Nuk ka thjeshtësi më të madhe se sa t’i kuptosh se sa vlerë kanë premtimet politike nga gjendja e atij që nuk ka para për ta mbyllur muajin.
Ky është marketingu politik i elitës, ku pushteti kontrollon bazën e anëtarësisë, ndikon tek simpatizantët dhe mohon vlerat e kundërshtarit të cilat japin si rezultat rivendosjen e sistemit njëpartiak me një lider autoritar që rrezikon pluralizmin politik.
Partia Socialiste si e “vetmja parti që ka në dorë drejtimin e Shqipërisë drej BE-së 2030 e përtej”, e përdorur shpesh nga ligjëruesit dhe vetë kryetari Rama janë pikërisht rreziku që kjo propagandë po ushtron mbi popullsinë e zbrazur nga rinia shqiptare.
Një kongres si ai i PS në mes të vapës së fund Korrikut, 2024 u përpoq të shiste ofertat e shumë mesazheve brenda dhe jashtë vendit, por ato u shkrinë si një kallëp i vogël akulli në gotën bosh nën rrezet e diellit të drekës.
Padurimi për të mësuar ndryshimet në qeveri apo edhe zhvendosjet-emërime u prit me stuhinë e sikletshme që prodhuan erashkat 1330 delegatëve që shuan kurreshtjen me emrat të panjohur nga karriera politike e PS, në listën e kryetarit Rama.
Duartrokitjet për çdo ligjërues në kongres ishin shprehja e aprovimit dhe jo e pakënaqësisë nga shoqet dhe shokët e rienergjizuar delegatë të partisë pa dallim moshe. Ndërsa propaganda, imazhi dhe krahët që e rrethojë Ramën pas këtij kongresi përbëjnë shqetësimin më të madh të zgjedhjeve të ardhshme dhe janë mësime që ndërgjegja qytetare dhe fshatare e vendit ashtu sikurse edhe opozita duhet të marrin nga këto zhvillime.
Saktësia e shifrës 100975 anëtarë aktivë të PS e përsëritur disa here është një tregues i presionit organizativ që bëhet ndaj kundërshtarëve tradicionalë dhe forcave opozitare që nuk i shohin shpresat e rrotacionit politik i cili është projektuar nga elita e Rilindjes Socialiste edhe për një mandat të katërt.
Për ta mbajtur pushtetin kaq gjatë do të thotë të kesh kapur drejtimin e çdo institucioni dhe të personalizosh çdo ndryshim në emër të nevojës së reformave të cilat nuk shfaqin asgjë më shumë se përuljen ndaj një autokrati.
Do të ishte me shumë interes për publikun që analistët e medias të mos merreshin me batutat dhe shkëmbimet e thumbave cinike të kryetarit socialist, por me thelbin e Kongresit Zgjedhor të Rilindjes Socialiste i cili e çeli dhe e mbylli muajin Korrik me pasionin e Ramës për nekrologjinë. Ai për t’i marrë famën forcës së fjalës sikurse edhe e ka humbur atë që prej errësimit nga etja për pushtet nuk mundetë gjejë më forca që ta depilojë oratorinë politike 80 minutëshe në kongres nga shprehjet vulgare në mes të delegatëve dhe në qendrën e dhjetra kamerave.
Këshilla do të ishte po nga fjalët e tija:-Mos i kërko më ndjesë prapanicës kur të ndjesh shqelmin e votës!
Është një fatkeqësi që edhe në mes të një takimi politik kaq të rëndësishëm videoklipet e ministrave të pranishëm në sallë dalin si top-hit-et e zhvillimit shqiptar, një realitet që i ushqehet sallës me delegatë sikur ata të mos e jetojnë përditë realitetin e dhimbshëm të vendit.
Sa ka kushtuar kjo paketë mediatike për infrastrukturën, energjinë, turizmin, mjedisin, bujqësinë, ekonominë dhe kulturën e cila po shitet si ëndër e Evropës 2030 dhe jo e zgjedhjeve që vijnë, 2025-ës.
Përmendëm në pak më lart idenë e reformave dhe rienergjizimin që e sheh kjo forcë politike vetëm në përgjegjësitë e saj dhe plaga korrupsion po përdoret e transformuar si një zotim politik në togëfjalëshin antikorrupsion dhe mirëqeverisje të cilin e ndesh në mesazhet propagandistike që qëmton ATSH-ja kur shkëput fjalimin e Fatmir Xhafajt: -“ne kemi kryefjalë sundimin e ligjit dhe kjo ka përcaktuar në esencë vetë ADN-në e PS-së”.
Nuk ka përzjerje më të gabuar se sa politika me shkencën e biologjisë kur lodhesh për të nxjerrë fjalime të vështira dhe që do të keqkuptoheshin kur cilësohet ADN-ja e Partisë Socialiste. Në qoftë se do të ndiqnim një kod trashëgueshmërie do të shkonim në muajin Qershor të 1991, kur PPSH dorëzoi stafetën duke përsëritur atë që ndodhi në Nëntor të 1948 kur u bë trashgimtare e PKSH.
Pra në 83 vite histori kjo frymë rikthimi në sistem njëpartiak po rrezikon pluralizmin në Shqipëri.
Këto data historikisht duhen nënvizuar sepse bashkë me inflacionin e fjalimeve ato po e çorodisin brezin e ri përmes propagandës. Një rrugë e gabuar për ta kuptuar demokracinë, ekonominë e tregut të lirë, lëvizjen e lirë që dalin nga vota e lirë, për shkak se kjo propagandë tenton të rrëfehet si reformë e antikorrupsionit dhe mirëqeverisjes që realizohet për interesat e një partie që ka mbi 11 vite në pushtet.
Kur mendojmë se kemi një shoqëri ku sundondrejtësia dhe të gjithë shtetasit janë të barabartë përpara ligjit.
Duke shkuar një hap pas 28 Korriku, 2024 është ADN-ja njëpartiake që mban të burgosur kundërshtarin politik në ditën e 209.
Burgosja dhe goditja e kundërshtarëve politik është shprehja e një regjimi totalitar për të cilin shoqëria shqiptare ka nevojë më tepër se kurrë ta kuptojë.
28 Korrik, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)