“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, është dokumenti i paharruar historik i vjeshtës 1990, koha kur studentët dhe populli shqiptar gdhendën idenë pa kthim drejt Demokracisë, në Bulevardin e Tiranës dhe pikërisht pranë Piramidës, aty ku ideologjia e diktaturës po mbyllej si “Xhindi në Shishe”. Thirrjet e forta “Liri Demokraci” nisën që pas rënies së Murit të Berlinit dhe ndriçuan fort shpresën për pluralizëm për të përmbysur një sistemin monist, fatkeqësisht një nga më të egërit që jetoi në Evropë për gati gjysmë shekulli.
Samiti i Berlinit, tashmë nëntë vjeçar, vjen në Tiranë, pas 33 vitesh tranzicion. Ai është një vlerësim për vendin organizator, por më shumë i parë jashtë tablosë festive të afrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor ai jep sinjalet se zhvillimi i Shqipërisë kritikohet për vonesa dhe me qëndrimet në vend-numëro drejt integrimit Evropian. Në qoftë se thithja e projekteve çalon prej një bllokimi që krijon shkalla e lartë e korrupsionit, faktori i parë i këtij ngadalësimi vjen prej keq-qeverisjeve dhe zhvillimi i mirëqenies së popullsisë konsiderohet problematik pasi vendi vazhdon të sundohet nga interesat e vogla përfituese të politikës.
Shqiptarët e duan integrimin, por për të mbrritur deri aty shoqëria demokratike kërkon përgjigjen e disa pyetjeve jashtë propagandës.
Pra a është vendosur dhe a jeton sot me plot frymëmarrje pluralizmi në Shqipëri përmes votës së lirë? A gëzohen liritë e individit dhe ideve në këtë vend? A gjallëron lëvizja e lirë e njerëzve dhe e pronës? A vepron shteti i të drejtës? A është e sigurt Shqipëria?
Këto janë disa nga çështjet që UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), do t’i parashtronte mes realitetit kur kryeministri Rama shpalosi shfaqjen e mirëseardhjes për mbajtjen e Samitit të Berlinit në Tiranë. Shenjat e mburrjes individuale kulmuan me shitjet formale të projektit të “Ri-jetësimit e Piramidës” dhe inskenimit “Abduction of Europe” brenda mureve të kryeministrisë, të cilat qëndrojnë shumë larg veprimit praktik të qeverisë shqiptare në një kohë kur vendi, rajoni dhe bota janë goditur nga korrupsioni, tronditja nga vatrat e luftërave shumë serioze për paqen dhe bashkëpunimin.
Në qoftë se propaganda e Ramës mendon se ky ishte fundi i tranzicionit dhe Shqipëria mund ta ketë vazhdimësinë e sigurt vetëm me lidershipin e tij në të ardhmen edhe në Evropë. Kjo duhet t’i kujtojë publikut frazën e njohur të Ramës për “njëmijë e një arsyet”, kur fjala vjen për mos marrjen e përgjegjësive të një shteti të zhytur në korrupsion. E përkthyer si një dobi propagande, imazhi dhe fasada moniste që po ndërtohet me këtë lidership pa konkurrencë, me opozitë të dëmtuar institucionalisht, pra pa pluralizëm kjo na rifreskon kujtimet e folklorit antik në përrallat e “Njëmijë e Një Netëve”, nga ku po të shkëpusnim “Llampa e Mrekullibërëse e Aladinit“, morali i fabulës shpreh “kujdes se çfarë kërkon”.
Monizëm apo Pluralizëm?
Evropa është shprehur shumë dhe shpesh duke i ofruar rrugët e bashkëpunimit Shqipërisë me partneritet të ndershëm, por më parë kur shqiptarët në politikë t’i hapin realisht rrugë pluralizmit. Të mençurohen që Xhindin Monist të mund ta futin prapë në shishe.
Mes morisë së lajmeve ndesh shpesh komente dhe qëndrime me këndvështrimet ndryshe për mënyrën e organizimit të këtij takimi pune mes ndërkombëtarëve në Tiranë. Ato shpesh shuheshin me shprehjet e pakënaqësisë që ne shqiptarët dimë vetëm kritikojmë.
Po, mes realitetit aty ku varfëria dhe emigracioni shtrëngojnë, aty është kritika. Atje në atë bulevard mes Tiranës, simbol kanë mbetur thirrjet e mbarë popullit për demokracinë. Askush si prijës i vetëm nuk ka më shumë forca se sa pa popullin e tij.
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” ishte dhe mbeti e para thirrje frymëzuese që çdo qeveri shqiptare e ka për detyrë ta kryej me përgjegjësi. Shpresojmë që Samiti i Berlinit me idetë dhe projektet pas dyerve të mbyllura të ketë siguruar njëherë e mirë edhe mbylljen e xhindit monist në shishe bashkë me korrupsionin në mënyrë që Shqipëria të mund të forcojë drejtësinë dhe të priret natyrshëm me demokracinë drejt Evropës dhe botës së zhvilluar.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)