(Pressing-u propagandistik i Ramës që përkthehet si strategjia sezonale për Jetë a Vdekje në politikë)
Kë të besosh nga ministrat e Rilindjes Socialiste,… atë të shëndetit gjatë kësaj jave apo atë të brendshmin?
Dy tituj tërheqës nga ATSH-ja, agjencia e propagandës zyrtare të qeverisë socialiste ishin “Mbi 1200 pushues kanë marrë shërbim gjatë qershorit në Qendrën Shëndetësore verore Velipojë” dhe “Policia luftë të gjitha formave të krimit për të garantuar sigurinë e komunitetit”. Ato të bien në sy se si këto dy materiale arrijnë të kulmojnë mbi skandalet e krizës përmes propagandës pikërisht për dy probleme të rëndësishme si shëndetësia dhe rendi e siguria i shtetasve prej trafiqeve dhe krimit.
A nuk ishin ditët paraardhëse ato që na paralajmëruan me këto dy ministri?
Vetëm në datën 8 Korrik, qarkulluan dy lajme që ta tërhiqnin vëmendjen se çfarë po ndodh me të vërtetë në Shqipëri dhe ku mund ta kërkojmë përgjegjësinë e qeverisë dhe të pushtetit vendor. Njëri lajm se, 90 banorë u helmuan nga ndotja e ujit të pijshëm në Bulqizë dhe tjetri ku, një drejtor i shkollës së muzikës në qytetin e Durrësit ishte shpërndarës lëndësh narkotike dhe armësh janë ndër alarmuesit për ta kuptuar dhe vlerësuar gjendjen. Por në asnjërin prej tyre për fat të keq nuk pamë ose dëgjuam reagimin e fortë të ministrave përgjegjës.
Por çfarë treguan këto veç se të kundërtën e asaj që propaganda ushtron çdo ditë?
Vetëm këto dy lajme me shtrirje të ndryshme gjeografike të tregojnë zgjerimin dhe përforcimin e rasteve që kanë ndodhur edhe më parë me korrupsionin në shëndetësi dhe me sigurinë për parandalimin e krimeve dhe rritjen e trafiqeve narkotike në territorin e vendit.
Të përtypësh një lajm të tillë si të ATSH-s dhe ta gjesh atë të amplifikuar në media dhe në rrjetet sociale se ç’ndodh gjatë sezonit turistik në Velipojë, ky është koncept i medias së korruptuar dhe jo i medias së lirë: “Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi nga afër këtë qendër, ku theksoi se vetëm gjatë muajit qershor u ka ofruar shërbime mbi 1200 turistëve vendas e të huaj… Me staf të specializuar e të përkushtuar në 34 Qendra Shëndetësore verore, hapur në të gjithë vendin, jemi angazhuar për të siguruar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm”.
Por a mund ta pyesim sa për informacion ministren Koçiu tani pas Cens-it se sa është rradha e pritjes së vizitave dhe shtrimet në qendrat ambulatore të qyteteve dhe fshatrave të tjerë? Apo ajo di të na tregojë kujdesin për shtrirjen gjeografike nga Vermoshi në Konispol për 34 qendrat ambulatore që i shërbejnë turistëve të huaj dhe atyre vendas.
A di ministrja Koçiu të përgjigjet apo edhe për këtë pikë shërbejnë spotet elektorale të cilat postohen në faqen e saj në Facebook ashtu si edhe të çdo anëtari të qeverisë në shkallët e kryeministrisë pasi nënshkruhen VKM-t javore?
Në rastin tjetër të ministrit Balla kur “Policia ka sekuestruar edhe sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, shuma parash të përfituara nga aktiviteti kriminal si dhe automjete. Do të vijojmë ta konsolidojmë revanshin e sundimit të ligjit kundër të gjitha formave të krimit, për të garantuar komunitete të sigurta”.
Si duhet kuptuar kjo deklaratë e ministrit të brendshëm Balla kur fjala siguri shtrohet për të gjithë popullsinë dhe shtetasit dhe jo për komunitete dhe harta sezonale të diferencuara. Më 24 Maj, 2024 ai deklaroi se 1635 punonjës policie do të ishin të angazhuar në bashkëveprim me zjarrfikësit dhe urgjencat, por vatrat e zjarrit, tregtia e kanabisit në zonat turistike përveç krizës së qarkullimit rrugor kanë bërë që Shqipëria të ulë standardet e cilësisë turistike dhe të priren nga tendencat e oazeve me festa të shfrenuara të alkoolit, eksperimentimit të narkotikëve nën efetet e muzikës dhe dritave.
Me këta dy shembuj që konkretizojnë realisht gjendjen e Shqipërisë në sezonin turistik dhe propagandën nuk po zgjatemi më me të tjerë elementë të rëndësishëm të analizës ekonomike dhe sociale sepse ato do të dukeshin se bëhen me tendencë dhe qëllimshëm gjatë këtij vëzhgimi. Por ama njëri prej tyre që duhet theksuar që është dhe mbetet sikurse edhe ka qenë gjatë viteve të kaluara lidhet me pyetjen se:- Sa përlind e familjeve shqiptare i kanë aq para të mjaftueshme apo të kursyera për të bërë qoftë edhe një javë pushime diku në Shqipëri?
Këtë përgjigje na e ka dhënë duke e përforcuar çdo vit sistemi i korruptuar i qeverisjes.
Të gjithë si elitë në Rilindjen Socialiste pavarësisht postit, kryetar partie apo kryeministër, ministre/ministra njëherësh apo kryetarë politik qarqesh, e kanë kapur Shqipërinë qosh më qosh për ta treguar punën e tyre vetëm me propagandë. Qofshin këto suksese apo skandale, secilin ministre/ministër sheh sot se ndodhet virtualisht në të gjitha vendngjarjet duke i sfiduar mediat dhe duke ua bërë të gatshëm lajmin. Rrjetet sociale të qeveritarëve janë njëherësh altoparlantët dhe zjarrfikësit për gjithshka që ndodh në Shqipëri dhe mundësisht në Diasporë duke u bërë burimi zyrtar për të gjitha mediat dhe mundësisht shtegu i mashtrimit për të ndikuar mbi opinionin publik.
Ky është ndikimi i vazhdueshëm i kahershëm që e ka mbajtur veç të tjerash në tre mandate Rilindjen Socialiste dhe ndoshta po kuptohet së fundmi para 2025-ës se ky ka qenë vështrimi 12 vjeçar i pushtetit dhe mënyra se si elita e qeverisjes socialiste e sheh Shqipërinë; turizëm dhe infrastrukturë, kulla që pakësojnë gjelbërimin, lyerje spitalesh e shkollash dhe pacientë e studentë që u mungon shërbimi, një bujqësi vendase e mundur nga importi dhe ata pak shqiptarë që mund ta shijojnë vijën bregdetare apo klimën malore me çmime marramendëse në qoftë se ndryshe mund të ndodhen fizikisht në to si punëtorë sezonalë shërbimesh.
Pra Shqipëria e Rilindjes Socialiste që është fasada që ka shqyer arkën e shtetit duke sajuar investimet dhe zhvillimin e vendit, ka mundur me këtë mënyrë të rrisë shpenzimet për t’u pasuruar dhe për ta trashëguar pushtetin si elitë. Kjo strukturë e organizuar në politikë e ka brenda vetes motivimin dhe garën e hapur mes qeveritarëve vetëm për t’u pasuruar dhe postet i humbin “më pak të zgjuarit”, ajo ose ai që nuk di dhe nuk e ka aftësinë të fshehë pa lënë gjurmë pronën e vjedhur publike e cila i është dhënë plotësisht me leje nga kreu i qeverisë dhe i ideologjisë rilindase, Edvin Rama.
Për sytë dhe dijen e publikut në tre mandatet socialiste, objektet e vjedhura në miliarda euro janë skena të krimit ekonomik sepse asgjë nuk është realizuar krahasuar me vlerat e shpenzuara. Por edhe nëse vepra gjigande po të jenë përuruar gjatë një periudhe, ato karakterizohen nga ethet e fushatave zgjedhore sepse pas fitoreve ashtu sikurse rrugët janë shembur, rrjeti i energjisë rëndohet dhe tubacionet nuk kanë nxjerrë ujë, po kështu si për çdo gjë të premtuar që tashmë nuk ekziston kanë filluar të dalin një nga autorët përgjegjës të përvetësimeve dhe shpërdorimeve dhe ku prova e korrupsionit të politikës përpara drejtësisë ende pret përgjegjësit.
Në qoftë se këtë realitet e shohin dhe e përjetojnë shtetasit çdo ditë duke mbijetuar prej kërcënimit të rënies në nivelet ulëta të jetesës, prej rritjes së çmimeve të çdo produkti dhe shërbimi mbi dy herë si dhe e shtesës së taksave për çdo vepër të re që pretendohet se realizohet nga programi i qeverisë me paratë e shqiptarëve atëherë shqiptarët dhe diaspora që përmbyten nga propaganda e drejtpërdrejtë e qeverisjes në rrjetet sociale e kanë shumë të lehtë që të kuptojnë dy karakteristikat thelbësore të qeverisjes së Rilindjes Socialiste: 1- pasurimi përmes korrupsionit dhe 2- qëndrimi sa më gjatë dhe me çdo kusht në pushtet për të mos u bërë objekt i drejtësisë.
Këto dy karakteristika të gjendjes ekonomike dhe sociale në Shqipëri i Ka kuptuar më së miri kryeministri Rama i cili nga media e huaj shpesh vizatohet si artisti dhe sportisti para se të merrej me politikë. Këto dy karakteristika dalluese e bëjnë Ramën 60 vjeçar pas një mbijetese 30 vjeçare në politikë që ta fuqizojë edhe më shumë makinerinë e propagandës e cila ndryshe në strategji përkthehet pressing-un ndaj kundërshtarit.
Nuk e themi dot me siguri se Rama mund ta trashëgojë këtë nga sporti i basketbollit apo instinkti i politikës, por duket ana tjetër se të gjithë anëtarët e kabinetit të tij dhe kryetarët politik të qarqeve socialistë e kanë përvetësuar tashmë si duhet këtë strategji. Ato/Ata janë zërat e parë që dinë të heshtin duke u fshehur kur skandalet shpërthejnë, dinë gjithashtu edhe t’i mohojnë veprat dhe bëmatkur ato hetohen dhe u dërgohen si dosje gjyqësore drejtësisë dhe po ashtu me arratinë apo burgun që marrin mbi vete, e gjithë elita kthehet në mburojën e “sukseseve mashtruese” të qeverisë qoftë në Kuvendin e Shqipërisë dhe qoftë në rrjetet sociale dhe mediat ku prodhohen me shumicë propaganda, militantizmi dhe patronazhimi në shoqërinë shqiptare.
10 Korrik, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)