9 dhe 10 Janari këtej nga diaspora me mënyrën se si mediat shqiptare i përcjellin lajmet për qeverinë dhe kur për fat të keq sinjali nuk të ndihmon me ngjyrat, të fusin përmes ekranit në një jetë bardh e zi shqiptare nga e cila të duket se nuk je shkëputur akoma edhe pse kanë kaluar disa dekada dhe se jemi në muajin e parë të vitit 2024. Realiteti paralel shoqëror të hedh në fillimet e viteve ’80. Vrojton si një dëshmitar okular jetën gri të Tiranës, jo prej dimrit, por pikërisht grinë e të njëjtit bulevard aty ku ndërtesat e stilit italian dhe sovjetik mbajnë një kryqëzim të vdekur automjetesh për nga lëvizja dhe të bien në sy ato pak makina luksoze të njohura si dikur ato “të byrosë”. Kur kjo bonte në sy, njerëzit menjëherë e krijonin idenë se kjo lëvizje kishte diçka urgjente që po ndodhte me qeverinë pak më përpara se sa lajmi të dilte në Revistën Televizive të orës 20:00 në TVSH. Ashtu në bardh e zi e në të njëjtën orë vit pas viti njerëzit po dallonin shpeshtësinë e urgjencave rreth KQ të PPSH (ishin vitet e serialeve të zbulimit të grupeve armiqësore), dhe u stërvitën me propagandën si dhe ndeshën më dendur fjalën plenum. Fillimet e 80-tës ishin vite kur rinia dhe popullsia e shkolluar e kryeqytetit me plenum nënkuptonte “ngrënie kokash”(PPSH-ja në fakt mblidhej për të përcaktuar detyra të rëndësishme politike, ideologjike, ekonomike, kulturore, ushtarake etj. dhe pastronte rradhët). Populli thuajse pashpresë vazhdonte një jetë gri, të varfër dhe monotone, të mbërthyer tërësisht nga errësira e izolimit dhe diktatura.
Kjo paranojë si atëherë edhe tani përjetohet nga një qeverisje të korruptuar, trashigimtare dhe po jetohet sot edhe me ngjyra në vitin 2024.
UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), duke monitoruar median jo vetëm gjatë fund vitit 2023 se çfarë ndodhi me përpjekjet për shkatërrimin e pluralizmit në Shqipëri, masën e arrestit në shtëpi të liderit opozitar pa prova dhe nën hetim, përpjekjen për ta shkatërruar opozitën në jetën parlamentare, si dhe ndër mes të tjerave heshtjen për Votën e Diasporës një vit para zgjedhjeve të përgjithshme dhe kur 1/3 e popullsisë shqiptare është e detyruar të lerë vendin, këto shprehin se demokracia është në rrezik dhe mund të zbulohet përmes kësaj analize sa më poshtë.
Kuvendi i Shqipërisë hyn në një sesion të ri. Opozita ka nevojë të marrë pjesë lirisht dhe të veprojë me plot ndërgjegje duke ushtruar forcën e fjalës, mbrojtjen e çdo argumenti pa u tërhequr nga çështjet që përfaqëson për zgjedhësit e saj. Mos respektimi dinjitetit të opozitës, në qoftë se ndodh do të tregojë se pluralizmi në atë Kuvend është shkatërruar dhe populli opozitar ja ka besuar mbrojtjen e lirive dhe të drejtave e tij, luftëtarëve të dobët që dorëzohen përpara dhunës verbale të mazhorancës dhe i nënshtrohen diktaturës.
Kjo do të jetë sprova dhe kriza e vitit 2024.
Por kjo vazhdon të mbetet edhe paranoja e qeverisjes për të mbuluar korrupsionin përsëri në këto ditë të para të vitit 2024 me format e ndryshimit të emrave në kabinetin qeverisë. 2024-a, mund të parashikohet edhe si viti më i vështirë i izolimit ndërkombëtar që do të ndeshë një qeveri e korruptuar e cila gabimisht ka zgjedhur rrugën e ndikimit dhe bllokimit të sistemit të drejtësisë. Shqipëria po e humb besueshmërinë si një shtet aleat që mbron liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në një sistem demokratik dhe në mos kur kriza dhe kaosi do të mund të provokojnë idenë e zgjedhjeve të parakohshme, tranzicioni i gjatë shqiptar do t’ia dorëzojë të gjitha pushtetet e pavarura një regjimi autoritar dhe më pas një diktatori.
Kronika me ngjyra e 9 Janarit, 2024 nisi me fokusin e kamerave tek autokolona dhe eskortat e kabinetit të qeverisjes socialiste (1 kryeministër, 16 ministra, 9 përfaqësues të kuvendit, 30 zv/ministra dhe 13 drejtorë), pra 69 vetë e bënë për dy ditë vajtje-ardhje, Tiranën drejt Shëngjinit (duke përfaqësuar me formën më të ngushtë të të kuptuarit se si shteti bën plane, programe dhe merr masa). Pra janë një grusht njerëzish të besuar politik që mblidhen rreth kryeministrit 11 vjeçar Edi Rama (pa llogaritur sekretarë, shoqërues, teknikë prapavije etj. etj.). Kjo është sot dora parti-shtet e cila përmes kaosit të kryetarit të qeverisë, ndjehet i lirë të bëjë çdo shkelje institucionale, të krijojë befasi dhe mungesa informacioni vazhdimisht. Një qeveri që prodhon kriza dhe freskohet duke “ngrënë papritur koka”. Në pamjet e para televizive ishin autokolonat qeveritare që fshihen në një resort bregdetar dhe “media-live” mbeti e thatë tek ulje-ngritjet e traut në pritje të ndonjë fotoje apo lajmi zyrtar që mund të dilte nga dyert e mbyllura të plenumit apo edhe ndoshta të mjaftoheshin me ndonjë ftesë formale për t’i ushqyer gazetarëve hamendësi, turbullira për publikun, ulje ngritjet e emrave dhe figurat e reja hyrëse, ato ekzistuese në dalje dhe të tjerat në të gjitha postet, që sot janë të frikësuar nga lidhjet e punës afër kryeministrit.
Kjo situatë Tiranë-Lezhë veç një tregimi “force” është dhe një imazh i qeverisë e cila bëhet për disa arsye. Ajo së pari lë në grup Tiranën, shkon në Shëngjin jashtë institucioneve shtetërore për t’ju treguar qytetarëve se kush janë ata që e udhëheqin Shqipërinë sot dhe sa zvarrë ky koncept po e tërheq demokracinë duke e justifikuar veten se ata janë elita e dalë nga zgjedhjet dhe kanë çdo liri për të bërë pa transparencë e kontroll dhe pa opozitë ligjet dhe vendimmarrjet. Sigurimi i “fitores elektorale” po projekton për Partinë Socialiste edhe një thellim sundimi deri në 2030-ën, pra edhe pas 6 viteve të tjera. Së dyti, kjo qeverisje kaq e zhytur në korrupsion është edhe e frikësuar sot dhe në të ardhmen prej opinionit publik dhe përpara drejtësisë. Byroja e PS-së po jeton me paranojën e përgjimit nga punonjësit me integritet të administratës dhe të institucioneve shtetërore. Prandaj zgjidhet resorti qeveritar i Shëngjinit. Paranoja e shtyn qeverisjen të bllokojë dhe çorientojë median dhe të jetë larg rrjedhjes së çdo informacioni dhe komenti brenda aparatit burokratik shtetëror. Së treti kjo situatë tentoi t’i shpjerë “sinjale të shpresës” ndërkombëtarëve se qeverisja Rama 4 mbetet e angazhuar dhe e hapur për çdo projekt dhe investim.
Në gjithë këto përdredhime që shiten si reforma të reja, duhet kuptuar edhe shumë-fytyrësia e administratës me shtetasit dhe ndërkombëtarët. Qytetarët e kanë parë tashmë të përsëritur këtë sjellje dhe propagandë si atëherë kur kryeqyteti do të priste ndonjë takim ndërkombëtar apo sa herë që afronin zgjedhjet (kujtoni tapetin e kuq përpara kryeministrisë sa herë afrojnë samitet dhe protokollet e lartë). Qeverisja mashtron dhe Shqipëria përmes mediave ushton me muaj përpara mbrapa mbajtjes së këtyre veprimtarive, priten shirita dhe shpiken festa në sheshe. Ndërsa për ristrukturimet më të fundme të qeverisë, elita socialiste vepron sikur se dhe plenumet. Janë ata si plenumi i Tepelenës pak kohë më parë dhe tani ai i Shëngjinit, vendet ku elita mblidhet me ditë dhe gazetarët mbeten tek trau duke pritur për ndonjë informacion, presin që të hamendësojnë për të vazhduar si çdo 6 muaj me kaosin. Asgjë nuk ka ndryshuar veç thellimit të korrupsionit, varfërisë, taksave dhe largimit të popullsisë. Retreat/Plenumet e Rilindjes janë kthyer si në vitet e Hoxhës dhe kjo elitë që pasurohet po ushtron të njëjtën frymë diktati mbi popullsinë duke shitur propagandë.
Edhe një ditë më vonë, dita e dytë e retreat/plenumit, e njëjta tablo. Një elitë e heshtur, 69 vetë përpara kryetarit që duart i kanë zëna me karton dhe celularë (gati për selfi-e), ndërsa të ndenjurat i kanë të ngjitura në karriget e kuvendit apo kolltukun ministror.
Tek sa mbledhja politike me dyer të mbyllura bëhej në Shëngjin, disa studio donin të zbulonin mes kaosit, rijësitë nga emërimet, idetë dhe frymën e re të ndryshimit, arritjet e 2023-shit dhe prioritetet e 2024-ës. Në njërën prej tyre Z. Blendi Klosi (Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste), u pyet se cila ishte porosia që doli apo u la prej shefit të tyre në ditën e parë*. Ai ndër të tjera shprehu se: – “Ne garojmë për të siguruar mandatin e katërt, por kjo nuk është arsyeja që ne ekzistojmë. Arsyeja se pse ne ekzistojmë është për të bërë më të mirën në këtë vend. Arsyeja që ne garojmë dhe përpiqemi për të ndryshuar veten tonë nuk është për të fituar garat me kundërshtarët, por për t’i shërbyer më mirë qytetarëve”.
A e kuptojnë shqiptarët brenda dhe jashtë në diasporës këtë nivel propagande edhe në vitin e 11-të, e cila rifreskimin e figurave që zëvendësohen në jetën politike të PS, nuk e sheh si të keqen e thelbit të partisë-shtet?
Por më tej Klosi shton se: –“Gramoz Ruçi ish-Kryetar i Kuvendit është figura më e rëndësishme e PS, burrë i nderuar. Pasi i fituam zgjedhjet ai u largua dhe jo si Sali Berisha që rrin e bën nga ballkoni dhe nuk e kupton që duhet të iki nga politika për të ndihmuar Bozon dhe kolegët e tij që të formonin një forcë normale opozitare…”
Pra PS, kjo forcë politike si askush tjetër dhe e njohur si trashëgimtare e drejtpërdrejtë e strukturës dhe e aseteve të PPSH i kushton edhe pas 33 viteve ndryshim të sistemit një vëmendje të veçantë pastrimit të opozitës? Pavarësisht se demokratët janë zgjedhësit dhe votuesit e saj dhe se ishin idetë demokratike ato që ndërgjegjësuan popullin shqiptar për ta ndryshuar sistemin. Vetëm ky krahasim bën të kuptohet se pse elita socialiste e sheh veten të gjithnjë e më të pushtetshme. Ajo e mbështet jetëgjatësinë e saj tani edhe në vitet e ardhshme me komodidetin e mos pasjes së një opozite ose pasjen e një opozite palë me pushtetin për ta falsifikuar pluralizmin dhe “një forcë” politike po aq të përfshirë në përfitime me detyrën e mbulimit të korrupsionit.
Deklarata e fund retreat/plenumit me median e Kryetarit Rama në Shëngjin, ishte edhe më tendencioze dhe që e thellon kaosin dhe krizën kur ai tha se: – “Jo nuk ulemi, ligji për komisionet hetimore … nuk e negociojmë me një grup shqiptarësh që kanë humbur modelin dhe janë në kërkim të modelit të tyre“, e kemi lënë enkas jashtë justifikimin e frazës së plotë (“Jo nuk ulemi, ligji për komisionet hetimore. Modelit gjerman i janë hequr komponentë shumë të rëndësishëm nuk e negociojmë me një grup shqiptarësh që kanë humbur modelin dhe janë në kërkim të modelit të tyre“), pasi kreu i qeverisë nuk shqetësohet për drejtimin e shtetit, por ai është më i shqetësuar për rolin e opozitës, jetën dhe veprimtarinë e së cilës as nuk e kontrollon dhe as nuk e josh më dot. Rama ka mbyllur përfundimisht ciklin e tij të përçarjes dhe blerjes politike. Mbulimi i korrupsionit mbetet paranoja me drejtësinë e cila do t’i përforcojnë më tej frikën e humbjes së pushtetit nga bashkimi i opozitës dhe rritja e ndërgjegjësuar e protestës qytetare.
Rama sot edhe pse kryeministër po ndikon me forcë në hartimin e ligjeve të reja favorizuese për shumicën në kuvend dhe përjashtuese për kundërshtarët, po tregon se po i tejkalon kufijtë e ushtrimit të përgjegjësive. Ai i është imponuar sistemit të drejtësisë jo vetëm me koston e humbjes së kohës (blerjen e kohës për vete dhe bashkëpunëtorët), për çështjet ligjore, por ai po luan një rol vendimtar deri në hakmarrje për izolimin, ndëshkimin dhe denigrimin e opozitës. Pikërisht për këtë shkak qytetaria shqiptare, rinia, mendjet e shkolluara duhet ta kuptojnë sot më shumë se kurrë rrezikun e rivendosjes së diktaturës në Shqipëri. Shqiptarët duhet të reagojnë pa i humbur liritë dhe të drejtave themelore të tyre. Me qytetari dhe protestë për mbrojtjen e pronës private, kundërshtimin e çmimeve dhe taksave të larta, mbrojtjen e prodhuesve dhe bizneseve vendas, për një cilësi më të mirë në shëndetësi, arsim dhe sigurinë e jetës. Qytetaria shqiptare proteston sepse këto janë premtimet e parealizuara gjatë këtyre 11 viteve.
Shumë nga mediat sot lajmet i kthejnë lehtësisht në propagandën që i intereson pushtetit. Studiot e tyre marrin emër për emër dhe lexojnë CV e kabinetit Rama 4. Të lësh jashtë shqetësimet e përditshme të jetës qytetare, problemet e saj, për formatin e ri të qeverisë ky është është një konceptim i medias që zbaton porositë e pushtetit. Protestat e demokratëve pas arrestit në shtëpi dhe pa prova të liderit Berisha, trajtohen rrallë dhe thumbohen ashtu siç e do qeveria.
Çfarë ndodh kur fjala e lirë dhe protestat burgosen?
Qytetarët kanë nevojë që me qëndresën e tyre të mbrojnë me ndërgjegje vlerat e demokracisë dhe paqes shoqërore duke vendosur para ligjit korrupsionin qeveritar. Një orë protestë e përditshme e një grupi sado të vogël mban sot simbolin e një ore jashtë burgimi, e një ore ajrosje dhe oksigjen që po i rrëmbehet frymëmarrjes së demokracisë për shkak të persekucionit politik. Këtë simbol të një ore oksigjen dhe ajrosje, shoqëria shqiptare nuk duhet ta harrojë ashtu sikurse mijëra të burgosurit politikë të kohës së komunizmit pa ju dorëzuar kurrë diktaturës. Kjo qëndresë duhet t’ia kujtojë rrezikun që po ju vjen shqiptarëve nga kjo elitë qeverisje, e pandreqshme nga korrupsioni e cila sërish pas 6 muajsh në mos më herët do të nxitojë me autokolona dhe eskortat e kabinetit dhe do të bëjë vajtje-ardhjet nga Tirana drejt një resort/plenumi të ri. Nxitim për t’ju përgjigjur kaosit dhe krizës sepse do të jetë frika e afrimit të zgjedhjeve. Elita shtetërore dhe politike shqiptare shkon në resort/plenumet ndoshta përsëri me 1 kryeministër, 16 ministra, 9 përfaqësues të kuvendit, 30 zv/ministra dhe 13 drejtorë nga listë prezenca, plot 70 vetë, të cilët do të përfaqësojnë qeverinë më të re të PS-s e cila siç pohohet sot arrin të drejtojë makinerinë politike të 5400 organizatave në bazë ose thënë ndryshe, “në 10 vite për nga organizimi dhe strategjia politike e ndjekur ka prodhuar mbi 1oo ministra, 180 kryetarë bashkie, drejton 54 nga 64 bashki të vendit”**, pa llogaritur sindromën e përgjimit patronazhist me shumë efektivitet pas zgjedhjeve të vitit 2021, me ndikim në zgjedhje dhe përmbysje të rezultatit në favor të shumicës në pushtet, por edhe pa numëruar ministra, kryetarë bashkie, politikanë dhe biznese klienteliste dhe nepotike që janë pas hekurave, arratisur në drejtim të paditur apo mes dosjeve që duket se nuk to të gapen kurrë.
A është kuptuar sot se mbajtja gjatë e pushtetit është kthyer në faktorin kryesor të lulëzimit të korrupsionit dhe asgjësimit të pluralizmit dhe demokracisë?
Natyra e ndotur politike dhe propaganda, ende nuk e lë të ngrihet si një alarm e largimin e popullsisë dhe të ritjes së varfërisë së shqiptarëve në këto 11 vite qeverisje që ka kapur çdo pushtet.
*, ** nga Euronews-Albania/Now. 9 Janar, 2024
11 Janar, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)