Pas “fitores” të së majtës, propaganda dhe maskimi me art i shërbejnë korrupsionit dhe blerjes së ndikimit të publikut për zgjedhjet e ardhshme.
Mirë se shqiptarët në kohën bardh e zi të televizorëve nuk informoheshin sa duhet për vete dhe për botën, por sot…, kur secili e ka së paku një televizor në xhep apo edhe në kyçin e dorës, nuk po arrin ta kuptojnë lojën e politikës së korruptuar për pushtet dhe pasurim(!).
Si shpjegohet që ata (shqiptarët), vazhdojnë të mbahen në terr dhe të ndikohen nga propaganda e partisë shtet?
Jeta dixhitale e shqiptarëve duhet të prodhojë sot pareshtur protestën kundër qeverisjes mashtruese përsa kohë pushteti në sundim çdo ditë po manipulon publikun përmes medias. Urbanizimi dhe Natyra Shqiptare janë çdo ditë në rrezik. Këto fakte tragjike Unioni i Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës (UGSHPD), po i sheh me rishfaqjen e duelit tjetër mjedisor ku përveç “Aeroportit Ndërkombëtar Vlorës”, këtë rradhë pritet të nisë më seriozisht beteja qytetare për kthimin e hapësirave publike të rrëmbyera nga pangopësia e ndërtimeve. Kjo po vazhdon edhe për një fakt më shumë pasi pushteti vendor u “fitua masivisht” nga e majta, zgjedhësit e humbën vigjilencën për drejtuesin më të duhur dhe kryebashkiaku i rizgjedhur i kryeqytetit e bëri betimin (formulën tashmë të mësuar përmendësh dhe pa emocion), shkel çuditshëm mbi tapetin e gjelbër të tarracës së ndërtesës së bashkisë dhe se e merr prap detyrën dhe po hyn në erën e re si “shërbëtor i popullit”.
Në sipërfaqe kanë filluar të dalin elementë interesantë ku tregohet se propaganda e maskuar me art i shërben mirëmbajtjes së korrupsionit dhe blerjes së ndikimit të publikut deri në zgjedhjet e ardhshme.
Ndërgjegjësimi i publikut, i ligjbërësve në Kuvendin e Shqipërisë dhe i opinionit ndërkombëtar mbetet të jenë kushti i vazhdueshëm për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore qeverinë e sotme të korruptuar socialiste. Argumenti ynë do të nisë me mijëvjeçarin e ri, por ai të mos ju duket si një histori e largët. Zhvillimi i argumentit ka nevojë të ndiqet nga qytetarët e Tiranës si edhe nga mbarë shqiptarët për të kuptuar kohën dhe mënyrën e instalimit të pushtetit të sotëm që ka zaptuar Shqipërinë dhe të mos mendohet me mendjelehtësi se shteti u infektua papritur nga korrupsioni, brenda një nate.
Analiza jonë përpiqet t’ju sjellë këtë që ka dalë tani në sipërfaqe duke ndjekur modelin që është përdorur. Për nevojat e ndryshimit modern dhe lidhjen e re me botën Shqipërisë shumë herët i duheshin njerëz të ditur, patriotë dhe të zotët. Bashkia e Kryeqytetit mbeti në ambiciet e individëve dhe i shërbeu udhëheqjes socialiste që me zotërimin e saj të shtrinte skemën e marrjes së pushtetit në të gjithë territorin shqiptar, madje dhe aty ku tradicionalisht e djathta nuk lëshonte.
Korrupsioni është kjo histori fatkeqësisht 23 vjeçare sot që edhe më thellë kjo ngjet si e rikthyer. Me formën e reformuar ideologjike në demokracisë në kushte krejt të reja duke u reklamuar si arritje në marrëdhëniet me botën. E vërteta është se sot vetëm një grusht i privilegjuar i partisë më të madhe të së majtës politike, Partia Socialiste, ka udhëheqjen si një bllok në çdo veprimtari të jetës së vendit. Korrupsioni i tyre ka hyrë në një fazë të re dhe ata mendojnë se do të jenë pa konkurrentë edhe për më gjatë.
Shqiptarët brenda dhe jashtë duhet të kuptojnë se çfarë ka ndodhur. Zhvillimi demokratik i vendit nuk mund të ketë një garë serioze politike as me opozitën e përçarë, por as edhe me vetë mbështetësit e së majtës pasi premtimet dhe mashtrimet mbaruan bashkë me zgjedhjet. Deri rradhën e ardhshme korrupsioni në sistem do të provojë se zgjedhjet mund të blihen.
Por mundohuni ta shikoni edhe me një sy tjetër jetën tonë të përditshme pa u habitur nga ngjyrat. Rasti i kryeqytetit me një kolazh krahasues të fakteve mediatike sa më poshtë do të mund t’ju tregojë se ku është maja e kërcënimit real në të cilin po shkon shoqëria shqiptare. Sot jemi edhe në vitin e 23-të ku premtimet e zhvillimit kombëtar nga klasa politike po humbin rëndësinë e një institucioni që drejton shtetin e 3 milion shqiptarëve. Edhe pse qeveritë e para të pas viteve 90-të u përpoqën me vështirësi të dilnin nga ndikimi i monizmit politik drejt lirisë, kjo qeveri e sotme dhe qeverisja lokale e drejtuar kryesisht nga socialistët për Tiranën në këta 23 vite të jep të kuptosh përfaqësim amator në shtet. Klientelizmi dhe lobimi për gjetjen e fondeve financiare dhe që shqetësohet më shumë për imazhin dhe fasadat të japin të kuptosh që kemi të bëjmë me një ojq dhe jo me një strukturë të disiplinuar shtetërore dhe publike. Këto mangësi serioze të frymëzuara nga kulti i individit të bëjnë gjithashtu të kuptosh më thellë papërgjegjshmërinë e pushtetit, lulëzimin e rrugëve të përfitimeve korruptive, heshtjen përpara krimit dhe një rënie drejt mosfunksionimit të ligjit dhe ruajtjes së jetës dhe sigurisë së qytetarëve dhe shtetasve.
Erion Veliaj në fillimet e karrierës së tij kur ambiciet e bënë “G99” (ojo-ja e tij), krah të PS-s nxorën hapur skemën përfituese dhe mashtruese që shprehet me motivin e tij arrivist mbi individin në drejtim;-“…përveçse të ketë CV-në, idetë e mira dhe shkollën jashtë, duhet të ketë mjaftueshëm para që të përballojë koston e imazhit. Nëse nuk e ka këtë të fundit, duhet menduar dy herë para se të hyjë në politikë”.
Sado e saktë apo pragmatiste që mund t’ju duket kjo thënie, fjala para nuk është ndajfolja që tregon vendndodhjen, por është para-ja në këtë përmbajtje, është leku, dollari, euro, letra me vlerë, dhurata dhe përfitimet etj.
Ndërsa lektisa do të ishte cilësimi duhur për dyshen e kryebashkiakëve socialistë të Tiranës Rama dhe Veliaj, që janë rrotulluar në këta 23 vjet. Kjo nuk mjafton për të treguar se suksesi tyre lidhet me shembullin më të mirë të korrupsionit, por lidhet me kushtet që e mundësuan atë. Shqipëria e tronditur rëndë nga pragu i luftës civile i vitit 1997-të, kishte nevojë për shpresë dhe frymëmarrje. Situata prodhoi një person të vetë deklaruar “radikal” dhe “antikomunist” dhe pas një largimi nga skena Edi Rama u rikthye si Ministër i Kulturës, Kryebashkiak, Kryetar PS, dhe përfundoi me mandate të një pas njëshme si Kryeministër duke punuar shumë për fasadat dhe duke lënë edhe trashëgimtar si vetja për Tiranën, Erion Veliaj.
Parrulla dhe premtimi “Kthimi në Identitet” nisi në vitin 2000. Por a janë muralet sot pjesë e kthimit në identitet apo “Parku Rinia” dhe “Gjelbërimi i Lumit Lana” ishin mashtrimi paralajmërues i betonizimit të vendit?
Në statistika rreth 150 kioska prej parkut Rinia dhe pak mijëra ndërtime të përkohshme nga qendra dhe përgjatë 5-6 km të Lumit Lana ishin vërtetë pjesa e një pune për frymëmarrjen e Tiranës. Projekti “Kthimi në Identitet i Kryeqytetit” nga 2000 deri më 2023 është diçka tjetër. Kjo sepse Tirana mori drejtim ndryshe, u bashkua me Durrësin. Nuk është shprehje e figurshme kjo, por saktësisht ndanë autostradës ndërtimet u ngjitën me njëri-tjetrin. E ndërsa ky bashkim e bën sot Tiranën të ketë edhe port edhe plazh, betonizimi i bregdetit në Adriatik është etja që ka pushtuar pushtetarët për projektet e turizmit, infrastrukturës, aeroportet, etj.
Kjo katastrofë mbi natyrën duhet parandaluar pasi pasojat do të jenë të pallogaritshme. Vërtetë që kullat e larta gërvishtin qiellin në qendrën e Tiranës dhe sot Mali i Dajtit po fshihet në lindje, por edhe Xhamia e Et’hem Beut po humbet mes ndërtimeve aq sa edhe Sahatin po e mbulon errësira. Ato tre-katër simbole të Tiranës janë zbehur dhe po i humbin lidhjet aq sa betoni i pllakosur mes sheshit po zvogëlon përditë monumentin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu aq sa një ditë kjo shije e shtirur do ta nxjerrin të tepërt.
Sot në Tiranë fluturojnë si lajme përmes medias qoftë edhe një twiter i pushtetarëve. Më plot hapësirë dhe imtësisht publikohen mesazhi i tyre pavarësisht problemeve më të rëndësishme të jetës së përditshme të qytetarëve.
Ja edhe një ilustrim më poshtë nga e njëjta gazetë dhe pa as më të voglin ballafaqim, transparencë apo propagandë duke “shfrytëzuar pushimin e drekës”
Arti mural në Tiranë, pikturat që i dhanë jetë fasadave të ndërtesave në kryeqytet.
Arti mural në Tiranë i ka dhënë një pamje të re ndërtesave në kryeqytet duke zëvendësuar fasadat dhe duke i veshur ato me ngjyra dhe imazhe mjaft domethënëse. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ndarë disa foto nga disa lagje të Tiranës, të cilat janë transformuar nga veprat e realizuara nga artistë të njohur pjesë e “Mural Fest Tirana” .
Veliaj shkruan se secila nga veprat e artit është një ftesë për të gjithë ata që zgjedhin të vizitojnë Tiranën.
“Mural ART n ‘Tirane! Tirana po zbukurohet nga arti mural në çdo lagje të qytetit, ku secila vepër arti është ftesë për të gjithë që të na vizitojnë. SUPER”, ka shkruar kryebashkiaku.
Tashmë prej disa vitesh në kryeqytet zhvillohet “Mural Fest Tirana” e cila është një nismë e Drejtorisë së Dekorit nga Bashkia e Tiranës, kuruar nga Shoqata Kulturore VIZart.
Këta argumente ju bëjë të kuptoni se shqiptarët po jetojnë me peshën ku përzihet amatorizmi dhe propaganda në drejtimin e shtetit. Ndoshta edhe më e varfër në shprehi me kohën që po kalojmë kjo propagandë “rilindase” ngjet më shumë me shabllonet skematike si dikur të Partisë së Punës me pllakatet dhe muralet uniseks nën uniforma me plot varfëri dhe mediokritet të skajshëm artistik.
Por këta “udhëheqës” janë bashkë që sot e 23 vite më parë me të njëjtën mendësi duke i shitur popullit dhe botës vetëm projektet moderne të zhvillimit urban, galeritë në natyrë me muralet dhe shfaqjet e tjera vetëm të suksesit për rritur vetëndjerjen e personalitetit. Në të vërtetë puna dhe investimi i tyre vazhdimisht ka qenë për të blerë ndikimin për zgjedhjet e ardhshme. Kjo skemë e kujdesshme ndodh edhe më rëndom kur e titujt e nderit dhe respektimi me Çelësat e Qytetit zhvlerësohen nga shpeshtësia e blerjes së emrave të suksesshëm pa u tutur se në të njëjtën kohë janë po këta pushtetar që kanë kyçur tiranasit dhe biznesin shqiptar mes rregullave dhe taksave izoluese aq sa i i kanë zhveshur meritë e qytetarit shtetasve me varfërim duke i lënë hapur të pamundurve shanset e fundit për të marrë udhët e largimit në emigracion.
Të mendosh se Tirana ka përcjellë 5 vite Mural-Fest në kryeqytet dhe ky ka qenë një projekt kryesor për banorët, do të thotë se shqiptarët sot punojnë dhe jetojnë më mirë. Ndërsa shqetësimi për hapësirat publike, gjelbërimi, higjena, furnizimin me ujë dhe energji elektrike, ndotjen nga mjetet e transportit dhe ndërtimet këto probleme duken si të parëndësishme dhe harrojnë tryezën e debatit publik. Mediat në këtë rast vetëm presin “selfie-t”, “sms-të” dhe “twiter-at” e kabinetit qeveritar për të pasqyruar ndonjë lajm nga jeta, pasi plot tema që e shqetësojnë popullin as që mendohet se mund të zgjojnë ndonjë interes.
Dhe në mbyllje vetëm pak histori tranzicioni. Le të zhvishemi nga protagonizmi dhe le të shkojmë në 9 Nëntorin e 1989. Nga këtu po mundëm ta fillojmë edhe krahasimin e Tiranës dhe të Berlinit. Muri i Berlinit ishte rreth 150 km dikur, tani pas 34 vitesh është ruajtur një segment historik muzeal me rreth 150 murale, një galeri arti në natyrë që edukon dhe ka forcën e një memorie kolektive për njerëzimin për shembjen e komunizmit. Aty filloi edhe shpresa Evropiane e shqiptarëve. Çdo pikturë e realizuar, qoftë edhe grafiti veç të tjerave me bojë kanë ruajtur fuqinë e lirisë së shprehjes, morën energjinë e ndryshimit dhe përqafuan lirinë, ndërsa Tiranës tonë sot pas 34 vitesh i janë shtuar 100 murale, përçmim i punës së krijuesve pasi blihet lirë zbukurimi i fasadës së politikës.
Mbi të gjitha Natyra Shqiptare dhe Kryeqyteti po rrezikohen nga këto lojëra dhe mashtrime korruptive ku çdo ditë varfërimi vlerave të pasurive natyrore shpie në humbjen e simboleve qytetase, fshirjen e identitetit dhe traditës kombëtare. Etja për betonizim po sjell fshirjen e historisë në emër të urisë së ndërtimeve dhe të korrupsionit të pushtetarëve për drejtimin e shtetit. Dhe drejtimi i përgjegjshëm për ata janë shfaqjet, është fasada.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Gionalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGPAD)