Situata e Lirisë së Shtypit në Botë e Vështirësuar – Gazetarët përballë presioneve e kanosjeve fizike, shumëfishimit të propagandës dhe daljes së teknologjive të reja
Treguesi vjetor global i lirisë së shtypit, i publikuar nga Reporterët pa Kufi (RSF) më 3 maj 2023, jep një paralajmërim në përkeqësimin e gjendjes botërore të këtij parametri jetik të demokracisë.
Mesazhi i një grupi të gazetarëve të ftuar në takimin e mbajtur në Uashington DC për të shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ishte “Të mbrosh lirinë e Shtypit do të thotë të mbrosh gazetarët.” Konferenca vjetore 2023 shënon 30 vjetorin e krijimit të ditës kushtuar një prej lirive themelore të një shoqërie demokratike. Pasqyra e gjerë e gjendjes së lirisë së shtypit ishte tema qendrore rreth së cilës organizatorët Gazeta Washington Post dhe Reporterët pa Kufij sollën perspektiva dhe prezantime nga gazetarë të vendeve si Irani, Bjellorusia, Nigeria, Mianmari. Përvojat e tyre mbështeten dhe dokumentohen nga të dhënat e shoqatave monitoruese për lirinë e shtypit. Puna e gazetarëve është më me rreziqe dhe me më shumë rrezikshmëri se më parë. UGSHPD-ja bashkërenditet me shoqatat dhe organizatat që kërkojnë lirimin e kolegëve të burgosur në botë dhe garantimin e mbrojtjen e lirisë së shtypit si element jetik të demokracisë.
Në tërësi treguesi vjetor 2023 jep një paralajmërim në përkeqësimin e gjendjes botërore të shtypit të lirë. Rastet e ngjitjes në renditje të disa vendeve në Afrikë dhe në Evropën Juglindore nuk e kanë përmirësuar realitetin e vështirë të punës së gazetarit në këto vende dhe presionin ndaj lirisë së shtypit. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe organizata partnere që monitorojnë sigurinë e tyre raportojnë se numri i gazetarëve të burgosur në botë ka shkuar në 553 ndërsa 67 kanë humbur jetën. Këto shifra janë edhe më të larta në realitet, pasi një pjesë nuk arrijnë të raportohen dhe aty nuk përfshihen keqtrajtimet.
Sipas Raportit, Shqipëria është në vendin e 96-të për vitin 2023, nga vendi i 103-të që ishte një vit më parë. Por rastet e sulmeve ndaj gazetarëve janë shtuar dhe liria e shtypit në Shqipëri ka ardhur duke u cunguar vazhdimisht nën presionin e pushtetarëve dhe politikanëve. Reporterët Pa Kufij (RSF) pohojnë se “pavarësia editoriale në Shqipëri kërcënohet nga rregulloret njëpartiake dhe gazetarët bëhen viktima të krimit të organizuar dhe, ndonjëherë, të dhunës policore të përkeqësuara nga dështimi i qeverisë për t’i mbrojtur ato.” Në dallim nga Shqipëria, e fundit në rajon dhe me diferenca të rëndësishme, Kosova radhitet në vendin e 56-të, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë përkatësisht në vendet 38-të dhe 39-të.
Paraqitja e treguesve që përbëjnë Indeksin e Lirive të Shtypit, e publikuar në takimin e 3 majit, do tregonte vetëm numra dhe radhitje statistikore nëse nuk do ishin të pranishëm disa nga gazetarët që vënë jetën në rrezik për të informuar të vërtetën. Përforcimi i kësaj ishte edhe njoftimi i para pak ditëve se Laureatet e çmimit të Lirisë së Shtypit të UNESCO-s për vitin 2023 janë tri gazetare të burgosura nga regjimi i Iranit: Niloofar Hamedi, Elaheh Mohammadi and Narges Mohammadi.
Me paraqitjet e tyre folësit i dhanë hapësirë duke e sjellë portretin e shumë reporterëve dhe kolegëve të vendeve, të cilat nuk ishin fizikisht aty, por janë pjesë me rëndësi e gjendjes së lirisë së mediave në botë e paraqitur nga shifrat dhe renditjet e indeksit të publikuar më 3 maj. Ndër vështirësitë me të cilat përballen gazetarët dhe reporterët, spikatin presionet ndaj tyre, kanosja me burgime dhe eleminime, shtimi i mjeteve propagandistike dhe sfumimi i së vërtetës nëpërmjet teknologjisë. Përballë kësaj tabloje janë vendet me demokraci solide, të cilat caktojnë fonde që të nxisin fusha të reja mediale për të pasur shumëllojshmëri informimi dhe, paralelisht, sigurojnë mbrojtje ligjore për gazetarët të cilët punojnë në një mjedis ku ruhet dhe çmohet shtypi i lirë.
Ndër faktorët kyç për përkeqësimin e situatës janë: mosndëshkimi i regjimeve autoritare, që nxit agresivitetin ndaj gazetarëve dhe shtypit të lirë. Veç kësaj, përparimet teknologjike krijojnë mundësi abuzimi për regjimet, të cilat shpërndajnë shtrembërim të qëllimshëm të informacionit. Teknologjitë në zhvillim të tilla si AI – Inteligjenca Artificiale po përdoren me efekt si nga propaganda shtetërore ashtu edhe nga aktorë keqdashës për të shuar të vërtetën dhe për të turbulluar ujrat. Në të dyja rastet, qëllimi përfundimtar është mbjellja e mosbesimit ndaj mediave. “Zbehja” e së vërtetës sjell dëmin më të madh ndaj shoqërisë, pikërisht sepse mbivlerësohen platformat e kontrollueshme që, në bashkëpunim me pushtetin, shkaktojnë me kohë humbjen e besimit në dhënien e vërtetësisë së fakteve. Si për gazetarinë, ashtu edhe për jetën e shoqërisë, çoroditja e fakteve çon në diktimin dhe ndjekjen me zërin e një force të vetme politike dhe në sundimin njëpartiak.