Një javë pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis dy kryeministrave të Italisë dhe Shqipërisë, nga Giorgia Meloni dhe Edvin Rama për zbutjen e fluksit të emigrantëve që zbarkojnë në Mesdhe prej Azisë qendrore, Lindjes së Mesme dhe Afrikës me synim BE, mediat e të dy vendeve dhe ato ndërkombëtare janë shprehur gjerësisht. Është e vështirë të peshosh në pak ditë të mirat dhe rreziqet që sjell ky veprim, por dy janë problemet kryesore që duhet ndalur dhe analizuar.
Së pari, një frenim, madje dhe një ngrirje të procesit për të kuptuar në tërësi dokumentin. Teknicienët të punojnë në letra dhe rezultatin ta paraqesin për t’i dhënë atij ndjekjen e rrugës së duhur ligjore dhe kushtetuese.
Së dyti, të hiqet dorë një herë e përgjithmonë nga “nxitimi” i procedurave të ekzekutivit i cili vë në rrezik sovranitetin e vendit dhe sigurinë kombëtare.
Ashtu siç u mendua të jetë dhënia e territorit Shqiptar nën juridiksionin e një shteti tjetër (në këtë rast Italia fqinje) dhe përpunimi mujor i 3000 personave (36.000 në vit), ky përbën precedentin e parë. Është një shkelje e hapur dhe pa pyetur popullin-sovran dhe për më keq nesër mbase ndonjë shtet tjetër i BE-së mund të kërkojë “territor shqiptar nën juridiksion” në qoftë se ai shtet do të përballet me një rritje të fluksit të emigracionit (të ligjshëm dhe të paligjshëm).
Pra pyetja që shtrohet sot dhe duhet sqaruar është; -A ka ndonjë territor tjetër në plan Shqipëria për ta lëshuar ndaj juridiksionit të një shteti tjetër?
Të dyja çështjet janë tepë serioze dhe mund të zgjidhen me një diplomaci profesionale. Ky shtet që qeveris për dhjetë vite e ka humbur seriozitetin dhe besueshmërinë pasi çdo “investim strategjik” po fermentohet nga korrupsioni i cili pasuron elitën qeveritare, lidhjet me politikën dhe favoret nepotike dhe klienteliste pa shkuar deri tek bota e krimit që e urdhëron qeverisjen e korruptuar.
Pra shtetasve u duhet t’u bëhet me dije dhe të mirë informohen pasi jetojnë në atdheun e tyre, në pronat dhe territoret e tyre dhe kjo shtrëngesë u bie si peshë mbi supe atyre së pari dhe që nuk mund ta kalojnë pa kosto dhe pa shumë sakrifica.
Në qoftë se qeveritarët dhe ajo pjesë e politikës janë interesaxhinjtë, ata nuk kanë asgjë të përbashkët me njerëzit e ndershëm ndershëm, pra me qytetarët e thjeshtë dhe popujt e me vendeve fqinje dhe ata të BE-së. Fatmirësisht me zhvillim modern dhe në këta plot 30 vjet të lëvizjes së lirë shqiptarët janë strehuar dhe integruar në botën e qytetëruar. Shete si; Franca, Gjermania, Belgjika, Hollanda, Austria, Spanja etj. ashtu sikurse dhe Mbretëria e Bashkuar jashtë BE-së, Zvicra si dhe SHBA, Kanada dhe Australia të gjithë këta janë shtetet dhe popujt miq që jo vetëm u janë gjendur për t’i ndihmuar në çdo kohë shqiptarët, por ata të gjithë së bashku përbëjnë atdheun e dytë të shqiptarëve të diasporës, 1/3 e popullsisë shqiptare që jeton dhe punon jashtë vendit.
Prandaj të precedentët duhen analizuar sepse veç frymës jo kushtetuese me rrezikshmëri kur kalon fshehurazi apo “i befasishëm” nga dora e kryeministrit, por kjo frymë naive me të hedhur duke shfrytëzuar kaosin e përditshëm të Shqipërisë ka bërë që plot shtatë ditë Kuvendi i Shqipërisë të heshtë,… Presidenti po ashtu me protokoll të heshtë, ndërsa populli veç vuajtjeve të çdo dite i duhet të hamendësojë si edhe më keq të paragjykohet nga sytë e analistëve të brendshëm dhe të jashtëm se mos ky popull është i pa zhvilluar, i egër, racist, jo human etj. e me dhjetra etiketime sikur të mos i mjaftonte për vete vështirësia ekonomike e çdo dite, kriza e një sistemi pa demokraci, largimi i popullsisë me moshë të re nga vendi për shkak të politikave shpopulluese dhe mungesa e fronteve të punës, pafuqia për të jetuar i sigurt për shkak të krimit, dhunës dhe të korrupsionit.
Me këto dy probleme kryesore që i sjell marrëveshja mbi thithjen e fluksit të emigrantëve (të ligjshëm dhe të pa ligjshëm), tema ka nevojë për debat, argumentim të plotë dhe këshillim ndërkombëtar në përputhje me kushtetutën dhe institucionet ligjbërëse dhe ligj zbatuese dhe me ardhmërinë. Meqenëse ekzekutivi e ndërmori këtë hap vetmitar-befasues, atëherë pa nxituar në konkluzione, debate dhe gracka të qëllimshme fjala t’i lihet kuvendit, presidentit dhe referendumit popullor në mënyrë që deri në pranverën e ardhshme pa u nxituar me kartën e anëtarësimit në BE, logjika duhet të udhëheqë dhe jo kapitali dhe përfitimi politik.
E kuptuar më ndryshe; firmosja e papritur mes dy kryeministrave ka një mungesë të theksuar sinqeriteti. Kur të gjithë me të drejtë në opinion pyetën për rrethanat, “figurat e dyta dhe të qeverisë së re më pranë Ramës”, përsërisnin gjatë javës të njëjtin refren. Sikur, procesi ka qenë i njohur që më herët,… ai u përforcua në Gusht 2023, … e majta shqiptare është aq pro evropiane saqë po rend vetëm të zerë vendet në BE dhe ta transformojë vendin dhe opozitën bashkë(?!).
Kjo mazhorancë po vuan dhe është tërësisht e nënshtuar ideologjikisht. E gjitha është shndërruar në mjetin më të fuqishëm të propagandës një partiake që përgjon popullin, dikton me forcën e kartonit dhe ka krijuar sigurinë për ta mbajtur përjetësisht në pushtet liderin global.
Brenda dhe jashtë vendit influencat për pushtet dhe për pikë elektorale i bëjnë qeveritarët e sotshëm të përkohshëm dhe intensivë në korrupsion dhe përvetësime. Shtetasit që ata drejtojnë, i kanë votuar. Pas mashtrimit dhe mos marrjes së përgjegjësive shteti demokratik funksionon vetëm me njohjen e ligjshmërisë dhe me zbatim tij, me llogari dhënien përpara zgjedhësve me programin elektoral të premtuar. Vota sërish do të vendosë.
Pas vështrimit të këtyre dy çështjeve UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), duke ndjekur me interes ngjarjet mbarë shqiptare tërheq vëmendjen e shtetasve shqiptarë si edhe të atyre që e gëzojnë dyshtetësinë për situatën më të fundit se të gjithë ata duhet të jenë të ndërgjegjësuar dhe të përgjegjshëm në këtë situatë shumë kritike të sigurisë kombëtare. UGSHPD e ka ritheksuar kritikën e vet, se qeverisja mediokre sot luan “solitare” me diplomacinë, ka humbur profesionalizmin dhe e ka asfiksuar Shqipërinë, dy shtetet shqiptare dhe mbarë hapësirën shqiptare kudo në diasporë. Gjendja e sotme është pasojë e keq qeverisjes 10 vjeçare dhe një opozite të dobët pa hapësira, pa fantazi dhe tejet e përçarë.
Ky Memorandum mbi zbutjen e fluksit të emigrantëve (të ligjshëm dhe të paligjshëm, i parashikuar me 36 mijë persona çdo vit), do të shkojë jo thjeshtë drejt mirëkuptimit, por do të shkojë drejt drejtpeshimit kushtetues dhe ligjor Shqiptar dhe ndërkombëtar.
Zbutja e fluksit të emigrantëve është ana njerëzore. Shpenzimi ekonomik, presioni politik personal dhe influencat e interesave deri në përfitime elektorale më tej kësaj, e humbin thelbin e sakrificës njerëzore. Shqipëria fatkeqësisht me vendime të njëanshme dhe të pa këshilluara ka treguar këto dhjetë vitet e fundit të tranzicionit 33 vjeçar, një degradim dhe korrupsion përmes projekteve. I numëroni fushat e plehrave që tymosin dhe ndotin pa inceneratorë funksional, infrastrukturën që përmbytet, po kështu projektet e sterilizimit dhe fondet e zhvillimit rural që tjetërsohen në përfitime monetare, shteti rrit borxhet, arsimi, shëndetësia dhe kultura po rrënohen, popullsia emigron, ndërsa shumëkatëshet e ndërtimeve pasi kanë ushqyer tregun informal mbeten bosh dhe të pa populluara nga pamundësia e fuqisë blerëse për t’u strehuar apo për ta pronësuar një apartament.
Shteti mburret me milionat e turistëve (8.3 milion për 2023), deri në dimër dhe propaganda elektorale nuk lë artikuj të shtypit ndërkombëtar pa e cituar arritjen se mjedisi, higjena, shërbimet, trafiku rendi dhe siguria janë pjesë e procesit për të përfituar shtetasit dhe bizneset dhe jo propaganda e partisë shtet. Mos harroni se qytezat bregdetare heshtin dhe shkretohen gjatë dimrit. Ato janë shenja të betonizimit të bregdetit dhe ku investitorët strategjik nuk pyesin për të kafshuar natyrën, bregdetin, aeroportet dhe portet.
Një port si Shëngjini mesa duket është piketuar për të zbarkuar emigrantët e (ligjshëm dhe të paligjshëm). Shëngjini, zona dy herë më shumë me sipërfaqe se Ishulli italian i Lampeduzës, si dhe aeroporti strategjik i Gjadrit sipas firmosjes së befasishme të memorandumit mund të kthehen në territore me juridiksionin e shtetit Italian për 5 dhe me gjasa shtese deri në dhjetë vitet e ardhshme (2024-2034).
Përmes shifrave oreksi i mazhorancës nuk bën më fjalë për zgjedhjet e 2025-ës.
Kur e sheh në sy të vërtetën dhe e shpreh atë mendohet se bëhesh i kuptueshëm dhe arrin t’i lexosh më mirë interesat e politikës dhe të pushteteve.
Në fund të trajtimit për të ndëshkuar naivitetin, pasivitetin e opinionit dhe çoroditjen propagandistike elektorale e cila pritet të futet në pështjellimet e cikleve të saja për zgjedhjet e ardhshme, na duhet të përsërisim edhe një herë thelbin e dy problemeve kryesore që parashtruam më lart:
1- Rruga ligjore dhe kushtetutshmëria.
2- Mos cënimi i sovranitetit.
Respektimi i tyre na jep të kuptojmë të vërtetën si dhe shkaqet e nxitimit të nënshkrimit të memorandumit Itali-Shqipëri.
Si shtetas shqiptarë dhe si gazetarë po bëjmë këto pyetje përmbyllëse pasi kuptohet se kjo do të jetë një çështje e hapur dhe kërkon mendim profesional, mendim të pjekur ligjor dhe mençurinë e opinionit qytetar të shëndetshëm dhe demokratik në mënyrë që shtetasit të ndjehen të sigurtë në vendin e tyre dhe me dinjitet në lidhjet me mbarë botën.
Pyetjet: Territoret nën juridiksion, pra qendra pritëse dhe kampi për emigrantët e (ligjshëm dhe të paligjshëm), a do të dallohen si institucione dhe ku emërtesat dhe simbolika e flamujve Italian dhe të BE-së bën dallueshmërinë?
Kush do të jetë pas Melonit, Shëngjinit dhe Gjadrit?
Në qoftë se këto do të ndodhin, atëherë socialistët me Ramën në ballë do të bëhen edhe më të pa parashikueshëm nga “prurjet dhe rijësitë” e projekteve e tyre.
Parulla zgjedhore drejt Evropës 2025 është; “Ta anëtarësojmë Shqipërinë në BE, me parcela humanitare”.
12 Nëntor, 2023
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionnels Albanaise de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGAPD)