(Në Seancën Plenare, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha shprehet: “të gjitha provat do të fiksohen dhe do të bëjmë një kallëzim penal”)
Dramatike, serioze dhe e dhimbshme i merr cilësitë zhvillimi i seancës plenare të 17 Tetorit, 2014 në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Presidenti Begaj, Kryeministri Rama ndodhen jashtë Shqipërisë me vizita dhe shërbime të rëndësishme pune dhe një nga figurat kryesore të shtetit, e dyta për nga radha, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali jep “leksione” demokracie në një kohë kur deputetë të opozitës vijojnë masën e përjashtimit nga seancat plenare (me 10, 40 dhe 60 ditë), ose në tërësi 24 deputetë me 990 ditë përjashtim, në një kohë kur ish deputeti PD Ervin Salianji është dënuar me 1 vit heqje lirie dhe kur kryetari i PD në opozitë Sali Berisha mbahet në arrest shtëpie, privim lirie të cilin e ndjeu edhe pse disa ditë më parë mbushi moshën 80 vjeç. Nën sugjerimin e pandalshëm për marrjen e masave disiplinore, deputetët e mazhorancës po kërkojnë thellimin “e pastrimit” edhe për dy deputetë të tjerë të opozitës nisur nga seanca e sotme plenare kur ishte Kryetarja Elisa Spiropali ajo që përjashtoi dy deputetët e Partisë Demokratike, Elda Hoti dhe Petrit Doda, si dhe deputetin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Gëzim Ademaj.
Me dhe pa protesta, me polici dhe me gardë në mjediset dhe territorin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me dhe pa karrige, pa kryeministër në sallë, por me forcën e kartonit deputetët socialistë kanë arritur të pamatën e bëmave për ta shndërruar parlamentarizmin në diktaturën e partisë shtet.
Kur mendon se janë 27 deputetë të përjashtuar, me rreth 1000 ditë mospjesëmarrje në një kohë kur për pak muaj vendi shkon në zgjedhjet parlamentare, nuk ka mendje të kthjellët e jo më politikan në këtë planet që këto statistika të mos i shohë si prishje e integritetit të zgjedhjeve të lira, rënie e shtetit dhe shkelje shumë e rëndë e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Nuk do të merremi në këtë trajtim me mënyrën e protestave në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë brenda dhe jashtë tij sepse jashtë përmbajtjes së përplasjeve të dy situatave që lidhen me mënyrën se si zbatohet ligji në Kuvend dhe se sa hapur e në mënyrën më skandaloze dhe amatore zbatohet me urdhrat e kryeministrit propaganda e Rilindjes Socialiste po në Kuvend, 17 Tetori 2024 është një ditë historike për dekadencën e parlamentarizmit, në qoftë se Shqipëria do të mundet ta ruaj një si të tillë.
Propaganda e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali për rastin e çeljes së negociatave me BE-në shkruhet në tituj të zgjedhur të lajmeve zyrtare të ATSH-s se ajo i bën thirrje opozitës që të bëhemi të gjithë bashkë për realizimin e ëndrrës së shqiptarëve, integrimin në BE: – “Pavarësisht partive apo ideologjive, Evropa është ëndrra dhe destinacioni ynë i përbashkët. Prandaj, në këto ditë të shënuara për të gjithë ne, gjej rastin t’u bëj thirrje kolegëve opozitarë, që duke i respektuar bindjet e tyre politike, orientimin dhe vlerat perëndimore, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, si dhe në emër të Shqipërisë evropiane, të bëhemi të gjithë bashkë për përshpejtimin e realizimit të ëndrrës së shqiptarëve, Bashkimit Evropian, këtij realiteti ndër më të bukurit dhe më të dobishmit e njerëzimit dhe qytetërimit bashkëkohor”.
A ishte kjo pjesë e një fjalimi pa opozitë të pranishme në sallën e kuvendit, apo edhe për këtë të sotmen shqiptarëve mbase u duhet t’u kujtohen të vërtetat e historisë nga tre dekadat e shkuara?
Deri ku shkon hipokrizia dhe pafytyrësia e tre mandateve të elitës së Rilindjes Socialiste që kërkon t’u mbushë mendjen shqiptarëve, diasporës dhe madje ndërkombëtarëve se janë këta realizuesit e ëndrrës Evropiane dhe jo Rinia Studentore e Dhjetorit të ’90-ës, populli opozitar dhe Partia Demokratike me partitë e djathta që rrëzuan diktaturën dhe Partinë e Punës trashëgimtarë të së cilës janë elita dhe administrata e Rilindjes Socialiste.
Degradimi i seancës plenare e bëri Kryetaren Spiropali edhe të jepte mësime morali nga Sokrati edhe për peshën pa president dhe kryeministër që Shqipëria e bëri atë të jetë qoftë edhe ‘për një ditë e para e vendit’, por morali i saj është i pamjaftueshëm karshi 27 deputetëve të opozitës të përjashtuar që tashmë protestën e tyre për t’u dëgjuar nga ndërkombëtarët kanë menduar ta shpërngulin paqësisht në dyert e Parlamentit Evropian në Strasburg me 23 Tetor.
Tik-toku i qeverisë apo tik-taku i diktaturës?
Përveç reklamës dhe propagandës qeveritare dhe bashkiake në rrjetet sociale për turizmin dhe përurimet e çfarëdo lloji, por më pak ushqim, shërbim shëndetësor, arsim dhe papunësi që ndjejnë familjet dhe shtetasit shqiptarë, një tjetër model që tregon forcën në parlament është Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha. Cilido që të jetë kualifikimi, shkolla, gradat dhe përvoja e punës të shprehësh në tempullin e ligjit gjuhën e dhunës dhe mendësinë manipulimit të provës ky akt është jo vetëm përgjegjësi dorëheqjeje, por ai është edhe një thirrje për të gjithë ligjvënësit e atij kuvendi ku tashmë frymojnë më shumë gardistë dhe policë se sa përfaqësues të popullit se ‘një shtet policor do t’i bëhet krah korrupsionit’.
Në një sallë ku janë me qindra sy, kamera, celularë dhe për më tepër një transmetim i drejtpërdrejtë dhe të dëgjosh Ministrin e Brendshëm në ditën e 80-të të detyrës (mendoni 100 ditët e zotimit përpara Ramës), kur shprehet se: “këtu bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, të gjitha provat do të fiksohen dhe do të bëjmë një kallëzim penal drejtuar Prokurorisë”, kjo mendësi shtrembërimi për ndëshkim tregon gatishmërinë e zbatimit verbërisht të urdhrave.
Edhe njëherë jemi brenda në mjediset e Kuvendit ku sipas çdo rasti pro dhe kundër apo abstenime janë një shumicë prej 74 kartonësh që vendosin sipas urdhrave dhe udhëzimeve të kreut të Rilindjes Socialiste. Por më e rënda në aspektin e profesionit të një juristi, prokurori dhe gjyqtari të dëgjosh të shprehur se: “…të gjitha provat do të fiksohen dhe do të bëjmë një kallëzim penal…”, kjo të jep të kuptosh se integriteti i një ngjarje apo i një fakti si çështje për nga ana e dhënies së drejtësisë kanë cenueshmërinë dhe fiksimin.
Fiksimi në terminologjinë ligjore kryesisht nënkupton MASHTRIMIN, ose “të ndikosh në një rezultat, fakt ose veprim me mjete të paligjshme ose të udhëzuara në kodin ligjor, etik, etj.”. Thënë si duhet për mendësinë e ideologjisë së diktatorit, ‘të fiksosh provat’, është i gjithë thelbi i gjuetisë dhe ndëshkimit të kundërshtarit nga ai që e ka në dorë pushtetin dhe të maskuar me një demokraci fasadë, ekziston ligji, por ai i përket një sistemi drejtësie të kapur nga pushteti dhe i ushqyer korrupsioni.
Ishin këto dy aspekte që kaluan pa u vënë re nga dhjetëra skenat dhe incidentet e seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë së 17 Tetorit, 2024.
Për vlerë dokumentare dhe autentike lexuesi mund t’i gjejë ato në faqet e ATSH-s, madje të vërteta siç janë thënë jo më për profesionalizëm dhe transparencë, por për frymën e vetë pushtetit, tërësisht i verbuar nga e drejta dhe liritë, por më i egër se kurrë për të eliminuar kundërshtarët politik.
E veçanta e saj është se edhe kur Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali mund të shquhej për qetësi, pajtim, moral dhe unitet sikurse shpesh përpiqet t’i gjejë fjalët e duhura propagandistike në fjalimet e saj që ‘çilen e myllen’ me frymë rilindëse si :“hap i madh përpara drejt realizimit të ëndrrës rilindase naimiane se për ne, shqiptarët, dielli lind nga perëndon”, për hir të aftësisë së inteligjencës njerëzore të çdo shqiptari, fyerja nuk duhet të na bjerë kaq poshtë. Një forcë politike që hipokrizinë e ka kthyer në art dhe kurrë nuk bëri apologjinë e krimeve të komunizmit, por ri jetësoi, bunkerët, piramidat dhe dhomat e torturave të tij nën trendin e “mrekullive” të turizmit shqiptar.
Për të mos e vënë në sedër ndërgjegjen e shqiptarëve me shprehje apo citate filozofike të shumë kërkuara në ksi rastesh, mjafton që t’i kujtojmë përmes historisë së pak viteve më parë gjithë secilit përgjegjësinë qytetare në demokraci. Mendojmë se duhet ta ndajmë pikërisht sot këtë gjendje; As në ëndrrën më të keqe për të gjithë ata shqiptarë që i provuan eksodet e viteve ’90-të, atë të Ambasadave dhe të largimit me anijet nga çdo port i bregdetit të Shqipërisë që lanë pas familjen, atdheun, rrezikuan jetët e tyre, nuk do ta kishin menduar se sakrifica për lirinë dhe pluralizmin po merret sot peng përsëri nga diktatura dhe parti- shteti policor.
Ku po shkon Shqipëri!
Me mijëra po largohen…
17 Tetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)