe i njëanëshëm i publikut sa kohë që Rama është në pushtet.
Ndryshe nga këto pasqyrime lajmesh si edhe i atyre të medias greke e shqiptare, dy tre çështje mund të dalin nga vëzhgimi ndryshe se si u përcoll takimi në Stadiumin e Galatsit të Athinës.
1- ATSH thellon ideologjinë.
Për lajmet e saj zyrtare shprehet për komunitete shqiptare dhe diasporë në këtë kohë prag zgjedhjesh kur forca politike që ka pushtetin niset me një tur takimesh në Evropë: “TIRANË, 12 maj/ATS/- Kryeministri Edi Rama nisi sot turin e takimeve me komunitetet shqiptare në Europë. Ndalesa e parë e këtij rrugëtimi ishte Athina, ku Kryeministri u mikprit nga mijëra shqiptarë të diasporës që jetojnë e punojnë prej shumë vitesh tashmë në Greqi”…
Në 33 vitet e fundit shqiptarët emigrantë u vendosën në shtetet pritëse dhe bashkë me diasporën e vjetër në botë sëbashku njihen si bashkëatdhetarë e bashkëkombas. Kur flitet për shqiptarë në Greqi, atje janë gati 700 mijë në numër të valës së re dhe të gjithë të rritur në numër po përpiqen të integrohen pranë një shteti në BE si Greqia, me punën dhe djersën e ballit të tyre. Janë qytetarë të një shteti që u ka afruar lirinë dhe ata punojnë fort duke bërë ekonomi. Kanë ndërtuar familjet, shkollohen dhe zhvillohen duke i ruajtur treditat, kanë mbajtur lidhjet me familjet dhe të afërmit e tyre në Shqipëri duke i ndihmuar ekonomikisht. Vetëndërgjegjësimi i bashkëatdhetarëve ka nisur për një jetë më të mirë dhe aty ku jetojnë shprehin për vendlindjen një dashuri të madhe cilën as nuk mundet t’ua kujtojë dhe as nuk mundet t’ua rrëmbejë politika dhe politikanët e papërgjegjshëm në Shqipëri të cilët mbeten përgjegjësit kryesorë të ngadalsimit të zhvillimit kombëtar për shkak të korrupsionit. Një forcë politike që rri prej vitesh në pushtet përmes abuzimit dhe vjedhjes dhe që del tani për ta lypur votën në diasporë, tregon se ajo po bën përpjekjet e fundit para humbjes.
Një ligj kushtetues që ju besua atyre dhe që parashikon “Votën e Diasporës”, është sabotuar prej vitesh nga një aktor si Rama, nga partia e tij dhe nga aleatë të tyre të cilët diasporën e vjetër dhe të re në qoftëse nuk do t’ia dalin dot duke e kompromentuar dhe ta blejnë, ata do ta përdorin shëmtuar si një fasadë.
2- Studiot televizive filluan të presin përfaqësues Rilindas.
Gjatë një tryeze në Now-Euronews në mbrëmjen e të Hënës 13 Maj, u shtrua për dikutim se: A u provokua Greqia nga Shqipëria prej kësaj vizite? Evis Kushi (ish Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste) që ka një karrierë politike aq sa edhe vitet Rilindjes Socialiste në pushtet të jep përshtypjen se duket si askush tjetër që të ketë lexuar me zell tezat diplomatike nga Modulet e Akademisë Politike të Ramës kur thekson mbi thelpinjtë e fjalës së Ramës në Athinë:
“Unë nuk pres aspak tensionim. E para njëherë, unë nuk jam dakort që grekët paskan kulturë evpropiane dhe ne paskemi kulturë provinciale, aspak. Përkundrazi ne pikërisht këtë treguam në këtë miting dhe këtë kemi treguar edhe gjatë viteve të fundit neve nuk jemi më inferior. Dhe po ta vini re këtë ka dashur të thotë kryeministri në fjalimin e tij nga fillimi deri në fund. Që shqiptarët nuk janë më ai kombi inferior që rri me kokën ulur, por përkundrazi kërkon të drejta të barabarta. Dhe kjo u kërkua pra, respekt. Respekti reciprok njësoj siç trajtojmë ne grekët etnik në Himarë apo kudo tjetër në Shqipëri, në të njëjtën mënyrë ne kërkojmë që edhe që të trajtohen dhe të respektohen shqiptarët në Greqi. Ky ishte thelbi i diskutimit”.
Evis Kushi në fundin e fjalimit të Ramës zbulon edhe një thelb të dytë ku Shqipëria dhe Greqia gjinden në një epokë të re marrëdhëniesh si; “dy fqinjë të mirë, si dy miq të mirë”.
I kushtuam këtë paragraf për të kuptuar dy thelbet diplomatike të shprehjes “së forcës” ose më mirë të themi të sforcimit të kërkuar nga takimi i liderit të saj Rama. Në të vërtetë cilido që të jetë numri i pjesëmarrjes, 5000 brenda dhe po kaq jashtë ashtu sikurse me mijëra mund ta kenë ndjekur drejtpërdrejtë ky rezultat populist në rrënjën katrore apo të një fuqie më të madhe që përcjell diplomacia profesioniste, e lexon sjelljen autoritare edhe jashtë kufijve shqiptarë si një shterrim pushteti dhe një turne që do të përshpejtojë izolimin në qoftë se ky kryeministër, nuk pengon opozitën dhe pluralizmin, nuk zbaton kushtetutën dhe shtetin e së drejtës dhe për më keq dëmton demokracinë. Të largohesh me mesazhin si dy fqinj të mirë për një tubim në një stadium të Athinës, është njësoj si t’i përdorësh pas 50 vitesh shqiptarët ideologjikisht të bashkuar rreth partisë dhe udhëheqësit. Kjo frymë populiste jep rezultat për të prodhuar histeri siç dha të kundërtën “Koncerti i Marinelës”, kur për veshin e publikut muzika e preferuar greke u ndoq në sallë me bileta të urdhëruara dhe me vetëpërmbajtje revolucionare, ashtu sikurse kudo në Shqipëri shkruheshin parrullat e ndërtimit socialist dhe Partisë së Punës. Koncerti i Marinelës u përsërit disa vite më pas me Albanon numerikisht me po kaq ndjekës dhe i dha provat sa herë që diktaturës i duhej të zbulonte raportet e fqinjësisë së mirë me Greqinë apo Italinë dhe do të luante me kartën e kulturës si e si që ta çorodiste popullsinë dhe të gjente mënyra për ta forcouar më shumë shtrëngesën e rregjimit. Kjo sjellje ngjason mirë me ideologjinë e Rilindjes Socialiste sot dhe me kultin e autokratit të cilat vetëm një fije e vogël i ndan nga ai realitet i partisë shtet.
3-Në kërkim të Rilindasve.
Për deri sa Rama nuk di ta respektojë diplomacinë dhe të mbajë pozitën e një fqinji të mirë, vizita e sforcuar e Athinës do t’i marrë me kalimin e kohës goditjet e duhura pikërisht për të mos krijuar më precedentë në zhvillimet e lëvizjes së lirë dhe jetës së emigrantëve. Kryesisht kjo për shqiptarët në diasporë dhe për ata brenda vendit që nuk ndajnë të njëjtat ide me qeverinë dhe propagandën e saj ideologjike e cila vetëm blen aksione vlerash me popullsinë shqiptare të diasporës. Të sjellësh në kohë një rilindas si Naim Frashëri duke menduar se krijimi i tij “Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve” i shërben rrënqethjes së stadiumit Galatsi të Athinës dhe më gjerë, duhet thënë për kohën ishte vetëm Naimi. Ai ishte një trim dhe një patriot, burrë i ditur dhe i pa shoq që nuk e bën Ramën sot as të barabartë dhe as aq të zot mes atyre etërve të Rilindjes Kombëtare. Me pushkë dhe penë atë kohë Shqipërisë i duhej Pavarësia, po aq sa dituria dhe trimëria. Ndërsa ta lexosh sot Naimin me shpoti për të rrënqethur stadiumin dhe se po i lë një “pusullë” në mungesë të zotit të shtëpisë kur ke shkuar në kohë të papërshtatshme dhe je i këshilluar për pasojat e një ndërhyrje të tillë, kjo arrogancë është edukatë e munguar sikurse edhe filli i bejtes në fjalimin prej ushëheqësi mbetet një ideologji e varfër imponuese:
“Në sipërfaqen e kulturës së shkruar të kohëve të sotme, ku kanalet e informacionit dhe rrjetet sociale i japin fytyrën e politikës së ditës kësaj marrëdhënieje të lashtë duke u ofruar njerëzve sufllaqet e nacionalizmit folklorik dhe rakinë e cikut populist për t’u ngrohur barqet elektorale dhe për të përgjumur trurin qytetar, duket sikur mes Shqipërisë dhe Greqisë ka pasur vetëm probleme të përjetshme”.
Për më tepër ky mendim i Ramës është një diplomaci e dështuar që vazhdon dhe ushqehet edhe pse brenda Evropës me idetë e dështuara të “Ballkanit të Hapur”, një ideologji globaliste e Ramës.
Për ta përforcuar rrënqethjen e Naim Frashërit mes shqiptarësh se kush është fqinji i mirë dhe se kush e do bashkëpunimin, përçarja që i ka ndodhur popullsisë shqiptare bashkë me largimin gjatë viteve të Rilindjes Socialiste, janë pikërisht realizimi së prapthi i vargut të Naimit “Është koha e mirëqenies, është koha e lirisë”, sepse shqiptarët që detyrohen të emigrojnë po e zhbëjnë Shqipërinë sepse mirëqenia dhe liria po humbasin duke ja lënë vendin një elite që nuk ndahet dot prej mashtrimit, prej vjedhjes dhe prej korrupsionit të pushtetit.
Shqiptarët i gjen kudo në botë si bashkëatdhetarë e bashkëkombas, punëtorë me dinitet dhe integritet dhe që më shumë se kurrë dashurinë për Atdheun askush më shumë se Vota e Lirë nuk do të mund t’ja realizonte. Vota e Diasporës sot ka mbetur e pamundur sepse kjo përfaqësi politike dhe ky pushtet po i mashtron shqiptarët. Është mesi i muajit Maj, një vit pas zgjedhjeve vendore ku regjimi shrytëzoi çdo mjet dhe mundësi për të rrëmbyer pushtetin dhe drejtimin në pjesën dërrmuese të bashkive.Turi trazues i Ramës në Evropë me diasporën të rikujton se ai po mat forcat e zgjedhjeve të ardhshme.
14 Maj, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)