Dje, më 28 shtator, një gjykatë bjelloruse dënoi gazetaren Ksenia Lutskina tetë vjet për komplot antikushtetues kundër shtetit. Ish gazetarja e televizionit shtetëror u arrestua më 22 dhjetor 2020 pasi ajo përkrahu protestat e opozitës bjelloruse kundër regjimit të Lukashenkos. Gjyqi i Lutskinas filloi më 1 shtator. Autoritetet bjelloruse e akuzuan gazetaren se kishte “përgatitur, redaktuar, korrigjuar deklarata dhe apele të ndryshme” të Këshillit Koordinues, një organ joqeveritar bjellorus i krijuar në vitin 2020 nga liderja e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya, dhe në këtë mënyrë kontribuoi në “destabilizimi i situatës politike, sociale, ekonomike dhe informative në vend”.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Nju Jork, në një reagim të menjëhershëm, e cilësoi dënimin e gazetares një vendim që tregon pamëshirshmërinë e autoriteteve bjelloruse ndaj atyre që raportuan për shtypjen mbarëkombëtare pas protestave antiqeveritare të vitit 2020 dhe kërkoi që autoritetet bjelloruse ta lirojnë Lutskinën, së bashku me të gjithë anëtarët e tjerë të burgosur të shtypit, dhe të lënë mediat të punojnë lirshëm. Bjellorusia është burgosësja e pestë më e egër në botë e gazetarëve, me të paktën 19 gazetarë pas hekurave.
Situata e gazetares Lutskina bëhet edhe më e rëndë për faktin se vuan nga një tumor në tru dhe gjatë burgosjes gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) – (Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora – VABD) – proteston me vendosmëri ndaj terrorit që diktatori Llukashenko ushtron ndaj mediave, gazetarëve dhe ndaj çdo kritiku apo opozitari të regjimit të tij.
Ne iu bashkohemi të gjithë atyre zërave, në Bjellorusi, në Perëndim dhe kudo në botën e lirë që iu japin përkrahje gazetarëve në misionin e tyre të fjalës së lirë dhe iu bën thirrje të gjithë organizmave evropiane e ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve të lirisë së mediave që të dënojnë vendimin e regjimit diktatorial të Bjellorusisë ndaj gazetares Ksenia Lutskina dhe të kërkojnë njëzëri lirimin e menjëhershëm të saj, të kolegëve të saj dhe të gjithë opozitarëve që mbahen padrejtësisht në burgjet e diktaturës së Llukashenkos.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) kërkon unitet të plotë të të gjithë faktorëve të botës së lirë, në një front të përbashkët, për të mos lejuar nëpërkëmbjen, shtypjen, përndjekjen, padrejtësitë ndaj gazetarëve dhe njerëzve të mediave si misionarë të fjalës së lirë dhe të mendimit të lirë, si vijë ndarëse në mes demokracive të vërteta dhe autokracive e diktaturave, si bastion i kundërshtimit të vendosur ndaj çdo diktature dhe çdo diktatori.
Komentet