Kur vërtetë njerëzit janë të lodhur me diçka në për duar dhe në mendje dhe nuk ja dalin dot me zgjidhjet dëgjon një shprehje përpara se të heqin dorë “Eh, s’ke nga ta kapësh”. Më shumë se kurrë kjo i shkon qeverisjes së korruptuar që aq thellë është zhytur dhe ka ardhur koha që pas disa vitesh “kap ç’të kapësh!”, dikush pra drejtësia duhet të veprojë për ta vënë në rregull vendin nga kjo estradë me të marrë. Por ne duam po ashtu që edhe me dëshirën e së qeshurës dhe si për ta mbyllur me humor fund vitin veç “dhuratave” t’u tregojmë një ngjarje të vërtetë nga korridoret e Kryeministrisë. E përfytyroni atë 40-50 vite më parë, koha kur kumboi kjo e qeshur (la barzetletta). Ajo ishte fillimisht mes ekspertëve sepse udhëheqja vazhdonte fort ideologjinë dhe propagandën. E thënë shkurt në këtë hyrje të shkrimit ky rrëfim lidhet me; “Na ishte një inxhinier skandinav informatike që po instalonte makinat e para eklektrike me shumë veprime diku në zyrat e bilancit të shtetit. Gjatë provave teknike një nga punonjësit e aparatit ju lut inxhinierit të huaj që të formulonte një problem që lidhej nga detyrat dhe premtimet e Kongreseve të PPSH. “Të lutem – i tha punonjësi i aparatit, -pyete makinën se kur ne arrijmë në komunizëm? Të dhënat u futën dhe pas pak përgjigja doli, 75 km. Punonjësi rendi nëpër shkallë për tek zyra e shefit të tij për t’i dhënë lajmin. Komunizmi më afër se Shkodra dhe se Vlora në distancë prej pikës ku ai ndodhej”, pra në fund të 2023-shit 40-50 vite më pas në këtë godinë teknologjia dhe stafi janë sot të elektrizuar nga Inteligjenca Artificiale/AI “shërbëtori” që do t’i marrë shqiptarët për dore dhe do t’i shpjerë në Bashkimin Evropian (përgjigja më pas).
Si në revistë njëri pas tjetrit në ditët fundore të vitit 2023 ministra të ndryshëm të qeverisë kanë bilbiluar për bërë bilancin e suksesit dhe të arritjeve si dhe parashikimet për vitin 2024. Kjo mënyrë e sprovuar e propagandës nis aty ku edhe zhurma gjithëvjetore është bërë, përmes ATSH që e mbyll edhe me një kartolinë urimi.
Turizmi-Mjedisi, nuk pushohet me turizmin ku veç selfi-eve qeveritare dhe të vetë kryeministrit, nuk mbetet ditë pa disa shkrepje mbi peizazhin natyror dhe ku muaj pas muaji numri i vizitorëve në destinacionin më të lirë të botës, Shqipërinë e ngre në në 10 milion numrin e turistëve të mbërritur. Ndërsa sot pas kësaj hyrje-dalje 10 milionëshe njerëzore pika më e dobët që ngrihet është ndotja e ujërave në bregdet, liqene dhe lumenj. Se është shkatërruar qëllimshëm natyra e mbrojtur, betonizuar bregdeti dhe se veç masive pyjore që digjen aksidentalisht dhe kur fushat e plehrave digjen në mes të vapës dhe sezonit turistik, ky alarm nuk kurrë nuk shihet seriozisht nga qeveria. nga shumë sondazhe qoftë qyteti apo shteti më i preferuar nga turistët, Shqipëria, Tirana, Berati, Gjirokastra apo edhe qytetet bregdetare nuk i ndesh në kërkime dhe renditje kaq zhurmshëm sa qeverisja dhe organi i saj i propagandës ATSH-ja i bën kësaj “industrie”. Në qoftë se në Shqipëri 10 milion turistë kanë shpenzuar nga 100-euro për 4-5 ditë qëndrimi, do të thotë se në vend kanë hyrë 4-5 miliardë euro. Qeveria e zbut transparencën, duke e holluar tufën e lekut kur vetë kryeministri shprehet se “në 9-mujorin e parë vetëm nga turizmi Shqipëria ka përfituar 3.2 miliardë euro të hyra”. Ky krahasim me përafërsi ndoshta të krijon transparencën, por çmimet e kripura gjatë sezonit në shërbimet e hotelerisë, bareve dhe restoranteve po të mos ishin dyfish dhe po t’i besonim ndershmërisë së qeverisë të krijohet ideja se 10 milion turistët “kanë ardhë me bukë me vete”. (kujtoni në ato pak lulishte e pista dikur tabelën “Ndalohet sjellja e Shisheve dhe Mezeve nga jashtë”). Optimiste kjo fushë është madje dhe shumë premtuese. Diku në një tjetër sondazh ndër 50 vendet tërheqëse të natyrës së Evropës, Shqipëria është renditur e 42-ta. Natyra e mrekullueshme vritet nga, infrastruktura, ndotja, siguria dhe korrupsioni.
Bujqësia, cilat do të jenë premtimet e qeverisjes se investimet shkojnë tek fermerët pavarësisht se OLAF/ Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit pezullon 112 milion euro si masë parandaluese e keqpërdorimit dhe e përvetësimit të fondeve financiare të BE për bujqësinë shqiptare? Kjo për qeverisjen është çështje transparence, por për fshatin e shpopulluar, të lëvizur nga varfëria brenda dhe jashtë vendit ky tregues i frikshëm është shqetësuese sa toka e djerrë, toka e shkretuar dhe toka pjellore e pa kultivuar që shitet për përballuar falimentimin dhe varfërinë. Ky shqetësim qëndron më lart se sa propaganda e qeverisjes për agroturizmin, bujtinat, panairet e verërave, shtyrjen 6 mujore të shlyerjes së karburantit/naftës dhe importin e produkteve bujqësore ku bujqit vendas nga prodhues kthehen në tregtar shumice në tezgat fruta-perime. VKM shpëtuese për bujqësinë sipas ministres Denaj është se; “… të gjithë fermerët që janë aktualisht duke marrë disbursimin për naftën si pjesë e Skemës Kombëtare. Kemi kërkuar një shtyrje për një afat përgjatë 6 muajve të parë të vitit 2024, për këtë proces i parashikuar të mbylljen në 31 dhjetor 2023. Me qëllim që disbursimi i naftës të vijoj me ritëm më gradual dhe sipas nevojës së përditshme logjistike”. Pra kjo është Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi, sipas ATSH e cila është një fond shtesë prej 1.8 miliardë lekë të dhëna nga qeveria në tetor të këtij viti. Le ta shohim. Shifrat janë shkruar dhe firmat janë hedhur.
Arsimi, po kthehet në fyerje për publikun i cili gjithmonë e ka vlerësuar rolin e edukatorit dhe mësuesit. Por të arrish të ndash çmime “Mësuesi i Vitit 2023”, pa kritikuar gjendjen sikur të mos mjaftonte alarmi i Pisas, atë që Shqipëria të frikëson me prapambetjen dhe rënien në analfabetizëm duke u renditur e 65 ndër 79 vendet me -69 pikë prej 2018, kjo është flagrante dhe hi syve për çdo qeverisje që premton për më të mirën e vendit. Është më e lehtë të sundosh mbi atë që di shumë pak. Mbase herën tjetër shija do të jetë ndryshe kur OECD/Pisa do e zgjerojë rrethin dhe do të vëzhgojë ndërtesat shkollore dhe para shkollore se a do të jenë ndërtuar, për të mos numëruar fatkeqësitë e shkollave në fshatra e zona të thella, ku klubet kthehen në mjedise mësimi nga klasa e parë deri në maturë, me nxënës të grup moshave të ndryshme që u jep dije vetëm një mësues.
Strehimi, një fushë që trashëgon prapambetje urbane dhe që shoqërohet shpesh me emergjencat natyrore të përmbytjeve dhe tërmeteve, sot janë pjesa më e shtrenjtë e jetesës. Pronë apo qira, streha/apartamenti më modest dhe me kushtet minimale ka çmime blerje dhe kosto mirëmbajtje marramendëse për familjet e reja dhe popullsinë që dëshiron të blejë apo edhe të banojë përkohësisht në një zonë qytetase. Por duket se edhe për këtë qeverisja i shton shportës së vitit të ri premtime dhe propagandë. MFE/Ministria e Financave dhe Ekonomisë premton për shpenzimin e një fondi prej 320 milion lekësh për “banesa sociale me qira, përmirësimi i kushteve të banimit për komunitete të varfra dhe të pa favorizuara, si dhe streha të përkohshme”.
E si për të mos e lënë këtu shpjegimin detajet thellohen me disa interpretime interesante si program ku:
“përmirësimi i kushteve të banimit për komunitete të varfra dhe të pa favorizuara parashikohet financimi i projekteve për përmirësimin e infrastrukturës kryesisht në zona informale ku banojnë më shumë se 50 familje (kryesisht në zona të banuara nga minoriteti Rom), që janë në proces legalizimi, përmirësimin e infrastrukturës në zona banimi me mungesë shërbimesh si ujësjellës, kanalizime, ose ku këto shërbime janë të papërshtatshme; si dhe përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese për familje.
Zakonisht këto politika të zbutjes së varfërisë dhe strehimit nga qeveri që mbeten gjatë në pushtet, janë shkëmbimi i influencës me votuesin. Probleme që krijohen kur afrojnë zgjedhjet. Plotësohen disa kushte për disa të interesuar dhe ndikon mbi atë zonë me imazhin e një qeverisje që “përkushtohet dhe mban premtimet”.
Paraja, apo varfëria kjo është një nga ato çështjet nga vërtetë s’ke se nga ta kapësh. Por megjithatë në krye të operacionit kemi zv/kryeministren Balluku që përmes Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave deri në mesin e vitit 2024 do të kemi një strategji kombëtare të hartuar për të parandaluar dhe goditur pastrimin të parave dhe financimin të terrorizmit. Zotimi është premtues dhe urojmë që drejtësia dhe organet ligj-zbatuese ta çngjyrosin Listën Gri të Shqipërisë, vendndodhja sipas FATF-it. Por si shpjegohet tregun informal i parasë dhe forca e lekut shqiptar gjatë 2023?
Kjo është një pikëpyetje e madhe dhe sidomos kur propaganda lidhet me paranë dhe zgjedhjet afrojnë duke menduar për përjetësinë e partisë shtet. Paraja, Propaganda, Partia formojnë piramidën. Kufiri fundor i pushtetit. Historia e këtyre 30 viteve na tregon pikën e dobët të shtetit dhe të partisë-shtet, pa opozitë konstruktive se si shkojnë fatet e vendit dhe tatëpjeta e tij. Sikur të llogaritësh pa kursin aktual sa para lanë shqiptarët në firmat rentiere dhe sa para sot po abuzohet nga projektet ky krahasim është katastrofik. Mbi 200 mijë individë kishin depozituar 1.2 miliardë lekë. Para kursimesh, para nga emigrantët që ndihmonin familjet e varfëria, shit/blerje prone nga ethet për të fituar shpejt pa konsideruar këshillat e institucioneve financiare dhe pa njohur përvojat e tregut të lirë. Shqipëria kishte vetë 4-5 vite që po hynte në një tranzicion ekonomik dhe shoqëror. Kriza dhe xhepi i prekur i qytetarëve prodhoi kulmin e luftës për pushtet e cila përfundoi me përleshje dhe gati luftë civile. Shqiptarët me xhep të prekur/vjedhur, gjak nxehtë kuptuan më pas se dhunshëm dëmtuan demokracinë e shtetit të tyre.
Po sot sa është shuma e projekteve të abuzuara?
A mund të krahasohet korrupsioni i shtetit me humbjen e xhepit të qytetarëve të 1996-1997?
Ja pra përse drejtësia gjakftohtë dhe e pa korruptuar nga politika dhe krimi ka nevojë të punojë për të mbrojtur barazisht njerëzit, institucionet e pavarura demokratike, ekonominë, pluralizmin, që shtetasit të votojnë të lirë dhe ta ndjejnë se ata janë zoti i fateve të veta dhe që e drejtojnë vendin me të zgjedhurit e tyre dhe të mund të marrin frymë lirisht, të jetojnë të lirë.
Në mbyllje pa dashur të politizojmë teknologjinë në rast festash, ose të themi të nënvleftësojmë strategjinë e re të qeverisjes me Inteligjencën Artificiale/AI, i gjithëpushtetshmi godet më bukur se tregon me gisht tek idetë e sundimtarit. Dhe ne na duhet të pyesim se si vajti ai fati i kartolinës digjitale, zotimi i Ramës në Kongresin e PS për t’u lënë liderëve ndërkombëtarë, mbi tryezën e BE-së në Berlin, Gëzuar Vitin e Ri.
Propaganda na duket se heshti pasi nuk u bë as zhurmë dhe as humorin nuk e dëgjuam, por AI-në e morëm për fund vit si kartolinë të ricikluar. Shërbëtori digjital i e-Albania që jo thjesht me shkëmbim teksti, por së shpejti edhe me zë edhe me figurë. Në qoftë se 2024-a do të jetë viti i partisë-shtet, pra i diktaturës a ka qytetar të lirë që dëshiron t’i dëgjojë zërin dhe t’i shohë fytyrën një sistemi të ri mbikëqyrës së jetës private dhe të të dhënave. Mos harroni se tek e fundit duke u shndërruar në një sistem përgjimi, jeta, banesa, prona, profesioni dhe pikëpamjet politike veç shijeve të shumta, “Shërbëtori” ynë është “Patronazhisti Digjital”, i pa dukshëm, pa shpenzime dhe i kudondodhur për të ushqyer me çdo informacion shtetin dhe sundimtarin.
UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), ndryshe nga ngarkesa e shportës së korrupsionit të qeverisjes dhe kartolina e propagandës së partisë-shtet, ju uron thjeshtë dhe me zemër shëndet, punë dhe begati në familjet tuaja. Suksese çdo individi që çmon lirinë, respekton mendimin e lirë dhe lufton për mbrojtjen e së vërtetës.
Në mbyllje kurioziteti i pyetjes në korridoret e Kryeministrisë 40-50 vite më parë kur sot në fundin e vitit 2023 jemi përditësuar në Inteligjencë Artificiale, përgjigjes se partia-shtet ishte 75 km larg komunizmit dhe kjo e sotmja parti-shtet që nuk heq dorë nga trashëgimia e PKSH dhe e PPSH, por që i premton popullit BE. Përgjigja fatkeqësisht do të ishte dëshpëruese, por me humor ajo kalon .
Përgjigjen e gjeni edhe në kartolinën më poshtë.
(Përgjigje: Ju vetë me entuziazëm tregoni se nga njëri Kongres në tjetrin pra çdo 5 vjet, juve bëni i hap përpara. Pra jeni larg 75 km. E ndërsa mund ta pyesësh për BE-në Shërbëtorin Digjital, frika e përgjigjes me këtë parti-shtet që drejton është se jemi sa larg edhe anash rruge).
31 Dhjetor, 2023