Ishte një rast i veçantë në Lojërat Olimpike në Paris 2024, kur një fitues i pesë medaljeve të arta olimpike radhazi festoi në mënyrë sportive me trajnerin e tij dhënien e një përqafimi që të jep gëzimi i fitores dhe hedhja tuç ose shpatullat në shesh si triumfi i padiskutueshëm për sportin e mundjes. Emocionet e kubanezit Mijain López Núñez dhe të trajnerit të vet Raul Trujillo ende nuk kishin bërë njohjen e lajmit në botë kur ajo u kopjua në një mënyrë sa të varfër prej Veliajt dhe pasua nga shtirja hipokrite e politikës shqiptare e cila u kthye në propagandë. Kush e kush më parë i dha statuset; Rama, Begaj, Spiropali dhe Manastirliut për dy medalje bronzi në sportin e mundjes, pasi Veliaj pa u ndier fare u gjend në Paris.
Pra, kur sa pa iu rënduar ende në qafë medalja shqiptarëve të natyralizuar Valiev dhe Dudaev, nga kryeministri i pari dhe më pas deri tek kreu i bashkisë së Tiranës Veliaj secili prej tyre nxitoi me postimet personale që u afishuan plot vrull në ATSH, RTSH dhe kudo ku ka hapësira dhe ekrane pro qeveritare që të rritej cilësisht niveli i lajmeve të së Dielës e më pas.
Që suksesin e sportit duket se qeveritarët janë të parët që e politizojnë pa e lënë opinionin publik që ta bëjë të lirë vlerësimin kjo u duk edhe me dy medaljet e para bronz në historinë e olimpikut shqiptar ku pushteti nuk mungoi të jepte cilësimet dhe fjalët e zgjedhura;
Kryeministri, Rama:- “Ja edhe medalja e dytë olimpike në historinë tonë…Kush di të gëzohet le të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve…Kujt nuk di të gëzohet le t’ia njohim meritën e hudhrës që ia mban larg Shqipërisë syrin e keq”.
Presidenti, Begaj:”Islam Dudaev i dhuron Shqipërisë medaljen e dytë olimpike me një ndeshje fantastike. Faleminderit kampion”.
Kryetarja e Kuvendit, Spiropali: “Medalja e dytë olimpike! Mundësi i skuadrës sonë olimpike Dudaev, do të na sjellë prej “Paris 2024” një tjetër gur të çmuar në gjerdanin e sportit tonë, të Shqipërisë sonë”.
Ministrja për Arsim dhe Sportet, Manasirliu: “Krenarë për kampionët Chermen Valiev dhe Islam Dudaev që na dhanë emocione të jashtëzakonshme dhe ngritën lart emrin e Shqipërisë në arenën olimpike”.
Kryetari i Bashkisë, Veliaj: “Jam krenar për Tiranën kozmopolitane, shpërblim për tre garuesit mundës”.
Kështu duke filluar nga Rama të cilit i duket se shqiptarët veç halleve të ditës që mbajnë në jetët e tyre të vështira u duhet të gjejnë edhe kohë për të mbajtur qëndrime përqeshëse për sa ai thotë dhe mendon se një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk janë as si patronazhistët as edhe ndjekësit e tij në rrjetet sociale gjatë pushimeve të verës.
Por po kështu ideologjisë së Rilindjes Socialiste i duket se shqiptarët janë kritikues sepse janë të prapambetur pasi ata nuk arrijnë ta kuptojnë se çdo të thotë një kryeqytet kozmopolitan dhe po ashtu të mos e kenë kuptuar se janë bërë pjesë e një eksperimenti social-globalist që diktohet nga projektet me forcën e parave.
Pra këta kopjacë frazash që e shpallin me fjalë krenarinë kombëtare nuk kanë bërë edhe sot më të thjeshtën e zotimeve të tyre elektorale që kur kanë hipur në pushtet. Të furnizojnë të paktën me ujë dhe energji familjet e varfëra shqiptare, t’u sigurojnë një natyrë të paprekur nga zhvatja dhe një ajër të pa ndotur popullsisë dhe t’ua respektojnë më elementaren e më të rëndësishmen në jetët e shtetasve tyre të drejtën e votës në mënyrë që me vullnet të lirë shqiptarët ta zgjedhin vetë ndryshimin dhe zhvillimin.
Jo! Ky rekord ende nuk është shënuar.
Pikërisht prej pushtetit kjo elitë sot nëpërkëmb njerëzit dhe i mban ata nënshtruar jo vetëm me këtë lloj propagande “demokratike”, por në rrafsh ndërkombëtar këta politikanë të karrikes janë edhe përfaqësuesit shqipëtar të një karikature të republikës parlamentare e cila prej vitesh po lëngon nga korrupsioni dhe mungesa e një shteti të së drejtës.
Breshëria e figurave të hedhura sa më sipër nga shtetarët për dy medalje bronzi bëhet njëkohësisht edhe tallja me problemet e së përditshmes që kanë shqiptarët të cilët çdo ditë i humbin shpresat dhe largohen sepse nuk gjejnë kushte që ta ndërtojnë jetën e tyre duke punuar përditë. Statuset e shtetarëve janë një fantazi mjerane e ideologjisë dhe politikave që Rilindja Socialiste ka ndjekur me konsekuencë gjatë këtyre tre mandateve dhe kjo kotësi nuk ja vlen që të theksohet pasi e tërë përmbajtja e gjuhës zyrtare të shtetarëve noton në urrejtjen që buron jashtë konceptit të lirisë që kanë luftuar dhe duan njerëzit në një sistem me liri dhe të drejta të barabarta. Ky pushtet tregon se kujdeset sot më shumë për nënshtrimin dhe i mbulon faktet me të qenët politikisht korrekt dhe i fryn ksenofobisë për t’i fajësuar kundërshtarët edhe pse është kujdesur vetë për atë përshesh që po rrafshon vlerat e çdo traditë dhe histori shqiptare në emër të pak mburrjeje ndërkombëtare.
Publiku shqiptar tashmë është mësuar me këta pushtetarë që çdo aspekt të jetës së tyre në politikë e bazojnë në mënyrën se si të gjinden dhe të hidhen fonde për “zhvillim” dhe “sukses” për mandatet e qeverisjes.
Në rastin parë, kur kryeministri zhgënjimin për përfaqësimin kombëtar e sheh tek ata që e kanë mendimin ndryshe dhe duan ta ushtrojnë lirinë e shprehjes duke i quajtur “gjuhëjashtët”, ai harron se në rastin edhe të një disipline olimpike si futbolli ai dhe qeverisja e tij bashkë me federatat sportive ende nuk kanë sjellur projektin një ekipi olimpik shumë disiplinash për djem dhe vajza.
Por këta politikanë u treguan të gatshëm që atmosferën dhe popullaritetin falas që dhanë djemtë e ekipit kombëtar të futbollit dhe tifozët e zjarrtë me përfaqësimin në Evropianin 2024 dy muaj më parë, ta merrnin po ashtu si një kredi dhe kapital i qeverisjes dhe jo si një arritje e djemve shqiptarë kryesisht me gjak nga diaspora dhe me edukatë e disiplinë profesionale në sport që e duan kombin e tyre Shqipërinë dhe e brohorasin në fushë atë.
Në rastin e Velisë, çudia e parë erdhi sepse ai gjeti kohë t’i bashkohej Lojërave Olimpike në fund edhe pse, çelja shtyu edhe Kongresin Zgjedhor të Socialistëve. Por për të “shakaja e kopjuar” e tuçit të Sait Prizrenit (trajnerit të ekipit përfaqësues të mundjes), ka rëndësi për të përgatitur imazhin e një pushtetari që ka forcë, lëviz lirisht, teston SPAK-un me prezumimin e pafajësisë dhe justifikon shpenzimet e festave para dhe pas suksesit të dy medaljeve të bronzta dhe ku publiku ende nuk merr vesh dhe nuk kupton se çfarë vendi ky person zë dhe sa thellë në firmat e tij kanë shkuar për Përfaqësuesen Kombëtare apo edhe Klubin Tirana të Mundjes.
Sa për vlerësimet e tjera nuk ja vlen të zgjatemi pasi autorët e statuseve “Faleminderit Kampionë”, “Gurë Gjerdani”, “Shqipëria Olimpike” duam apo nuk duam ne ato që do të qarkullojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme në mediat plot hapësira dhe kohë bashkë me Shqipërinë Turistike që do t’i shtohen pas reagimeve të varfëra që deri tani kanë dhënë ndjeksit. Por prirja ideologjike e Rilindjes Socialiste duhet kuptuar edhe kur politika dhe paraja janë bashkuar me sportin. Në një shtet me korrupsion të lartë ato së bashku punojnë gjithnjë për t’i shtyrë kufijtë e pushtetit.
Vështirë të thash se Veliaj ishte mes halleve apo edhe jashtë imagjinatës për rezultatet që i dhuroi Parisi. Prej andej ai nuk hezitoi që të rrumbullakoste suksesin e binjakëzimeve bashkiake si edhe shërbimin që ai po i bën politikës së pushtetit duke e projektuar veten më tej në kohë, në Lojërat Olimpike të Los Angeles-it, 2028.
Pra pas katër vitesh po ky Veli, me një ekip shqiptarësh të natyralizuar pak më të vjetër në moshë, apo edhe të tjerë që ndoshta klasat sportive të kryeqytetit mbase do të thyejë rekordin e një bashkiaku të një kryeqyteti Evropian me popullsi të mplakur dhe kozmopolitan si Tirana e Rilindjes Socialiste që arriti të prodhojë.
12 Gusht, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)