Turi elektoral i kryeministrit në një rreth që ka emër përshëndetës dhe mikpritës, shndërrohet në mëllef dhe fyerje për çdo kandidat të opozitës të pushtetit vendor. Zgjedhësit që afrohen për të marrë premtime, duhet ta kuptojnë humorin e thatë dhe fyerjen që vazhdon t’u bëhet, por edhe në këtë rast media nuk ka forcë ta kritikojë qeverinë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) kërkon të sjellë përsëri në vëmendje, ashtu sikurse dhe herë tjera, fjalën e pazgjedhur kryeministrit të vendit dhe kryetarit të PS Edi Rama me zgjedhësit, fjalor arrogance dhe fyerje. Votuesit duhet t’i veçojnë vetë ato papastërti dhe rreziqe tashmë që media nuk i kritikon dhe i shet si tituj tërheqës. Në formë të përsëritur, edhe UGSHPD nuk do të tërhiqet pa i treguar publikut dhe medias shqiptare se përdorimi i epiteteve dhe metaforave poshtëruese ndaj kundërshtarit ngjall frymën e panikut dhe mbjell atmosferë frike. Me këtë gjuhë Rama kontrollon si “të vetët” ashtu edhe rivalët. Duke e aplikuar atë pa rezerva dhe pa kufi, duke e tejkaluar masën çdo herë, cikël pas cikli, fushatë pas fushate, Edi Rama ka normalizuar retorikën vulgare. Gradualisht kjo ka ndodhur për derisa e shet si cilësi për të qeshur. Por kjo ka mbetur një strategji e qartë: Edi Rama sulmoi si fillim shtypin e lirë që në këtë fushatë është veçanërisht i mpirë dhe anemik. Nga njëra anë janë shantazhet, aktet e dhunës në disa raste, presioni publik ndaj tyre ku protagonisti ishte vetë Rama dhe nga ana tjetër ngulfatja e tharja e fondeve për mediat publike dhe format po me dhunë, të rënda ndaj disa enteve private (për t’i bërë shembull ato) përshkallëzuan strategjinë njëpartiake. Pasi i kaloi reagimeve dhe shprehjet e revoltës kur i quajti mediat “kazan”, ai i dha edhe me shumë hov denigrimit të mediave. Normalizoi vulgaritetin dhe përqeshjen ndaj kundërshtarit dhe me këtë prizëm e trajtoi median. Me këtë denigrim të medias, është goditur liria e shtypit, duke i shkaktuar një erozion të pallogaritshëm demokracisë. Këtë e di mirë Rama, ashtu si çdo autokrat e diktator që nga Azia, Evropa deri në Amerikën Latine.
Duke iu kthyer turit të fyerjes elektorale në rrethet Mirditë e Kurbin gjatë së Dielës 7 Maj, edhe pse të gjithë forcën e motorëve e përdori për t’iu ngjitur të përpjetës zgjedhore, marrëzia e kryeministrit del nga shinat në Kurbin. Etiketon opozitën me gjithë çka ia lejon liria e shprehjes me “Like Floriri” dhe “Rrangall“, udhëheqësve të aleancës “Bashkë Fitojmë”, për të vazhduar edhe me kandidatët e pushtetit vendor me të njëjtat batuta e humor të prapambetur. Deri këtu ndoshta nuk ka asgjë për t’u shënuar pasi është fushatë dhe deri në një masë të caktuar epitetet, figurat, ironitë, sarkazma janë “armë” të debatit dhe lirisht mund të përdoren, deri në atë cak sa kundërshtari heq dorë dhe del i humbur. Por në sy të publikut nuk ndodh kështu. Populli të dëgjon dhe di të vlerësojë. Të drejtosh një takim me zgjedhësit dhe t’ju flasësh atyre edhe për dinjitetin siç ndodhi edhe në rrethet Mirditë e Kurbinit sot, një javë para ditës së zgjedhjeve, do të thotë që vërtetë diçka nuk shkon me formimin dhe qytetarinë e vetë kryeministrit. Gjithçka kundër opozitarit. Të sulmosh opozitën për të treguar se administrata e tij punoi gjatë këtyre viteve dhe ngriti një strukturë kujdesi për spitalet në dobi të shëndetit mendor, kjo do të duartrokitej nga pjesëmarrësit dhe nga i gjithë populli. Por, pas shifrave të varfërisë, taksave, korrupsionit, largimit të popullsisë jashtë vendit për të siguruar jetesën, si mund të dëgjohet ky “humor-kryeministror”. Shija dhe ndjesia njerëzore nuk arrin dot e tillë. Fjalori i gjuhës së përditshme tregon një zhvlerësim të institucionit të qeverisjes përpara një populli me plot probleme të pazgjidhura. Më tej është një ulje e dinjitetit të qytetarëve dhe fyerje në fytyrë të zgjedhësve, që, me këtë arrogancë, kryeministri i kërkon votën. Të kërkosh votën me fyerje edhe për kë, për rikandiduesit, kjo të tregon fare qartë sa të pashpresë do të mbeten përsëri njerzit. Për sa pushteti e ka të ndarë mendjen dhe do të vazhdojë me të njëjtën qeverisje, vetëm vota e lirë ka në dorë ndryshimin.