Në krye lajmet e ATSH-s veç rasteve kur krerët e Rilindjes Socialiste shfaqen si të ishin qendra e vëmendjes për zhvillimet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, reklamat e ofertës së turizmit nga ana e qeverisë nuk kanë të ndalur e për pasojë jeta plot probleme e qytetareve me kërkesat më jetike është harruar. Ndër pesë, tre prej lajmeve të paktën janë “jehona” të mediave ndërkombëtare për pikat tërheqëse të peizazhit natyror shqiptar të cilat thuajse janë të padëgjuara më parë. Me keqardhje, por edhe e vetmja “e mirë” që vjen prej tyre është se tek brezi i moshës shkollore “shtohen” dijet që na mësojnë politikanët dhe elita e Rilindjes Socialiste sa sa e pa zbuluar është gjeografia e Shqipërisë, ku ndodhen burimet ekonomike, por edhe se ku ndodhet kufiri i varfërisë përmes çmimeve. Sa të shtrenjtë e ka bërë korrupsioni Shqipërinë dhe se shqiptarët mes këtyre mrekullive nuk e kanë “luksin” për ta vizituar, shijuar dhe jetuar. Vendasit shijojnë, shohin dhe hanë këto tre mandate propagandën që fsheh qartas mashtrimin dhe korrupsionin e përditshëm.
Realitetin e dukshëm të tatëpjetës kryeministri shqiptar Rama po e quan edhe shtrembërim dashakeqës, punë armiqësore agjenturash dhe etje e të paaftëve për t’ia marrë pushtetin nga duart.
Por le të ndalemi tek turizmi dhe propaganda të cilat janë kthyer në shprehjen më kontrastuese të Shqipërisë. Ka humbur çdo arsyetim logjik për të shëndoshur ekonominë. Sundon morali shtetëror për të trajtuar klientelën duke varfëruar dhe përçmuar shtetasit. Shtretërit dhe çadrat bosh në plazhe dhe hotele janë pasqyra e favorizimit të oligarkëve dhe e pastrimit të parasë ashtu siç ndodh me mijëra apartamentet bosh të kullave në kryeqytet dhe qytetet ku ka mbetur pak popullsi shqiptare. Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk ka fuqi financiare për të siguruar një ditë pushimi me bukë dhe çadër me vete sepse plazhet publike janë zaptuar për t’u përdorur dhe për t’u pronësuar nga më të fortët që u jep leje-liçencë qeveria me dy kërkesa të vogla bashkëngjitur. Ortakëri dhe vota kur t’i duhet. Çmimet e larta të sezonit janë reklama e përzënies dhe e nëpërkëmbjes së dinjitetit të vendasve. Këtë shkallë zhgënjimi e ka sjellë çdo ditë propaganda qeveritare si dhe mediat pranë saj të cilat në edicionet e lajmeve dhe emisionet televizive nuk shohin problemet, por lustrojnë realitetin. Shtetasit shqiptarë, qytetarë dhe fshatarë që digjen nga temperaturat e vapës, protestojnë për padrejtësi dhe kushte më të mira jetese, pune dhe mirëqenieje duke dalë në sheshe dhe rrugë nacionale. Ata përvëlohen nga çmimet, por edhe janë ngjitur pranë ekranit të Tv-ve për të pritur shpresën se diçka do të ndryshojë. Por e vetmja shpresë nuk vjen as nga politika dhe qeverisja, por nga parashikimi i motit si për t’u ngushëlluar dhe për kalitur durimin se kur kjo vapë dhe çmenduri ata do t’i lëshojë. Pra ato mendje të qarta dhe të ftohta që duhet ta marrin në dorë ndryshimin e gjendjes së vendit, të mund t’ju japin shpresën për të siguruar minimumet mbi varfërinë, vendet e punës, shkollat dhe spitalet, shërbimet që të kenë pak ujë më shumë, pak rrymë elektrike që të vihen në rrotullim freskoret sepse shteti ashtu siç e ka shtyrë deri tani me gënjeshtra do ta mbyllë administratën pasi e gjitha do të turret drejt lejeve të zakonshme dhe pushimeve të verës.
Kjo është jo vetëm një shkallë zhgënjimi që shoqëron gjendjen e jashtëzakoëshme të administratës me leje të zakonëshme, por është edhe një mendësi e mbrapshtë dhe e qëllimshme drejtimi qeverisës në mënyrën se si i orienton shtetasit e saj.
Jemi në harkun e një viti 2023-2024 ku Shqipëria thuhet se rriti turizmin nga 10 milion në 14 milion vizitorë ditorë, por ku shtrenjtësia e çmimeve e cila është disafishuar po tregon njollat e boshllëkut njerëzor në plazhe. Kjo po tregon atë që vendi nuk ka as politika, as strategji zhvillimi afatgjatë dhe qëndrueshmëri për ekonominë dhe turizmin si një pjesë e saj.
Kjo qeveri sheh dhe shpreh vetëm propagandën duke krahasuar nga sa keq në keq dhe mos më keq.
A vlen të përcjellësh gjestin e një pushuesi italian që braktis turizmin për shkak se çadra e tij kushtoi 300 euro?
A ja vlen të flasësh për promovimin taleban të turizmit i cili u rrit nga vetëm 691 në 2021 në më shumë se 7 000 vitin e kaluar?
Apo ja vlen të flasim seriozisht për cilësinë e vizitorëve ditorë dhe tranzitues të turizmit shqiptar që të largon nga mungesa e shërbimeve, shtrenjtësia e çmimeve dhe ndotja e kërcënimi i natyrës dhe gjallesës?
Qeveria Rama nuk do ndalet së numëruar pikë kalimet kufitare për të shpallur 2024 një vit tjetër të ri rekord në turizëm. Atij i ka ardhur koha ta shohë veten në pasqyrë sikurse edhe një vit më parë gazeta italiane “Libero” e pyeste:
A ju pëlqeu filmi “Lamerica”? A e njihnit Gianni Amelion? E vlerësoni atë?
Ky film u prit keq në Shqipëri, sepse ishte hera e parë që kishim para syve pasqyrën e atij që ishte vendi ynë dhe vetë ne në atë periudhë dramatike! Nuk ishim të bukur dhe të lumtur, si në pasqyrën e propagandës së regjimit, por të shëmtuar dhe të egër, siç na kishte lënë regjimi. Të shikoheshe në atë pasqyrë të pamëshirshme nuk ishte një përvojë e këndshme! Mua filmi më pëlqeu shumë dhe jam sherruar me miq që thoshin se filmi ishte poshtërues. Nuk ishte Amelio që na kishte poshtëruar, po ata që na kishin mbajtur për dekada në bunkerin me drita të rreme të regjimit më brutal komunist në Europë.
Dritat e rreme janë me po kaq vend edhe sot për korrupsionin e narkoshtetit më shqetësues në Evropë që promovohet prej turizmit dhe ku në të cilin do të ndodhë zbatica e popullsisë dhe e vizitorëve.
23 Korrik, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)