Ende kur pas dy muajsh dëmi nga zjarret në Pishë Poro nuk është vlerësuar plotësisht, qeverisja socialiste nxiton në Vlorë për të thelluar propagandën e saj në prag të Ditës së Pavarësisë. Asambleja e PS së Vlorës ishte stacioni i fundit i Ramës për të pështjellë në një politikën, drejtësinë dhe ekonominë që nuk i shmangen dot infeksionit që ka shkaktuar kriza e gjithanshme dhe korrupsioni. As festa e Pavarësisë për Vlorën nuk do të jetë një lehtësim në qoftë se një herë të vetme nuk mashtron publikun për dëme të mëdha që i janë shkaktuar pikërisht atij qyteti.
Pra më i fundit pylli i Pishë Poro-s, 1500 ha e peizazhit të mbrojtur të Lagunës së Nartës u përfshi nga flakët më 30 Shtator dhe kushtoi 11 milion euro. Asnjë transparencë dhe asnjë masë veç se harresës dhe shtytjes së projekteve betonizuese në atë rajon duke filluar me akse të reja rrugore Fier-Vlorë dhe vazhdim i ndërtimit të aeroportit.
Nisur nga kjo situatë UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), kontaktoi me përfaqësues së PPNEA-s (Z. Xhemal Xherri, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojten e Mjedisit Natyror në Shqipëri), për të marrë disa përgjigjeve të çështjeve të ngritura më herët mbi Lagunën e Nartës dhe dëmin e fundit të shkaktuar nga zjarret.
1- A u bë vlerësimi i dëmit të florës dhe faunës pas zjarrit në pyllin e Pishë Poro-s (të rejat e mundshme ndoshta dhe ndonjë foto video nga juve në vendngjarje)?
Përgjigja e marrë ishte se ende një vlerësim i plotë nuk është bërë.
Për publikun pyetja dhe shqetësimi që ngrihet është se kanë kaluar 60 ditë dhe askush nga qeveria dhe pushteti vendor nuk të jep një vlerësim për dëmin. Vlerat e përafërta i shprehëm më lart, por në qoftë se flora dhe fauna shkatërrohen në lagunë, kjo nënkupton se ky është një problem më pak për të vënë dorë mbi tokën e djegur dhe për ta kthyer atë në shfrytëzim të investitorëve strategjik.
2- Ku është ecuria pas një viti e padisë së depozituar prej AOS, PPNEA në Gjykatën e Tiranës dhe bashkëpunimi me EuroNatur, plus 33 ojq-të mjedisore dhe publiku në përgjithësi për të mbrojtur Lagunën e Nartës në veçanti dhe ndaluar ndërtimin e aeroportit?
Përgjigja ishte se: – Çështja gjyqësore po ecën paralelisht me disa seanca dhe materialet e mbledhura po plotësojnë provën e çështjes në Gjykatën e Tiranës me shpresë që ajo do të veprojë sa më shpejtë për të ndaluar punimet.
Duke e falenderuar Xhemal Xherri- menaxher i projektit për Lagunën e Nartës mbi fotografinë e shkrepur mbi zonë javën e kaluar ndjekja e problemit na drejtoi sërish tek këmbëngulja e mashtrimeve që qeveria bën edhe në prag dhe në vazhdim të festës së Pavarësisë.
Absurdi i faktit është se zv/km B. Balluku pretendon se 1 milion pasagjerë do të përpunohen vetëm vitin e parë nga aeroporti i Vlorës që po pushton Lagunën e Nartës. (shkruar në ATSH).
E ftojmë publikun që ta zgjidhë problemin duke i thjeshtuar “premtimet” së pari me anë të një përllogaritje të vogël.
Sa avionë do të fluturojnë çdo ditë mbi Lagunën e Nartës?
E zgjidhni ju lutemi problemin, prej kësaj të dhëne: “Çdo ditë, linjat ajrore të SHBA-së përpunojnë më shumë se 25,000 fluturime dhe transportojnë 2.5 milionë pasagjerë nga 80 vende të botës”.
Por le të qëndrojmë faktet e nisura ku na duhet të theksojmë se për derisa pylli i Pishë Poro-së që u dogj dhe shkaktoi një dëm prej 11 milion euro mbi natyrën e zonës së mbrojtur buzë Lumit Vjosë si mund të mbyllen sytë dhe të heshtet përpara humbjes materiale dhe ekonomike që ka ndodhur vetëm dy muaj më parë pikërisht pranë këtij objekti në ndërtim.
Si ka mundësi që media “hesht” dhe i kushton vëmendje propagandës dhe marshimit festiv të qeverisë?
Kjo është pjesa e mashtrimit, që krijon zhurma për të vazhduar grabitjen e natyrës dhe jo vetëm kaq, por grabitja dhe vjedhja vendosin edhe një kohë të përcaktuar; “Fluturimet gati në Mars të vitit 2025″(!). Pra parulla e gatshme për zgjedhjet e përgjithshme.
Shtetasit shqiptar do të mund ta shijojnë vërtetë një ditë pavarësinë në qoftë se do të dinë t’i mbrojnë vetë interesat e tyre, të mbrojnë natyrën, të mbrojnë pasurinë e gjallesës dhe t’i mbrojnë burimet e jetës.
Masakra mjedisore mbi Lagunën së Nartës nuk është thjeshtë ndërtimi që po zhvillohet në Zonën e Mbrojtur. Të panjohurat dhe shifrat që i mban fshehur qeverisja e korruptuar janë se mbi Lagunën e Nartës do të duhet të ulen dhe të ngrihen 25 avionë çdo ditë, në 365 ditët e vitit.
Dhe çfarë do të ndodhë me një nga popullatat më të pasura të shpendëve Mesdheut pas kësaj?
Çfarë do të ndodhë kur ky brez politikanësh nuk e kupton se shkatërrimi i pasurisë kombëtare duhet ndalur?
111 vite Pavarësi e Shqipërisë janë vlera në qoftë se shqiptarët brenda kufijve dhe ata në diasporë duan të bëjnë shtet pa u shtirur patriotë.
Çdo të ndodhë me natyrën dhe jetën e Lagunës së Nartës kur mbi të forcërisht do të ulen dhe ngrihen rreth 25 avionë çdo ditë, në 365 ditët e vitit?
Përgjigjen e kësaj pyetje ka nevojë ta dëgjojnë Komisionet Hetimore të pa ndërtuara të Kuvendit të Shqipërisë, ka nevojë ta shqyrtojë SPAK-u dhe ka nevojë ta vlerësojë BE-ja dhe miqtë e sinqertë ndërkombëtar që e duan vërtetë zhvillimin e Shqipërisë që ajo të ketë edhe përvjetorë të tjerë të Lirisë dhe Pavarësisë Kombëtare.
27 Nëntor, 2023
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionnels Albanaise de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGAPD)