Nuk është asnjëherë vonë që dëshira e shqiptarëve në mbarë botën t’i mbledhë bashkëkombësit dhe ata të festojnë mes tyre pa trazirën e politikës trashëgiminë e gjuhës, kulturës, këngëve dhe valleve, kostumeve popullore aty ku jetojnë si edhe në Shqipëri, në shtetin Amë. Ky shkëmbim ka vlerë, respektohet dhe shijohet vetëm në demokraci.
Keqardhja të vjen se misioni i nisur dhe nga mënyra përjashtuese e ftesave të bëra përplasen si pakuptim dhe harrohet mesazhi për Shqipërinë, hapësirën mbarë shqiptare dhe për diasporën me emigrantë të hershëm dhe të rinj që prej kushteve të njohura janë detyruar për ta lënë vendlindjen e tyre.
Nderimi i parë sigurisht shkon për Arbëreshët miqve të ftuar në Tiranë vëmendja ndaj të cilëve duhej ndriçuar shumë, veçanërisht për “Horën Arbëreshe”, trashëgiminë gjenetike të prejardhjes Ilire, lidhjen më të afërt dhe të pastër të shqiptarëve si pasardhës të Arbërisë kur flitet për gjuhën dhe lidhjen e gjakut.
UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës) i kushton një vëmendje të rëndësishme lidhjeve të natyrshme të hapësirës shqiptare dhe asaj arbëreshe dhe përmes misionit të vet përpiqet të promovojë gjallërimin e lidhjeve kudo që ato shfaqen dhe jetojnë. Por në përmasat e një organizimi të tillë, i treti për nga radha kur politizimi zhgënjen shqiptarët dhe media e shndërron në një kongres politik, UGSHPD analizon të vërtetën dhe mbi bazë të disa argumenteve të tregojë pikërisht atë se ç’la pas Samiti i Tretë ” Dita e Arbëresheve”.
A ka nevojë diaspora të tubohet për një qeverisje të korruptuar?
Për të shmangur keqkuptimet do të sqaronim se protokolli nganjëherë i kalon vështirësitë dhe për diplomaci pjesëmarrja sigurohet, por ajo nga shumë prej miqve të ftuar ka mesazhet e nënvizuara për popullin shqiptar dhe që kurrë nuk janë kapital politik i qeverisjes së korruptuar që në forma mediokre e ka trajtuar diasporën.
Ku ishte protagonizmi i zjarrtë i Z. Pandeli Majko me Ministrinë e zjarrtë të Diasporës që u shndërrua në Agjenci?
Vështirë ta përcaktoje ish-ministrin edhe me një “panoramim të kameras” diku në qendër të sallës, pasi kontributi disa vjeçar i ministrisë dhe agjencisë u investua në krijimin formal të ambasadorëve të diasporës kudo ku ka përqendrime të mëdha shqiptarësh. Arsyeja e thjeshtë me pak përjashtime mbetet se diaspora i duhet qeverisjes për të blerë influencë për partinë në pushtet.
Mund të pyesnim se ku janë yjet e shkencës, artit, sportit shqiptarë nga diaspora që mund të ftohen për një bukuri të ngjarjes?
Ata mungojë sepse kushtojnë si yje. Karriera dhe puna janë investimi i përditshëm, puna dhe talenti i tyre është qindra herë më i çmuar se sa 48 orë propagandë në Tiranë. Në qoftë se qeverisja do të mendonte për yjet, prania e tyre do ta mbyste reklamën njohëse për turizmin, artin dhe sportin ashtu sikurse djemtë e kombëtares së futbollit kualifikohen për në Evropianin 2024, sepse moshën, energjinë dhe talentin ata ia japin profesionit dhe me zemër ja japin gëzimin dhe shijen e fitores edhe këtë herë Shqipërisë.
Po ku ishte spektri tjetër i politikës në përfaqësim?
Ju kërkojmë ndjesë se me politikë gjërat në Shqipëri ngatërrohen. Mund të ishte së paku mes një ftesë diplomatike që mund të drejtohej, e pse jo edhe ndonjë ligjëratë dhe fjalim. Por kjo në Shqipërinë e sotme moniste nuk ndodh. Nuk ndodh sepse diaspora shihet si kapital politik, diaspora është shpenzim vlerash konkuruese, mjafton prania e saj për shfaqjen që të shtohet investimi për të ardhmen.
Në atë pak analizë që bëjmë duhet pak më shumë kujdes. Ne miqtë i respektojmë dhe i nderojmë, por vlerat e tyre ruhen kur u thuhet e vërteta. Jemi shqiptarë dhe do të bashkëpunojmë kurdoherë. Jashtë kësaj formaliteti i qeverisjes në këtë samit mbetet një zhgënjim.
Tezat politike mbi gjuhën, ekonominë, turizmin, investimet, etj. u mbajtën nga figura kryesore të qeverisë, nga kryeministri e deri tek presidenti. U fol me “do të…”, për çdo plan dhe projekt, u fol me direktivë politike deri tek vota e diasporës sikur të ftuarit të merrnin pjesë në Kongresin e Rilindjes së PS. Asnjë aksion veprimi për të pranuar gjendjen e vështirë demografike, ekonomike, shëndetësore, arsimore dhe financiare të cilën si asnjëherë gjatë 33 viteve të tranzicionit po e përjeton vendi. Janë fjalime dhe citate politike të mirëfillta, programe të revizionuara, një ideologji jashtë realitetit që mashtron popullin.
Mesazhet propagandistike të mediokritetit dhjetë vjeçar të qeverisjes së korruptuar morën pjesën më të madhe në Samit dhe në panelet e tjerë (anekset), dhe në thelb treguan se kjo qeverisje nuk mbron konceptin e punës dhe i pronës private, liritë janë taksuar, ndrydhur dhe vrarë. Veprimtaritë strategjike të biznesit zhvillohen mbi bazë të lidhjeve nepotike, pluralizmi është mohuar dhe investohet për fasadën. Kështu që Familja Evropiane largohet sepse vendi po shpopullohet, popullsia po mplaket dhe pjesa e mbetur po varfërohet.
Si çdo herë shakatë dhe rrëfimet e ndjera kryeministrore “thumbojnë” pa vend.
Në një pjesë të fjalimit doli historia e jetuar e një djali emigrant pa emër të cilën për shpejtësi kohe duhet ta skicojmë. Rama tregon:- “ …një i ri emigrant prej një fshati verior shkoi për punë në Greqi. Ai flinte në pemë pranë vendit të punës dhe provoi për herë të parë në jetën e tij vaskën me ujë të ngrohtë. Kurseu, investoi dhe e bleu vaskën për ta dërguar në fshat që i jati tij të mos ndahej nga kjo jetë pa e provuar se çdo të thoshte një banjë e ngrohtë”.
Tre-katër minuta ky rrëfim i jetuar pati vetëm dy ndërprerje duartrokitjesh nga salla.
A ka më therëse kjo për jetë emigranti?
Po për mijëra të tjerë që detyrohen të largohen i nderuar kryeministër, a ka më therëse?
Është edhe një popullsi tjetër në fshatrat e thellë shqiptare që e din mirë se çfarë është diaspora, kanë lidhjet me anëtarëve të familjes që kanë emigruar për bukën e gojës e s’munden ta gëzojnë samitin tuaj.
E në qoftë se historia e vaskës është e shkuar në vite, po ju kujtojmë sot juve dhe qeverisë se në shumë fshatra malorë ashtu sikurse buka gatuhet në magje e piqet me dru për të shuar urinë, shumë fshatra malorë ende i lajnë rrobat në govata dhe buzë lumenjve e përrenjve, prej skamjes, infrastrukturës, ujit, energjisë dhe e kushteve të prapambetura të jetesës.
Këto janë pjesë reale e peizazhit të bukur natyror Shqiptar që apelon për industrinë e turizmit, por që selfi-et tuaja propagandistike nuk i kapin, pasi juve jeni të shtirur dhe të huaj deri sa ju vijnë zgjedhjet.
23 Nëntor, 2023
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionnels Albanaise de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGAPD)