Përse bashkë me Samitin e Berlinit që do të mbahet në Tiranë media përcjell paralelisht lajmin që kryeministri Rama do të përurojë Qendrën për Teknologjitë Krijuese me 16 Tetor, pra para nisjes së Samitit ?
Sa i shumëpritur dhe interesant që ky takimin i rëndësishëm ndërkombëtar përbën për rajonin ku udhëheqësve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor të cilit i bashkohen figurat qendrore të drejtimit të BE-së, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, media është tejet e elektrizuar për tërheqje dhe propagandë duke humbur fokusin mbi problemin.
Vetëm 5-6 ditë para takimit krejt pa kriter po ushqehen lajme ku televizionet dhe portalet garojnë se kush e kush duhet të zbulojë përmbajtjen e programit. Titujt plot tërheqje vëmendje hamendësojnë se kush mund të mos marrë pjesë apo kush do të shquhet më shumë duke harruar se vetë takimi synon raporte fqinjësie mes shteteve në një kohë kur ekuilibrat e politikës së jashtme janë goditur seriozisht prej vatrave të luftës dhe akteve terroriste. Pikërisht këtë rast të rëndësishëm mediatik UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës) e sheh si një nga mundësitë e rralla kur transparenca dhe vërtetësia e fakteve duhet të luajë një rol kyç jo vetëm thjeshtë për informim dhe pasqyrim, por pyetje të guximshme që mund të qartësojnë publikun në këto kohë të vështira brenda vendeve të tyre dhe ndërkombëtarisht.
Si vend mikpritës Shqipërisë i urojmë që takimi të nderojë dhe respektojë miqtë, por kurrë të mos lërë jashtë interesit temat e ndjeshme të politikës, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Vota në demokraci, liria e fjalës, besimit, emigracioni, arsimi dhe shëndetësia, abuzimi me fondet e BE në projektet bujqësore, shkatërrimi i mjedisit e mjaft çështje të ndryshme që i duhen Shqipërisë për të kapërcyer nga një tranzicion i gjatë.
Përpos kësaj atmosfere “të elektrizuar” të medias do të na duhej të sillnim një vëzhgim historik kur ngjarjet e rëndësishme si këto përplasen me data dhe prerja e shiritave përurues, përsëritet.
Ja se si mund ta përmblidhnim aksionin e qeverisë shqiptare me një përshkrim të shkurtër. Mundohuni ju si publik dhe si qytetarë të kuptoni se sa i rëndësishëm është përcjellja e mesazhit kur ndodh në një vend të gabuar dhe në datë të sforcuar. “Rijetësimi i Piramidës” ashtu sikurse ky projekt ka mbi dy vjet që zhurmon dhe paratë e materialet gjinden më shpejtë se sa për shtëpitë dhe pronat që godet tërmeti, të bën të kuptosh se kjo qeverisje mendon dhe punon për imazhin.
Çfarë do të mësojmë prej Samitit?
Është detyra e gazetarëve të punojnë më me guxim për të vërtetën. Qoftë edhe pyetja se përse nuk u gjet një datë tjetër?… kjo do ta kishte vlerën mes të tjerave më lart edhe për të kuptuar sensin e qeverisjes. Në qoftë se pas samitit, fiton kapitali politik i qeverisjes qendrore dhe vendore mbi Shqipërinë, atëherë të mos ankohemi për monizmin që e dorëzuam me mjete demokratike dhe me plot pluralizmit.
Edhe njëherë urojmë që ky samit të jetë frytdhënës për vendet pjesëmarrëse drejt demokracisë dhe paqes, por sa për vendin dhe datën dhe me këtë qeverisje të korruptuar “Rijetësimi i Piramidës” në vetvete i ngjan një tranzicioni me zgjatime diktatoriale.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)