Krahasimi i shifrave për votën e diasporës në këtë shënim lidhet me atë se çfarë na dha etapa e parë e regjistrimit pas datës 4 Mars.
Janë 245,975 shqiptarë jashtë shtetit të cilët do të mund të marrin pjesë në votimin e 11 Majit 2025, kur zarfi prej KQZ do të niset me postë (8-16 Prill), në adresat e tyre për mbushje dhe për t’u rikthyer më pas në Tiranë brenda afatit, ora 19:00 e datës së zgjedhjeve.
Por më shumë se 48 mijë shtetas që e provuan aplikimin u refuzuan për pasaktësi dokumentacioni. Gjë që tregon se dëshira dhe përgjegjësia e qytetarëve/shtetasve e dhënë nga Gjykata Kushtetuese dhe Kodi Zgjedhor për të ushtruar të drejtën e votës mbetën të pafuqishme karshi teknikaliteteve dhe koha e kufizuar që politika dhe burokracia e administratës i krijuan të gjithë procesit.
Të kënaqura ose jo nga numri i pjesëmarrjes dhe justifikimi se kjo ishte hera e parë, shifrat nga KQZ, partitë politike dhe media treguan edhe disa karakteristika të tjera për kureshtje sikurse
ishte edhe renditja sipas shteteve me;
1- Itali 148,178 (40.6%)
2- Greqi 103,421 (28.3%)
3- Gjermani 36,546 (10.0%)
4- SHBA 24,130 (6.6%)
5- Mbretëria e Bashkuar 20,657 (5.7%)
6- Franca 6,847 (5.7%)
e kështu me rradhë 84 shtete.
Por ajo që ndoshta ja vlen të ndalesh mes kësaj përzierje propagandistike numrash dhe të mund ta krahasojmë atë ndryshe për të kuptuar interesin dhe llogaritë e politikës është sjellja e një shembulli se si një ishull si Kreta-Greqi ka më shumë vlerë për vjeljen sasiore të votës se sa shumë shtete të SHBA-ve e shtrirë në kontinentin e Amerikës së Veriut ku diaspora shqiptare është jo vetëm numerike, por me moshë mbi një shekullore dhe e kultivuar në vlerat dhe shtet ndërtimit, patriotizmit dhe demokracisë.
Shembulli i ishullit dhe kontinentit vlen edhe për Evropën sigurisht pa dashur të zbehim vlerat e një diaspore me moshë relativisht më të re gjatë 3-4 dekadave të fundit në disa shtete të BE-së.
Pra SHBA, aty ku pa frikë mund të thuhet se jetojnë mbi 1 milionë shqiptarë (nga prindër ose njëri nga prindërit shqiptar), kanë mundësi të përfaqësohen disa dhjetëra herë më pak në këto zgjedhje edhe se sa Kreta, ku emigracionit të ri vetëm në tre-katër vitet e fundit i është vënë në shërbim një infrastrukturë elektorale shembullore.
Themi shembullore sepse ata janë të gjithë shtetas shqiptarë pa dashur të bëjmë ndarjen e përkatësisë politike apo dëshirën se ku ata do ta drejtojnë votën në parim për të kuptuar vazhdimësinë e një qeverisje apo ndryshimin. Ndryshe nga ideja se si vota influencohet në kushtet e Shqipërisë pa rotacion në 12 vite sikurse edhe kur po cenohet ekzistenca e pluralizmit leximi i drejtë do të ishte; Vota e diasporës a është një votë për vazhdimësinë e një qeverisje të korruptuar apo për ndryshimin?
Kreta sipas makinerisë elektorale të Rilindjes Socialiste ka histori. Atje për shembull shihet edhe interesi për një rendiment rilindës-socialist të votës mund të shpjegohet nga deklaratat e fundit të operativëve politikë në përgatitjet e vizitës së tretë të Ramës në Greqi me 29 Mars. Edhe skema e zbatuar gjatë tre katër viteve të fundit e cila ja vlen të monitorohet nga specialistët e interesuar për integritetin e votës së zgjedhësve, nuk ka se si që të mos shihet me më shumë vëmendje si zhvillim në një kohë kur Taulant Balla (drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën), nga Greqia drejtohet: “Të dielën jemi në Athinë me kryeministrin në ‘Elinikos Kosmos’, ndërsa të shtunën, një ditë përpara, në orën 18:00 do ta ndezim Hanian në pallatin e sportit, ku do të takohemi me të gjithë bashkatdhetarët pa dallim: të majtë, të djathtë, të qendrës, të gjithë. Ju presim të gjithëve”. (sipas ATSH).
Në Kretë ajo që ka ndodhur në të vërtetë vitet e fundit është interesante dhe mundet një rast studimi.
Qeveria e Rilindjes Socialiste vazhdimisht ka investuar me regjistrimin, dokumentacionin e deri në mbledhjen e statistikave që do të mund t’ia kishte zili Census-i i INSTAT-it që përpunimin e të dhënave e dha pas tetë muajsh.
Po sipas informacioneve të ATSH-s duke iu referuar edhe arkivës së saj, regjistrimet dhe plotësimi i dokumenteve ngjan me “ekspedita dinjitoze”, për të paracaktuar drejtimin e votës në kuti.
Pyetja që do të shtrohej në këtë rast do të ishte që;
-Si ka mundësi që Kreta, pra shqiptarët në Kretë të mbulohen me kaq vëmendje thuajse ndryshe nga të gjithë shqiptarët në shtetet e tjera të botës ku edhe informacioni edhe ndërgjegjësimi për të votuar ka qenë aspak agresiv për të siguruar pjesëmarrjen që me herën e parë të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve ku Diaspora Voton?
Në të vërtetë Rilindja Socialiste ka realizuar fushata parapërgatitore që i kanë shërbyer edhe zgjedhjeve të mëparshme. Interesante është se propaganda dhe investimet janë bërë në emër të ideologjisë dhe jo qytetarisë (shtetësisë), si e drejta për të zgjedhur dhe u zgjedhur.
Shumë kujt mund t’i kujtohet angazhimi i ministrave të jashtëm Olta Xhaçka dhe Igli Hasani me projektin “Ishulli 2023″* dhe “Ishulli 2024” që gjatë këtyre dy viteve arritën të pajisin përkatësisht 860 dhe 900 shqiptarë me dokumente biometrike dhe shërbime konsullore pranë vendbanimit. Një projekt që kishte filluar diku rreth vitit 2019-2020 dhe shkoi deri në Irlandë (!).
Por përse ky interesim i pjesshëm që diferencon shërbimet për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit?
Dihet mirë që shërbimet konsullore dhe ato të ambasadave janë të ngurta, me personel të pakët, madje të pa financuara në këtë drejtim dhe deri diku pa peshë dhe formale.
Ndërsa në shtetet e mëdha të perëndimit ku me qindra-mijë shqiptarë janë shpërngulur dhe e ndjejnë nevojën për ta përfituar shërbimin, ky shërbim sikurse të ishte menduar për t’u ofruar qoftë edhe pesë vjet më parë një punë e ndershme për shtetasit të paktën do të ishte bërë.
Mesa duket fondet dhe dekurajimi i pjesëmarrjes janë më të rëndësishme për pushtetin dhe mbajtjen gjallë të konfliktit të përjetshëm të politikës.
Në thelb po sipas propagandës dhe me dobinë e ideologjisë së Rilindjes Socialiste, Taulant Balla që përsërit pa ndryshuar batutat e Ramës-kryetar si të ishin teza të një programi për të tërhequr votuesit nga diaspora na zbulon se çfarë roli kanë shifrat dhe se sa i rëndësishëm është investimi i Rilindjes Socialiste kudo në diasporë me ngjashmëri skemën e Kretës:-“Itinerari në Kretë të Greqisë do të fillojmë me takime në Hania një ndër qytetet më të mëdha të Kretës ku jeton një komunitet i madh shqiptar. Në gjithë Kretën jetojnë sipas shifrave rreth 35-45 mijë shqiptarë të cilët kanë një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të këtij ishulli…”
Pra rilindësit janë të pa përtuar sigurisht për 34-35 mijë shqiptarë në ishullin e Kretës dhe tashmë pak nga pak prej pesë vitesh presin të vjelin frutet/votat. Ndërsa për shqiptarët e një shteti si SHBA në një kontinent me popullsi shqiptare të ngjashme në numër, por edhe më shumë në shtetet si Nju Jork, Pensilvani, Miçigan, Illinois, Uiskonsin, Masaçusets, Kënektikat, Florida, Teksas etj. e duke shkuar edhe më në perëndim drejtë Kalifornisë shërbimet konsullore dhe ambasada janë të paarritshme dhe përpjekjet mjaftohen për rastin e zgjedhjeve të 11 Majit me ofrimin njoftimin e tillë:
“Të nderuar qytetarë,
Ju informojmë se Zyra Konsullore në Nju Jork, për të përmbushur kërkesat e qytetarëve shqiptarë, që jetojnë në territorin e SHBA-ve, do të ofrojë shërbimin për pajisjen me pasaportë dhe/ose kartë identiteti edhe ditët e shtuna, duke filluar nga data 08 shkurt 2025 deri më datë 31 korrik 2025.
Orari i ofrimit të shërbimeve do të jetë nga ora 09:00 deri në ora 14:00.
Ju kujtojmë se shtyrja e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve aktuale është e vlefshme ë ë , ë .
Kjo shtyrje për udhëtime, shërbime konsullore apo procedura të tjera që kërkojnë dokument identifikimi të vlefshëm.
Për më shumë informacion lutemi kontaktoni Zyrën Konsullore në Nju Jork: Adresa: Consulate of Albania, 320 E, 79th St, New York, NY 10075 Tel : (212) 255-7381
Si mund ta krahasojmë të barabartë në numra një ishull dhe një kontinent në këto zgjedhje duket sikur kjo është çështja?
Pra administrata shtetërore punon me një skemë dhe ka një fokus të ndryshëm ose mban standarde jo të njëjta për shtetasit në lidhje me pajisjen e dokumenteve biometrike.
Kuptohet se shërbimi konsullor ka nevojë për investime që të arrish kërkesat dhe nevojat e shtetasve të tu shqiptarë qytetarë të botës, që kanë lirinë e lëvizjes, gëzojnë dyshtetësinë, jetojnë dhe punojnë nëpër botë, kanë prona dhe investojnë, por kanë edhe ndjenjën për ta ndihmuar vendlindjen dhe zhvilluar vendin e prejardhjes së tyre. Por me këto zgjedhje si të 2025-ës, serioziteti kur mund të bëhej një Census shkencor dhe një data bazë model e mirëfilltë që do t’i ndihmonte të ardhmes së kombit, standardi dhe pritshmëritë mbeten të ulëta dhe zhgënjyese në interes të përfitimit politik nga pushtetarët.
Informatika, interneti, e-albania, inteligjenca artificiale etj. mbetën terma të shprehjes së propagandës dhe të politikës, të medias dhe të analizave në shërbim të politikës pa konstatuar thelbin e problemit dhe pa shtruar kërkesat për zgjidhjen e tyre për të patur qoftë edhe njëherë zgjedhje të lira, të ndershme, të pranueshme dhe me pjesëmarrje të shtetasve.
Në një kuptim shqiptarët do të votojnë më 11 Maj.
1/3 së popullsisë së larguar nga vendi në këto dhjetë vitet e fundit do t’i duhen dokumentet biometrike dhe kartat e identitetit në mënyrë që si shtetas shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e zgjedhjes dhe të zgjedhurit.
Ajo që i nevojitet shqiptarëve dhe demokracisë mbetet sistemi i besueshëm i zgjedhjeve. Vota e sjell ndryshimin pikërisht atëherë kur ajo ushtrohet e lirë, pa pengesa, nga të gjithë ata që ua njeh këtë të drejtë kushtetuta dhe ua përcakton ligji.
Një sistem që politika dhe shteti shqiptar për fat të keq ende nuk e kanë realizuar.
Kështu do të posta fillojë shpërndarjen e zarfeve dhe qeveria do ta shesë atë si një arritje. Manovra elektorale e partisë në pushtet dhe mashtrimi më i fundit i Ramës do të sillen rreth sloganit-lypës se; “Për t’i dhënë shqiptarëve pasaportën e BE-së na duhet mandati i katërt”.
Ai/ajo që e kupton ndryshimin, kupton dhe vlerën dhe rëndësinë e lirisë që vjen prej votës.
____________