Statuse kalimtare, ose përkujtim ngjarjesh dhe datash që institucionet hedhin dhe jo histori mbi armët e vërteta me të cilat trimat legjendarë si Gjergj Kastrioti kanë mbrojtur lirinë Arbërore.
Është interesant fakti mbi jetën dhe lavdinë e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Vjet ishte edhe viti i Skenderbeut dhe mbarë diaspora e përcolli me veprimtari dhe me heroin legjendar në zemër tubuan aty ku jetojnë dhe simbolikisht të bashkuar emëruan rrugë, shtatore dhe sheshe (kujtoni Nju Jorkun, Usterin, Staten Island me Ismail Qemalin etj). Por çfarë ndodh realisht me qeverinë, shtetin shqiptar dhe Akademinë e Shkencave, shkollat, pushtetin vendor, Krujën dhe vetë Kryeqytetin Tirana që e ka një shesh me emrin Skenderbej? Këtë sot është vështirë ta thuash sepse dita përkujtimore po kalon. Shtetarët tanë janë të gjunjëzuar përpara burokracisë dhe kapjes së pushtetit dhe përfitimeve dhe një horizont bashkimi dhe ardhmërie për vendin mungon thellësisht.
UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), i kujton shqiptarëve kudo ndodhen nderimin e përzemërt dhe respektin pë prijsin legjendar të kombit të tyre Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Historia ka folur dhe vazhdon e flet për legjendën dhe mbrojtësin e Evropës. Kjo është krenaria e trashigimisë dhe ndjenja e të bërit pjesë në Evropë. Shqiptarë të patrembur dhe të pashpërbërë në trojet e Evropës sikurse konica e quante “Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore”. Këtu kemi dinjitet, peizazh natyror, burime pasurie, bekimin e zoti dhe më pas fuqinë për të bërë edhe diplomaci në na e dashtë puna.
Duke e kthyer këndin nga pushteti dhe propaganda ju të nderuar lexues mund t’i referoheni sot ATSH (Agjencisë Telegrafike Shqiptare- Propagandës së Pushtetit), e cila në dy lajme si dy pika uji e vë në dyshim inteligjencën e lexuesit.
Ta analizojmë dhe ta marrim të mirëqenë burimin. Njëri ilustrim luftëtari dhe kjo i shkon postimit të presidentit dhe tjetri një fushë ore, pak artistike që i rri për shtat artist-kryeministrit. Deri këtu asnjë gjë të keqe sepse janë shije nga propaganda. Por për fat të mirë në qoftë se do të pyesnim “shërbëtorin”/inteligjencën artificiale shembulli do të na ilustronte tekstin e thatë, të ftohtë si “copy-paste” në mos një “investigim gazetaresk” se a e ka Rama në koleksioni e tij këtë orë si patriot, apo e bën copy paste duke bërë “shoping-online” përmes “shërbëtorit”. Kjo mund të jetë edhe një pyetje e bukur ndoshta për fotoreporterët e faktit dhe të lajmit që shkrepin me qindra çaste dhe çdo detaj për personazhet.
Po e lëmë këtu pa hamendësuar më tej. Kjo markë e kufizuar ka prodhuar pak dhjetra orë dore. Blerësit online orën 18 karat flori e shohin me një çmim nga 25-30 mijë dollarë. Faqja online e prodhuesit kishte pëlqimin e mbi 15 mijë njerëzve megjithëse prodhimi i kushtuar 555 vjetorit të vdekjes së heroit ishte i kufizuar.
Pa dashur të bëjmë të tjera krahasime apo reklamë produkti vlen të kritikohet akrepi i sekondave i cili është një shpatë otomane, nga ana e kundërt e tehut. Arti deri diku deformon historinë kur i referohesh Armëve të Skënderbeut në Belvederë në Vjenë.
17 Janar, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)