Përshtypja e parë që të krijohet për sportin shqiptar ishte se; a mos vallë Europiani i Futbollit i thithi të gjitha energjitë?
Pastaj të shkon mendja se ndër vite skuadra olimpike shqiptare me pak sportistë është përfaqësuar. Mundja, peshëngritja, qitja, atletika së fundmi thuajse vetëm këto disiplina janë ato që e kanë përfaqësuar historikisht pjesëmarrjen. Për disiplina të tjera si futboll, volejboll, basketboll, tenis, ping-pong, kanotazh, hark, çiklizëm, artet marciale etj. megjithëse janë vënë re shenja talentesh dhe shkëndia premtuese në sportistë të veçantë këto sporte nuk janë gjallëruar deri në këto nivele.
Një tjetër gjë që të bie në sy në tetshen e sportistëve janë tre mundësit Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev, Chermen Valiev (përfaqësuar në mundjen amatore Dagestanin, Çeçeninë e Rusinë deri në vitin 2020), ata janë fitues të disa dhjetra medaljeve edhe prej katër viteve janë të angazhuar me Sport Klub Tirana dhe Shqipërinë. Pesë sportistët e tjerë janë kampionia e 3000 m/p Luiza Gega, Franko Burraj atlet në 100 m, Kaltra Meça dhe Grisi Konxhaku në not (200m dhe 100m stil i lirë), dhe Manjola Konini në qitje.
Përshtypja e fundit që vjen është promovimi i disiplinave sportive dhe i individëve për ta njohur publikun me këta sportistë para Olimpikut, pra pa e ushqyer sportin dhe ato pak arritje me propagandën qeveritare sa festive kur ka të tilla ngjarje për kombin, por edhe në prapaskenën gjithëvjetore ekonomike të projekteve për ngritjet e stadiumeve, qendrave sportive dhe akademive që kanë lindur si ide largpamëse pas disa mandateve në pushtet. Është një propagandë e mirëfilltë kjo sot pasi talentet po përdoren në dobi të shtytjes së politikave partiake, pushtetarëve dhe zyrtarëve burokratë për përfitime e deri në selfi nga ministra e kryebashkiakë. Pa e fryrë realitetin vetëm gjatë muajit Korrik u panë disa veprimtari dhe ngjarje. Kjo vërtetohet lehtësisht pasi Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu viziton sportistë elitarë apo Komitetin Olimpik, dorëzon flamurin etj. në prag të Lojrave të Parisit 2024, ashtu sikurse Kryebashkiaku Veliaj veç tyre merr kredi udhëheqësie kur thotë se: “Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, ka bërë çmos që ekipit tonë të mos i mungojë asgjë. Pjesa më e madhe e aktiviteteve do të ndodhin në qendër të qytetit, kështu që, edhe nga Bashkia e Parisit kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Bashkia e Tiranës ka kaluar një fond pranë Komitetit Olimpik, meqënëse kemi 75% të skuadrës, na takon edhe të jemi kontribuesit kryesorë”. Madje e përvetëson arritjen e klubit Tirona duke lëshuar një gjuhë tendencioze e hakërruese politike se sa ta shprehë qëllimin se po bën një detyrë administrative kur ai priste dy javë më parë kampionët e mundjes, sipas ATSH-s:-“Përtej përfaqësimit në skuadrën olimpike, përtej medaljeve, unë besoj se ngritja e flamurit të Shqipërisë – sidomos kur kemi njerëz që djegin atë – është ndoshta përgjigjja më e duhur se si shkon përpara vendi dhe se si i arrijmë gjërat me punë. Skuadra jonë është njësoj si Shqipëria, gjithmonë e më shumë kozmopolitane. Kjo do të thotë se për sa kohë që në Tiranë nga shtetësi të ndryshme, origjina të ndryshme, po prodhojmë atë që quhet skuadra e Tironës dhe skuadra e Shqipërisë, kjo do të thotë se edhe skuadra jonë olimpike do të përfaqësojë këtë realitet të Shqipërisë, të një Shqipërie që në vend që të ikin dhe të luftojnë për flamuj të tjerë, në fakt janë të tjerët që shohin se talenti i tyre mund të aplikohet në një skuadër si skuadra jonë olimpike”.
Nga gjithë ky kontribut dhe binjakëzim Paris-Tiranë, a do t’i mungojë Veliaj çeljes së Lojrave Politike?
Bileta vajtje-ardhje, Tiranë-Paris-Kongres, duket se ka kosto dhe në rradhët e elitës së Rilindjes Socialiste nuk janë që të gjithë njësoj!
Por kjo “qetësi” promovimi për sportistët të lë të kuptosh se edhe media deri në një farë mase nuk katreguar interes për sportistët që përgatiten çdo ditë dhe duan të garojnë, pasi një portret në media i një sportisti olimpik është një shpenzim. Edhe intervistat e thjeshta njerëzore me ta nuk prodhojnë sepse aty nuk ka as marketing dhe as përfitim politik si në rastin kur stadiumet mbushen me qeveritarë, me ambasada dhe me spektakle shkollore. Kështu pra që mënyra më e thjeshtë si për të shpenzuar më pak dhe pa e ndalur mundësinë e propagandës mund të shfrytëzohet nga Radio Televizioni Shqiptar, media publike. Ai bashkë me Komitetin Olimpik nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi për mbulim mediatik të veprimtarisë dhe ky kapitull është i mbyllur.
Pra shkallë-shkallë dhe pa fantazi ky lloj bashkëveprimi të jep të kuptosh se sa bukur administrata, zyrtarët, rrogëtarët dhe qeveritarët e luajnë topin kur flitet për menaxhimin e jetës sportive shqiptare.
Tetë sportistë iu drejtuan Parisit për të garuar në Lojrat Olimpike 2024, por kryeministri Rama ka pishtarin dhe samitin e vet për nga rëndësia. Ai është afër “finishit” politik për shkak të një propagande që është bërë qesharake. Asnjë shtrëngim duarsh apo motivim nuk gjen tek ai veç se butoni “share” i rrjeteve sociale.
Megjithatë si do që të jetë situata brenda vendit, ata sportistë kanë nevojë ta provojnë garën dhe të arrijnë më të mirën për suksesin e tyre. Ashtu si Shqipëria përfaqësohet me tetë sportistë dhe katër disiplina, Republika e Kosovës ka nëntë të tillë: Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka në xhudo, Donjeta Sadiku në boks, Gresa Bakraqi atletikë 800m, Hana Beiqi dhe Adell Saboviq në not (50m dhe 100m stil i lirë).
Në kuptimin e përgjithshëm Lojërat Olimpike janë trashëguar në shekuj gjatë mijëvjeçarëve dhe e kanë rritur popullaritetin si dhe dashurinë për sportin. Çdo komb dëshiron të përfaqësohet me një skuadër olimpike, por mes disa dhjetra disiplinave në gara, rekordet dhe medaliet Bronz, Argjend dhe e Arta janë ato që shpërblejnë më të suksesshmit. Ka ekipe gjigande në përgatitje dhe strategji ashtu sikurse ka edhe ekipe modeste me talente që shpërthejnë. Ditët e Olimpiadës së Parisit 2024 do të kenë padyshim karakteristikat e veta të këndëshme për sportistët dhe publikun. Vlen të kujtojmë se në tre edicionet e fundit në Lojrat Olimpike përfaqësohet edhe Ekipi Olimpik i Refugjatëve i cili ka 37 atletë që garojnë në 12 disiplina sportive (djem dhe vajza), që jetojnë në 15 vende të ndryshme të botës. Ekipi Olimpik i Refugjatëve i Komitetit Ndërkomëtar Olimpik përfaqëson më se 100 milionë njerëz të zhvendosur në mbarë botën për shkaqe të ndryshme ekonomike, shoqërore dhe natyrore. Megjithëse e kanë zbehur disi popullaritetin dekadat e fundit disa dukuri si bojkoti, dopingu, ryshfetin, pandemitë, luftrat dhe terrorizmie kanë vënë zhvillimin e Lojrave Olimpike përballë sfidave dhe polemikave të shumta. Çdo dy vjet, Lojërat Olimpike Verore dhe Dimërore përmes shpërndarjes vizuale e tyre në media u japin atletëve mundësinë për të arritur famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Lojërat gjithashtu ofrojnë edhe një mundësi që vendi organizator apo qyteti olimpik të shprehë mikpritjen dhe të jetë vemendja e botës intensivisht gjatë një muaji dhe më pas në historinë e vlerave dokumentare të Olimpikut në veçanti dhe soprtit në përgjithësi për mesazhe të paqes, dashurisë, zhvillimit teknologjik dhe shfaqjeve artistke botërore.