“Salvare capra e cavoli”, një përrallë Mesdhetare
Në brigjet shqiptare rrëfenja e njohur Mesdhetare njihet gjerësisht si “Lakra, Dhia, Ujku” dhe ajo e ka një zgjidhje. Italia dhe shtetet Evropiane më në veri (BE-ja), po ashtu përrallën e shquar e kanë edhe si një problem që vë në lëvizje mendjen dhe ajo është marrë edhe si një përvojë nga jeta e fermës në fshat. Kush ka pak pronë dhe gjë, ka diçka në dorë, mund t’i gjendet mikut në nevojë. Por edhe pse problemi e ka një zgjidhje, përvoja për ta arritur atë është fituar duke përsëritur herë pas here mësimin pas pësimit. Pra rreziqet dhe dëmet janë kryer prej unit në një trini të vetos me shkak- pasojën. Dhe në rastin tonë “fermeri bamirës” i nisur nga e mira për të ndihmuar e pëson si dëm (humbje prodhimi nga lakrat e ngrëna prej dhive, dhitë e ngrëna prej ujqërve). Që njerëzve u ndodhin këto situata edhe gjatë përpjekjeve diplomatike “quid pro quo”, pra atëherë kur Lakrën ja han Dhia ose tjetra Dhia është ngrënë prej Ujkut, ku shkoi përgjegjësia pas tyre! Kjo është bërë sot edhe më e njohur mes opinionit që as me politikë nuk merren sepse janë jashtë politikës së madhe dhe meqenëse ata konsiderohen “fermerë” deri në ditët e zgjedhjeve atyre u ka mjaftuar me nuhatje interesi i politikës mbi ta. Megjithatë për ta thjeshtuar problemin, çelësi i zgjidhjes është vetëm mënyra e sigurt e transportit. Ndarja e ngarkesës në këtë rast nga njëri breg në tjetrin kur në mes nuk kemi më një lumë apo liqen, por kemi Mesdheun që bashkon tre kontinentet Evropë, Afrikë dhe Azi me çështjen e fluksit të frikshëm të emigrantëve.
Pra këtu e panjohura nuk është se; “Cilin duhet ta lësh me kë?”. Por kombinimi i kësaj situate që njerëzit janë të detyruar të emigrojnë për shkakun ekonomik të varfërisë dhe urisë, persekucionit të lirive themelore njerëzore dhe për shkak të luftërave, ky parashtrim i trinisë mes njeriut dhe shkak-pasojës ndoshta na ndihmon ta kuptojmë edhe ne shqiptarëve se sa thjeshtë nganjëherë na duhet t’i përcjellim ngarkesat nga ndodhitë në botë dhe brenda vendit. Një e tillë ishte marrëveshja e nënshkruar më 6 Nëntor, 2023 mes dy kryeministrave të Italisë dhe Shqipërisë për ofertën e ndërtimit të dy qendrave pritëse të përkohshme për emigrantët në territorin shqiptar në rrethin e Lezhës (Shëngjin dhe Gjadër).
Ky është problemi që na duhet të trajtojmë pasi ai shpërtheu si fakt “surprizë dhe i panjohur” në Nëntor kur pas një takimi në Romë, Meloni dhe Rama kryeministrat respektivë të Italisë dhe Shqipërisë nënshkruan një marrëveshje që zhurmoi brenda vendeve përkatëse dhe “habiti BE se si me magji një vend anëtar dhe tjetri kandidat po e zgjidhin shqetësimin e Evropës mbi fluksin e pa kontrolluar migrator të popullsisë së globit. Nga ana tjetër media e etur për ta gërmuar se si e qysh kjo marrëveshje ndodhi, ajo i shkoi në gjenezë ku mes hamendjes së pushimeve të verës, diku nga mesi i muajit Gusht (datat 14-18), në brigjet shqiptare Vlorë-Dhërmi në ndërtesën e pritjes qeveritare të kryeministrit shqiptar Rama ishin parë kryeministrja italiane Giorgia Meloni ish kryeministri Britanisë së Madhe Tony Blair (këshilltar). Aty ku eksodi biblik shqiptar i viteve ’90 u shit me dyndjen në të kundërt të miliona turistëve në Shqipëri dhe se ku një mendje e vetme mendon se e “lan borxhin” duke cenuar sovranitetin e vendit pa përfillur vetë sovranin. Pra ishte një shkëmbim mendimesh gjatë pushimeve të një tresheje që nuk ka rëndësi në se ishin apo jo bashkë në ato ditë apo u shkëmbyen rastësisht pavarësisht trajtimit të medias, por me rëndësi se si heshtja dhe shkak pasoja ju servir medias për ta përdorur lajmin dhe zhurmën e tij ndërkombëtarisht dhe brenda vendeve përkatëse. Të treja të prekura fuqishëm nga emigracioni si vende pritëse dhe tranzituese, por edhe me statuse disi ndryshe në BE për sa i përket jo territorit, por anëtarësisë në të. Shqipëria kandidate për afrim, BM e dalë nga BE dhe Italia anëtare dhe porti pritës i miliona njerëzve, popujve migratorë nga Evropa Lindore, Afrika dhe Azia intensivisht në gati gjysmë shekulli.
Ky ishte parashtrimi i problemit i cili çuditërisht u zbulua më pas si një marrëveshje që ishte mbajtur sekret nga struktura në Partinë Socialiste dhe në anëtarët e kabinetit Rama megjithëse kjo forcë politike u shkund dhe u “ri-formatua” përmes asambleve dhe grumbullimeve fill pas zgjedhjeve vendore të muajit Maj 2023. Marrëveshja Meloni-Rama, njihet tashmë si një marrëveshje e nënshkruar vetëm nga dy titullarët. Qëndrimet e parlamenteve përkatëse kanë reaguar pro dhe kundër, por ajo që ka dalë si pengesë është Gjykata Kushtetuese që e ka shtyrë procesin dhe Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet nga mesi i muajit Janar 2024 për ta diskutuar këtë nënshkrim marrëveshje që ka kaluar si pa u ndier. Teza e njohur dhe akti ligjor ka vënë sot në peshore sovranitetin territorial të vendit (Shqipërinë), me njëanshmërinë politike të marrëveshjes pavarësisht se kjo është bërë nga një person apo grup në subjektin politik të Partisë Socialiste.
Institucionet e Kuvendi Popullor, Presidenti sikurse edhe forma më modeste e transparencës për mes një referendumi nuk janë provuar. Ato janë anashkaluar dhe ndoshta enkas janë mënjanuar prej muajsh gjatë vitit 2023. Në situatën e rëndë politike, kur opozita dhe pluralizmi janë mohuar në jetën parlamentare dhe kur transparenca po mungon thellësisht nga qeverisja, me dhjetra raste korrupsioni aty ku legjislacioni po thyen rekorde në kohë dhe me fuqi kartoni për aprovime ligjesh, ky anormalitet nuk do ta sjellë çështjen thjeshtë si një kundërshtim politik, por do të vijë si një rezistencë e ndërgjegjësuar nga fuqia e sovranit për të mos u shitur si kauzë dhe fitore politike, çështja e qenësishme e integrimit të Shqipërisë në BE,
Evropa ja njeh varfërinë dhe bujarinë shqiptarit, ja njeh trimërinë dhe ëndrrën për zhvillim, sot më shumë se kurrë ajo ka nevojë të afrojë shqiptarët e ndershëm dhe punëtorë, një popull që gëzon pasuritë dhe bukuritë që ja ka falë natyra në territorin e vet, që është një popull i lashtë në trashëgimi dhe zot i fateve të veta, ku është ai që vendos dhe pyetet së pari dhe jo pazari politik me agjendat globaliste që krizën e emigracionit si çdo lloj tjetër krize e përkthejnë dhe e shfrytëzojnë për kapital politik dhe jetëgjatësi të pushtetit.
Edhe rrëfenja “Lakra, dhia, ujku” e ka zgjidhjen e vet. Një trini shkak pasojë që i vendos me thjeshtësi marrëdhëniet mes vendeve aty ku duhet. Ruan, mbron interesat dhe i njeh sakrificat përmes një bashkëpunimi të ndershëm dhe të pastër dhe jo duke i “Larë Borxhin”. Por kur ajo kthehet në personale dhe sidomos për një përfitim dhe kapital politik mes një grupi personash, qofshin edhe në krye të shtetit, marrëdhënia shihet si përballim krize, dalje nga ngërçi ose “më jep të jap”. Marrëveshja e njohur prej muajsh mbi emigrantët Meloni-Rama, ka vërtetë një ngërç. Pala italiane ka nevojë të ndihmohet për t’i ofruar zgjidhje, shqiptarët janë një popull që gjinden dhe ndihmojnë, por kurrë kjo ndihmë nuk mund të pritet nga një Shqipëria jo pluraliste që po stabilizon autokracinë.
3 Janar, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)