Rasti i përplasjes i së Mërkurës në Komisionin për Edukimin dhe Mjeteve të Informimit Publik mes deputetëve të opozitës në prani të medias ka nevojë për një reflektim të thellë personal dhe ndjesë të arsyeshme publike në e lyptë nevoja në mënyrë që aksioni politik i opozitës të mos pengohet. Situata duhet peshuar seriozisht për anët etike që ka dhe duhet ta kapërcejë me qytetari dhe maturi lëndimin e shkaktuar mes palëve. Parlamenti si prodhues i politikës, përplasja tregoi se sa të skajshme janë pozitat që mbahen aty sot dhe pyetja që shtrohet për të ardhmen është se: – Kush del fitues prej saj?
Situata e përgjithshme tregon se gjatë 3-4 muajve të fundit socialistët në shumicë për shkak të protestave brenda Kuvendit të Shqipërisë prej opozitës së ndërgjegjësuar, ndjejnë rrezikun e krizës që buron nga instalimi i autokracisë. “Zgjidhjen” e pashmangshme të mungesës së debatit ata e kanë devijuar përmes zgjatjes së regjimit në jetën online. Më tepër se kurrë deputetët e mazhorancës po bëjnë butonin AI/Shërbëtorin e inteligjencës së kryeministrit. Ndërsa seancat fizike parlamentare janë kthyer në një mekanizëm nxitimi që punon me formulën K/M (karton për minutë), dhe me votimeve sa hap dhe mbyll sytë. Pra në vetëm pak minuta ligjet “shtyhen” me roje garde tek koka. Këto janë rekordet e reja dhe kjo situatë e jashtëzakonshme e krijuar brenda parlamentit (me përjashtim të protestave dhe votimit), justifikohet se mund të ushtrohet si e tillë vetëm në rastet e pandemisë ose luftës. Mazhoranca po jeton me këtë psikozë lufte dhe emergjence pasi mendjet e ndritura të lidershipit që kanë kapur çdo pushtet vetëm shtrëngim përcjellin. Asgjë veç panikut, propagandës dhe regjimit policor kjo qeverisje nuk mund të prodhojë për të maskuar korrupsionin.
Opozita ka nevojë të jetë e matur, qytetare dhe e vazhdueshme me presionin dhe aksionin e saj pa rënë në asnjë grackë dhe gjaknxehtësi. Ajo ka nevojë të bëjë me vete popullin duke e ndërgjegjësuar dhe jo duke e lënë atë viktimë të largimit nga vendi, të varfërisë, të përçarjes dhe të urrejtjes me të cilën e ushqen çdo ditë propaganda shtetërore. Rezultatet janë përfitimi i drejtpërdrejtë i partisë-shtet dhe jeta e parlamentit është prapësuar në monizëm politik.
Përsa Jeta parlamentare u kufizua thellësisht dhe u justifikua e dalë nga vota e lirë, bllokimi si e vetmja formë e rezistencës u transferua edhe me fillimin e sesionit të ri 2024. Vetëm dy seanca në ditët të një pas njëshme të rezistencës u deshën që precedenti i përplasjes të bëhej më i njohur, mos lëshues dhe përçarës. Këtu mbijeton pushteti Rama. Mungoi vërtetë protesta me tymuese dhe karrige të përmbysura në sallën plot truproja të Kuvendit dhe u njoftua minutat e fundit pjesëmarrja e presidentit të RSH (fjalimi i i unitetit të të cilit dështoi), por pankartat dhe zhurmuesit u bënë shprehësit real të mesazhit dhe rezistencës brenda pjesës më të madhe të opozitës që kërkonte respektimin e të drejtave kushtetuese. Ishin jo vetëm transmetimet e drejtpërdrejta në ekran, por edhe në sytë e misioneve diplomatike dëshmitarët okularë të ngjarjeve. Interpretimet e tyre janë pjesë e një tjetër analize.
E gjithë kjo ngarkesë solli ndodhinë e beftë të së Mërkurës, 17 Janarin me precedentin e pritshëm si një përplasje e zhurmshme dhe tejkalim normash etike mes deputetëve në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik. Shija e keqe nga pamjet live vërtetë të pakëndshme u amplifikuan në opinion më shpejtë se sa mund të kërkohej ndjesa qytetare mes kolegëve deputetë. Dhe e gjitha kjo shkoi në drejtim të ndëshkimeve që janë ashpërsuar me fuqi kartoni për sjelljen e një normaliteti në jetën e kuvendit, pra nën thundrën e mazhorancës e cila vazhdimisht projekton vitin 2030 duke nënkuptuar fitoren e saj të 2025. Ky moment i intereson pikërisht gjetjes së një situate për t’i shpëtuar krizës dhe këtë dhuratë demokratët po ja bënë shumicës socialiste. Skenat edhe pa koment i dhanë shansin PS që me gishtin e njërës dorë të tregojnë fajtorin/fajtorët dhe në sqetullën e krahut tjetër, PS të bëhej mbrojtëse e “të drejtave morale dhe politike” të asaj pjese të thyer të demokratëve (por të joshur pa dashur t’i quajmë ende bashkëpunëtorë), që sillet brenda rregullave të jetës së diktuar parlamentare për të mjaftuar me plotësimin e spektrit politik dhe të funksjonojë si një opozitë e butë. Por të rrish nën atë sqetull kutërbuese edhe pse të depiluar, të korrupsionit shumë shpejtë do të kuptosh se edhe pa qenë politikan, pa qenë opozitar je bërë vegël e pushtetit, ke pranuar regjimin jo demokratik. Lëshimi një komisioni demokratëve sa për sherr është skemë dhe jo veprim i opozitës në parlament.
Për sa ndodhi, kjo u pa, u dëgjua edhe me dy daljet e menjëhershme që palët e konfliktuara i hapën shteg komenteve dhe më gjerë. Flutura Açka- kryetare e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik dhe a nuk duket se do të kalojë lehtë pasi teza gjinore do të përdoret vazhdimisht si shembull në të ardhmen për personat dhe grupimin që ata përfaqësojnë. Gjaknxehtësia e dha rezultatin dhe pas daljeve që palët bënë Gazmend Bardhi nga njëra anë dhe Flutura Açka janë drejtpërdrejtë ushqimi i precedentit të krijuar, në qoftë se palët etikën e munguar dhe acarimin nuk e shohin në aspektin njerëzor dhe profesional për t’i kërkuar njëri tjetrit falje dhe për të lëvizur më tej aty ku problemet janë. Viktimizimi dhe etiketimet u përdorën gjerësisht në media dhe protestat feministe pa i ngrënë të drejtën do të jenë uji i ftohtë mbi palën që i mbetet faji dhe kjo po brenda opozitës. Pra opozita prej këtij incidenti po shmanget tek kryesorja që është hapja e rrugëve për komisionet hetimore në parlament.
Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik edhe pse rëndom quhet një komision pa peshë dhe kërkoi të zhvillohej me pjesëmarrje fizike si për të konfirmuar shembullin e normalitetit është shumë larg nga e vërteta dhe realiteti. Debati është ngritur tani se kush është i miri apo i keqi dhe është harruar se ashtu siç ky komision ka emrin aty janë edhe dy problemet e rezultateve më të ulta. Krahasoni monitorimin e Pisas dhe Medias Ndërkombëtare. Por këto nuk i kemi dëgjuar ende nga ky komision. Problemet harrohen dhe kërkohet të fitohet kapitali politik i përfaqësuesve të dalë nga vota e zgjedhësve. Analfabetizmi dhe mungesa e shkollave dhe nxënësve nga njëra anë dhe censura me propagandën e partisë shtet në shuarjen e dijes dhe të fjalës dhe mendimit të lirë.
Vetëm me 17 Janar grupet parlamentare të PS online që “jetojnë dhe punojnë si në rrethim” treguan me shifra se miratuan 9 Projekt Ligje, 3 Akte Normative dhe një seancë dëgjimore mbi përfaqësuesit e trupave diplomatike të RSH. Dhe kjo u propagandua dhe u hodh për konsum si punë. E gjitha kjo tregon qartë se e majta në pushtet nuk ka për të lëshuar aspak terren dhe normaliteti i jetës parlamentare me sesionin e ri nënkupton bindje dhe gjunjëzim të opozitës. Teknikisht ky është revanshi i pushtetit. Ai u ndie e çliruar pasi i hoqi mandatin liderit historik të PD, Sali Berisha dhe prej 30 Dhjetorit, 2023 dhe shijon pasojat që burojnë nga proceset ligjore dhe urdhrin e arrestit në shtëpi, një kufizim i skajshëm i drejtuesit të zgjedhur të opozitës dhe një shembull i forcës dhe hakmarrjes së pushtetit. Normaliteti është thyer. Në qoftë se media do të dojë ta analizojë temën si të tillë, kjo temë jo vetëm që i nxeh gjakrat, por e politizuar skajshëm ajo e bën opinionin publik të reagojë menjëherë si pro dhe kundër sepse janë ende të paqartë dhe të manipuluar nga proceset. Korrupsioni shmanget me çdo mënyrë dhe llogari dhënia e qeverisjes i shpëton perceptimit qytetar, perceptimit politik edhe brenda nuancave nga e djathta në të majtë, shtrirë në interesat mes demokratëve dhe socialistëve që duan liri, pronë, punësim, lëvizje të lirë.
Përbërja e parlamentit e sapo filluar me sesionin e 2024 që u rikthye me takimet online vazhdon të tregojë se Kuvendi do të punojë vetëm me dorën e majtë me kartonët ngritur, këtë e ritheksoi më herët me qëndrimet dhe dekretimet e tij edhe Presidenti i Republikës. Kaosi brenda Kuvendit të Shqipërisë, sqarohet jashtë me qëndrime përpara “një buqete mikrofonash” të mediave. Pra kartonët me turpëroja garde fitojnë mbi kaosin. Jeta e vendit tregon se po udhëhiqet pa opozitë dhe pluralizmi sot po kërcënohet me mos ekzistencë.
19 Janar, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)