VOAL- Pasi ndoqi me vëmendje zhvillimet e seancës së fundit plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD), shpreh qëndrimin e tij kritik kundrejt qeverisë dhe forcave politike me mënyrën se si ata po e përcjellin krizën që po përfshin Shqipërinë. Ka vend për qetësi dhe marrje përgjegjësish nga të gjithë faktorët në mënyrë që të respektohet shteti i së drejtës, demokracia dhe qytetaria që kërkojnë shqiptarët.
Fuqia e kartonit të shumicës së majtë në kuvendin e politikës shqiptare tregoi qartë edhe sot thellimin e krizës së pashmangshme dhe të gjithanshme.
Me cinizëm ajo kaloi ligje edhe ditën e fundit dhe “punoi” me orë të zgjatura për të krijuar kushtet e një qetësie artificiale duke u justifikuar me periudhën e pushimeve.
Ku po shkoni o “përfaqësues të popullit” me kaq ngut?
Ku po e lini vendin të zhytur në borxhe dhe prej kujt po fshiheni?
Mosmarrja e përgjegjësive nga skandalet e korrupsionit që po shtohen çdo ditë është e vërteta përpara syve tuaj?
Mos iu fshihni të vërtetës dhe mos heshtni përballë gjendjes së jashtëzakonshme që është krijuar.
Shqipëria dhe shqiptarët nuk e kanë humbur shpresën edhe sot kur ju, në mënyrë mashtruese, po talleni duke respektuar standarte dhe ligjin pa e kuptuar se kjo gjendje e jashtëzakonshme është kthyer në një thirrje dhe alarm, pasi keni prekur në nervin e qytetarisë duke pritur që të nxisni dhunë për shkak të fshehjes së korrupsionit dhe zhytjes në varfëri të vendit.
Është e kotë që vegjëlia e zhgënjyer nga vota që ju “dha” të blihet përsëri nga kjo që po ndodh. Populli ndjehet se është mbushur me neveri dhe urrejtje, sepse zbuloi mënyrën e pasurimit tuaj me anë të grabitjes së vazhdueshme. Në këta dhjetë vjet ju ngritët në sistem hajdutërinë dhe njëkohësisht e mbuluat me demagogji e gënjeshtra naive.
Meqenëse jeni në prag të ikjes me pushime, ju lutemi të mbani në konsideratë dy-tre gjëra, që kur të ktheheni të keni kuptuar se keni fyer qytetarinë e këtij vendi.
Mosmarrja e përgjegjësive të korrupsionit, heshtja dhe fshehja nga frika se po i shërbeni respektimit të ligjeve dhe drejtësisë fakton më së miri shprehjen e njohur se : “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
Shfletoni dhe lexoni gjatë pushimeve tuaja Martin Luther King me “Letër nga Burgu i Birminghamit” shkruar 60 vjet më parë. Aty do të gjeni durimin, rezistencën thirrjen për ndihmë dhe veprimin që do të ndërmarrë vegjëlia, atyre që ju ua keni marrë votat.
Protesta qytetare ka arritur kaq pjekuri sa nuk mund të mashtrohet deri sa të dalë përfaqësuesi i duhur i saj. Ju politikanë të pazotë dhe të pandershëm shkoni dhe shijoni pushimet, ndërkohë që popullit vetëm diçka tjetër i mbetet : T’ju tërheqë vemendjen për sot se çfarë harruat ose latë pa bërë së paku për veten tuaj.
Tek sa me karton kaluat kanabisin, shkritë albanologjinë, fyet studentët, rishpërndatë tokat bujqësore dhe u kujdesët edhe për tregjet e frekuencave, pra pushtuat ajrin, ujin dhe tokën si pronë e juaja, e ortakëve dhe e pasardhësve tuaj, përse nuk menduat edhe njëherë për një tjetër gjë për veten.
Në qoftëse mendja nuk ju shkon që të shikoni se sa lart ka shkuar korrupsioni, ju me urgjencë duhet t’i ktheheni seancës parlamentare dhe të miratoni me 100% të kartonave një ligj për rikonstruksionin e burgjeve.
Ky nuk është kërcënim dhe populli që ju voton do t’ju përshëndesë. Pasi do të jeni të parët që do të keni vlerësimin e ndërkombëtarëve për plotësimin e një qendre VIP për vuajtjen e dënimit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Gionalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGPAD)