Me çfarë këndi e pamë 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë?
Është një pyetje drejtpërdrejtë të cilës tashmë ne i dimë rezultatin. Mbarë publiku e pa me sytë e tij se si ky përvjetor u servir dhe të gjithë janë dëshmitarë se si u përdor kjo datë e shenjtë e shqiptarëve. Ishte rakursi ideologjik dhe propaganda e Partisë Socialiste në pushtet që e përvetësoi edhe një simbol të të gjithë shqiptarëve ashtu sikurse këto dhjetë vite ka mundur tinëz të depërtojë në jetët e tyre dhe ku shtirja e shëmtuar me këtë festë dëmton me cinizëm patriotizmin dhe atdhedashurinë e të gjithë shqiptarëve.
Ky nuk mund të jetë rasti i fundit në qoftë se shoqëria nuk reagon.
Tërheqja e vëmendjes politike nga ana e qeverisjes me datat historike të Shqipërisë po kalon në një makth të vazhdueshëm dhe kjo u tregua me këtë fund Nëntori, pra i dha të gjitha provat. Sot nuk ka më asnjë një pikë dyshimi se deri në çfarë mase përdoren dhe shëmtohen gjërat më të çmuara përpara syve tanë për kapital politik.
Edhe në qoftë se profesionalisht në gazetari do të kërkoje një analizë se përse ky fenomen i çoroditjes po ndodh në një nivel të ri, mundimi të del huq sepse edhe kur njerëzit arrijnë t’i shohin politikanët se si veprojnë, tema rrotullohet ndryshe. Janë studiot e analistëve mediatikë që gëlojnë me sensacionet dhe bëhen edhe ata pjesë e turbullirës në vend që të jenë të vërtetët, ata që duhet të godasin në shenjë dhe të qartësojnë pa dhënë hamendje dhe pa u dukur interesantë.
Dashuria e shprehur thjeshtë për atdheun e bëri Shqipërinë më 1912 si edhe mund ta ruaj sot që shqiptarët ta trashëgojnë edhe pas 111 vjetorit të pavarësisë së saj.
Por rakursi ideologjik dhe propaganda tregojnë fatkeqësisht se gjithmonë janë vendosur ndryshe ndaj vendit dhe historisë së tij.
Në çdo kanal Tv, “Live” herë me shqetësim real dhe herë me humor si edhe ndonjëherë me cinizëm me orë të tëra u nis të shpjegohej se; “…kur u largua gjermani i fundit (nazisti i fundit), nga Shkodra apo se kur do të iki shqiptari i fundit (emigranti i fundit), për në Gjermani”.
Publiku është njohur nga të gjitha këndet me të cilat u mbars muaji Nëntor, me Tiranën, një “metropol kozmopolitan”, përgatitjet, paradat, arbëreshët dhe diaspora, folklori i trevave shqiptare për të kujtuar Ditën e Flamurit e festuar 28 Nëntorin e 1912 të cilat bashkë synonin vetëm kulmin, “Sheshin Skënderbej” të kryeqytetit, me “Mbrëmjen e Bardhë” të Tiranës deri në mëngjesin e së Enjtes, 30 Nëntor. Një titull thirrës ky nga kryetari i bashkisë i mbështjellë me Festat e Nëntorit , “Të gjithë të mbushim sheshin” ku tymi, pluhuri, dritat dhe zhurmat, me muzikë dhe rap-i, i bën njerëzit të zbardhen meitë nga pagjumësia deri në agimin e një dite të re pune.
Pra plot 8 ditë “angazhime” pa një koncert klasik, ekspozita, kumtesa historike, filma dhe dokumentarë sepse ata krijues profesionistë të fushave kushtojnë, janë të shtrenjtë dhe kurrë nuk vlerësohen ose janë jashtë atdheut. Këto 8 ditë “angazhime” lanë mbresën se për këto ngjarje dhe veprimtari pushteti qendror dhe ai vendor di të mirë organizojë kaosin e mesazhit kombëtar dhe u kuptua qartë se publiku nuk duhet ta mbajë mendjen tek Kuvendi i Shqipërisë i cili po jeton periudhën më të vështirë të 33 viteve përpjekjesh për shembjen e diktaturës komuniste. Jemi drejt asgjësimit institucional të opozitës dhe humbja e pluralizmit po ndodh para syve tanë. Sistemi demokratik dhe zhvillimi drejt perëndimit dhe Evropës do të mbeten ndoshta një ëndërr e parealizuar e miliona shqiptarëve që përqafuan ndryshimin dhe mposhtjen e diktaturës komuniste në fillimin e viteve 90-të.
Kjo pra po ndodh para syve tanë dhe rakursi i politikës mendon se e shmang butë dhe si duhet opinionin me tetë ditë shfaqje dhe aspak prodhim vlerash.
Ky turbullim tetë ditor, zbraz energjitë dhe e heq vëmendjen e publikut nga skandalet e korrupsionit tashmë të mbërritura në dyert e drejtësisë. Tej zgjatja e tyre janë treguesi kryesor i rënies së vendit në krizë deri aty sa Shqipëria dhe shqiptarët të ndeshen me ditët e tjera të kalendarit historik për t’u zhgënjyer nga festat. Kjo turbullirë kërkon të mbulojë përgjegjësinë e dhjetë viteve të dështimeve për shtetasit pasi ekonomia e dobët ka bërë që 1/3 së shqiptarëve të largohen në emigracion, popullsia e mbetur të tregojë shenjat e mplakjes, dhe të aftët për punë veç një pakice me pushtet dhe kurrë se duket e përmbushur nga nevojat e pasurimit dhe të luksit të vazhdojë të sundojë mbi pjesën më të madhe të mbetur në skamje dhe varfëri deri në kufijtë e një minimumi jetik të të ardhurave, taksa, ushqim dhe barna. Pikërisht kjo pakicë me pushtet sa herë që vjen fund viti zgjohet dhe bën zhurmë mediatikendërkombëtare kur jep një lëmoshë dhe i përsërit ato sa herë që i duhen numrat dhe votat.
Por kaosi i vërtetë sot ndjehet edhe më i rrezikshëm dhe më kërcënues pasi është i programuar dhe i investuar mirë ideologjikisht. Pas fitores së zgjedhjeve vendore të 14 Majit, harta lejla e PS në pesë-gjashtë muaj ka marrë revanshin e vet deri me ringjalljen e simboleve të diktaturës. Buçasin lajmet kryesore me titujt e rrallë se edhe në ato zona e qytete ku komunizmi mendohej se ishte “harruar”, përkujtohen data të sistemit socialist tashmë të falimentuar.
Rakursi i politikës nuk tregoi se sa gjatë shkoi festa megjithëse zhurma për të u bë muaj më parë.
Pavarësia jetoi vetëm një ditë dhe tregoi se fundi i Nëntorit 2023 mund të quhet “Nëntori i Tretë”, atë që Enveri e dëshironte Rilindja Socialiste po e kryen ngadalë dhe tashmë e ushtron me forcë pushtetin, e shkruan vetë historinë pa çka se kriza ekonomike dhe shoqërore e Shqipërisë, krimi, siguria e vendit dhe e shtetasve janë si asnjëherë tjetër të kërcënuara.
Por le t’i mbetemi tek problemi që shtruam që në fillim.
Përse qeverisja e sotme tërheq vëmendjen e datave historike të Shqipërisë dhe synon çoroditjen?
Ajo që media nuk thellohet prej kohësh me analizat e të tilla rasteve kundër qeverisë bëhet për shkak të një tolerance si për t’i thënë gjërat më ndryshe, pra: “ ishte vetëm një rast”.
Nuk është më ky i vetmi rast gjatë një dhjetëvjeçari. Shqipëria është transformuar në vlera dhe në ide, në moral dhe në parimet e trashëgimisë kulturore.
Pikërisht për t’i mbetur rëndësisë së faktit të vërtetë dhe të mos përsëritjes së qëllimshme më tej UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), do tj’urendisë disa nga kulmet e këtyre rastësive për të kuptuar se nuk jetojmë as në një realitet të rastësishëm dhe as në një Shqipëri ku shfaqen edhe nostalgjikë. Ky realitet i sotëm politik, ekonomik dhe shoqëror në krizë tregon se jetojmë në një sistem diktature që synon të kapë çdo hapësirë të lirë të jetës.
Rastësia e parë. Falë interesave reciproke dhe lidhjeve individuale, pas krizës së tërmetit, Erdoganiviziton Kuvendin e Shqipërisë me 17 Janar 2021, sikur nuk mund të gjendej në kalendar një datë tjetër veç asaj date të mirënjohur botërisht, 554 vjetorit të shkuarjes në amshim të “Heroit Kombëtar” Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Se si zgjidhen miqtë strategjikë pa u prishur datat historike dhe respekti ndaj vendit tënd vetëm kjo qeverisje e di(!).
Rastësia e dytë. Muajt kalojnë dhe skandalet e korrupsionit prekin rrethin e afërt të kryeministrit në kabinet. Burgosjet dhe hetimet janë një plagë e hapur dhe kjo situatë e lodhshme ka nevojë për ngritjen e një imazhi. Fitohen zgjedhjet vendore dhe PS plas një fushatë dhe propagandë turistike ku mes mbi tetë milionët (shifra e sotme zyrtare), që shijuan mrekullitë e Shqipërisë si krejt papritur dhe rastësisht mbërrin në prag të ditëlindjes në kryeministrit, ish presidenti i SHBA-së Bill Klinton. Tapeti i kuq, shfaqja dhe dekori njëditor ishin të mjaftueshme për të tërhequr vëmendjen, fituar zemrat e shqiptarëve të Kosovës se projekti i “Ballkanit të Hapur” vazhdon, ndërsa nga ana tjetër heshtja e vapës së verës mbylli debatin e zgjedhjeve vendore të 14 Majit dhe përgatitjet për një format të ri qeverisjeje në vjeshtë nisën përgatitjet.
Rastësia e tretë. Tetori i “Rigjallërimit të Piramidës”, i mbuluar me shfaqjen e Samitit të Berlinit, për të cilin kuptimi u pa qartë dhe qeverisjes ju tregua vendi se si kërkohet hyrja për në Evropë.
Janë me dhjetëra rastësitë e hershme dhe at që pasojnë dhe secila vlen për t’u analizuar, por për të mos u shkëputur nga tema do të përcjellim më të rëndësishmen, atë që me zhurmë ftohet diaspora, pjesa më e fundit e mbetur plotësisht e pa kapur prej qeverisjes.
Rastësia e katërt është rakursi i Diasporës dhe i Pavarësisë. Jo pa qëllim ju kemi treguar se “Dita e Arbëreshëve” deri tek ceremonitë festive të “Mbrëmjes së Bardhë Tiranase” ishin thelbi i shtirjes së patriotizmit dhe ato u tej zgjatën aq sa për të dalur diku tjetër. Ishte prekja e nervit të votës së diasporës që është po aq e shenjë dhe e shtrenjtë sa edhe Pavarësia, të shenjta për të gjithë bashkatdhetarët dhe bashkëkombësit për të jetuar në paqe, në një sistem të lirë, demokratik dhe me drejtësi për të gjithë dhe me besim tek perëndia.
Por deri ku arriti përdorimi i pushtetit dhe turbullira përçarëse e tij?
Me realizëm mund të tregojmë se propaganda dhe ideologjia kur përdoren dhe e ushtojnë zbulimin e imazhit të tyre prej medias, mesazhi del i qartë dhe i kuptueshëm se është vetëm një qëllim, mbrojtja e interesave të një individi që synon të bëhet i gjithë pushtetshëm. I një individi që harron se ka një kontroll ligjor mbi të i cili është Kushtetuta e RSH. Neni 14 i saj i ka të përcaktuara çështjet dhe çdo shprehje dhe qëndrim jashtë tyre jashtë jep shembujt dhe veprimet e antikushtetueshmërisë:
1. Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja.
2. Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes.
3. Stema e Republikës së Shqipërisë paraqet një shqyt me fushë të kuqe me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes. Në krye të shqytit, me ngjyrë të artë, është vendosur përkrenarja e Skënderbeut.
4. Himni kombëtar është “Rreth Flamurit të Përbashkuar”.
5. Festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit, 28 Nëntori.
6. Kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë është Tirana.
7. Forma dhe përmasat e simboleve kombëtare, përmbajtja e tekstit të himnit kombëtar, si dhe përdorimi i tyre rregullohen me ligj.
Cila prej tyre u respektua?
Besojmë se shtetasit janë në gjendje të kuptojnë veç qëllimeve ideologjizuese dhe propagandës së PS në pushtet pas fshihen shtrembërimet dhe shpenzimet ende të pa bëra transparente prej qeverisjes qendrore dhe vendore gjatë tetë ditëve të fundit.
Me gjithë këto dështime, skandale që kryeministri dhe qeveria kurrë nuk i marrin përsipër përgjegjësitë na bën që ne si gazetarë ti vendosim atyre një rakurs real për datat dhe historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Respekti i Flamurit dhe i të rënëve për Lirinë e Atdheut janë të shenjta dhe duhen çmuar e nderuar çdo ditë. Lulet e freskëta dhe flaka për kujtimin e tyre mund të mbahet ndezur në çdo ditë dhe jo vetëm kur rastësisht elita politike i përdor si fasadë gjatë ceremonive festive.
Tek sa shikojmë para syve tanë degradimin, nuk mbetet më rastësi piketimi i 8 Dhjetorit nga partia shtet. Një tjetër rakurs për të tërhequr vemendjen, zbehur historinë dhe shkelur traditën e rinisë shqiptare e cila detyrohet çdo ditë të largohet.
Pra i tillë do të mbetet edhe përvetësimi i 8 Dhjetorit të 1990-ës, nga ky pushtet që rend të shfytyrojë datat historike të Shqipërisë.
Tetë ditë më pas, 8 Dhjetor 2023, studentët shqiptarë zgjuan popullin dhe vranë frikën. 33 vjet më parë kërkuan pluralizmin dhe fjalën e lirë duket se nuk do të kenë mundësinë që të tubojnë për forcën e tyre. Rinia Studentore ’90 është simboli dhe vlera e fundit që nuk mund të përvetësohen nga askush. Kjo është epoka e rilindjes që e trashëgojnë të gjithë shqiptarët pa rënë në kurthin e diktaturës.
Kishte një rilindje të vetme dhe të vërtetë Shqipëria, për ta dashur dhe për ta parë zonjë dhe e rëndësishme është se njerëzit kurrë nuk duhet ta humbin shpresën. Një rilindësi i madh Naim Frashëri fuqishëm i shprehte ato me ideologjinë patriotike kombëtare dhe e jepte kumbueshëm shpresën, vëllazërinë dhe bashkimin, gjuhën dhe diturinë, në poezinë “Kam shumë Shpresë”;
Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!
A mundet të orjentohen sot në këtë drejtim shqiptarët dhe diaspora e saj?
Dita e Flamurit dhe Pavarësia janë të shenjtë dhe na bën që t’i lëmë mënjanë dallimet tona, e drejta të mbrohet dhe të fitojë, të jetojmë të lirë pasi dallimet politike nuk janë ato që na përcaktojnë më shumë se sa ne jemi shqiptarë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
VerbandAlbanischerBerufsjournalistender Diaspora (VABD)
Union ofProfessional AlbanianJournalists ofDiaspora (UPAJD)
Union desJournalistesProfessionnelsAlbanaise de la Diaspora (UJPAD)
Unione deiGiornalistiProfessionistiAlbanesi di Diaspora (UGAPD)
Kam shumë shpresë
Te Perëndija.
Që të mos jesë
Kshu Shqipëria,
Po të ndritohet
Të lulëzohet.
Pa vjen një ditë
Që të na sjellë
Të madhe dritë
P’ajo të pjellë:
Qytetërinë,
Fatbardhësinë.
Vëllazërija
Edhe bashkimi
E njerëzija
Është shpëtimi,
Lum kush t’arrijnë!
Pa do të vijnë.
Që Shqipërija
Do të ndritohet
Dhe ligësija
Do të mërgohet.
Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?
Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!
Se Shqipëtari
E gjuh’ e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipërija,
Lum kush t’a shohë
Për pakë kohë.
Pa dituritë
Dhe mbrothësija
E mirësitë
Dhe njerëzija
Do të burojnë
Nukë mënojnë.