Shqiptarët dhe të gjithë paqedashësit e vërtetë e kanë mirëpritur lajmin e sotëm për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar të Paktit të Atlantikut Verior NATO.
Në reagimin e menjëhershëm nga ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, u vlerësua se Kosovë është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në NATO, çka sigurisht do të ndikojë në stabilizimin e Ballkanit. Maqedonci tha se tani Kosova do të ketë të drejtë propozimi dhe komentimi të çdo procesi apo dokumenti që trajtohet nga AP e NATO-s.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke shprehur falënderimin ndaj partnerëve që me votat e tyre i dhanë sot mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s, pohoi se, në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë.
Siç ka thënë Presidentja Vjosa Osmani në 75 vjetorin e NATO-s, “Kosova nuk ndalet drejt rrugëtimit të saj për t’u bërë anëtare e aleancës ushtarake perëndimore; rrugëtimi drejt anëtarësimit në Aleancë nuk pushon, nuk lëkundet. Ne vazhdojmë të ecim përpara së bashku. Gjithmonë. Sepse NATO është fati i Kosovës. Sepse NATO është një zotim për brezat e ardhshëm se ata do të trashëgojnë një botë më të sigurt.”
NATO-ja është në Kosovë prej një çerek shekulli, që në pranverën e vitit 1999. Në kuadrin e Misionit KFOR, ajo garanton sigurinë dhe paqen në Kosovë duke ndikuar kështu fuqishëm në stabilitetin e rajonit nga më të ndjeshëit të gjepolitikave të sotme. NATO po luan rol vendimtar në përgatitjen e Ushtrisë së Kosovës për t’i plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësimin e saj në Paktin e Atlantikut Verior. Kosova në NATO është domosdoshmëri nga më urgjentet për të shuar çdo shpresë dhe çdo shans të ndonjë revanshi millosheviçian në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) përshëndet avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar të Paktit të Atlantikut Verior NATO, arritur sot në Sofje, siç përshëndet çdo zhvillim tjetër që, duke forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, frymëzon çdo faktor paqëdashës dhe përparimtar dhe dekurajon çdo faktor luftënxitës e destabilizues në rajon e më gjerë.
Urojmë nga zemra që Republika e Kosovës të jetë sa më parë anëtare me të drejta të plota e Paktit të Atlantikut Verior (NATO)!
27 Maj 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)