Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) u bë i njohur me zhvillimin e fundit në Federatën Panshqiptare Vatra, ku një numër i madh Vatranësh në Nju Jork kanë shkuar paqësisht në shtëpinë e Vatrës, duke shprehur vendosmërinë e tyre që të mos largohen deri në momentin që do të marrin garanci nga Selia e Vatrës të qëndrojë e hapur në çdo rast që iu nevojitet Vatranëve për mbledhje dhe veprimtari të tjera. Për këtë veprim Vatranët kanë kërkuar ndihmën dhe këshillën e forcave të rendit. Është hera e disatë që këta Vatranë kanë tentuar të hyjnë në Selinë e Vatrës, por, siç theksojnë ata, drejtuesit pa mandat të Vatrës kanë ndërruar bravat dhe i kanë lënë jashtë Vatranët të cilët janë me kontribute dhe legjitimitet të plotë.
Është shumë shqetësues fakti që, prej katër vitesh, në Selinë e Vatrës nuk është bërë asnjë mbledhje e Kryesisë, e Këshillit apo strukturave të Vatrës. Uzurpuesit e drejtimit të Vatrës kanë frikë dhe shmangin çdo lloj ballafaqimi me anëtarësinë. Ata i bëjnë mbledhjet nëpër restorante dhe piceri të shteteve të tjera gjithnjë prapa shpinës së anëtarësisë.
Kryetari i Kuvendit të Vatrës në zgjedhjet e 26 shkurtit 2022 Ervin Dine lëshoi sot, më 11 shkurt një deklaratë, ku, me cilësinë e tij statutore, deklaron se i mbështet plotësisht grupin e vatranëve, të cilët dje paqësisht hynë në Selinë e Vatrës në Nju Jork dhe me kurajo e vendosmëri qëndruan në të drejtën e tyre në sallën e Vatrës, derisa oficerët e zbatimit të ligjit amerikan u angazhuan në zgjidhjen e situatës. Z. Ervin Dine, pasi thekson se vatranët kanë detyra dhe të drejta të barabarta të garantuara në Kanunore, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, kahun politik apo krahinat nga vijnë, nënvizon se mbyllja e dyerve është një kulturë mesjetare dhe nuk i shërben vëllazerimit dhe frymës së bashkëpunimit në mes vatranëve për t’i shërbyer çështjes kombëtare.
Si kryetar i Kuvendit të Vatrës, shprehet z. Dine, kam qenë dhe jam konsistent në mendimin tim se Kuvendi i shkurtit 2022 nuk i përfundoi punimet për arsye kohe dhe për pasojë strukturat e Vatrës nuk janë plotësuar apo zgjedhur ligjërisht. Kryetari i zgjedhur i Vatrës, vijoi z. Dine, nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për një mandat 4-vjeçar, dhe për pasoj ai po vepron jashtë mandatit. Po ashtu, theksoi kryetari i Kuvendit të Vatrës, Kanunorja është miratuar në mënyrë të pjesshme. “Si përfundim, duke parë situatën e kaosit në Vatër, mendoj se vetëm një Kuvend paqësor shtesë me delegatët egzistues, është zgjidhja më e mire për të dalë nga kjo situatë e krijuar. I bëj thirrje kryetarit të Vatrës, që të marrë masat e nevojshme dhe të krijojë kushtet, qe sa më parë të thërrasë një Kuvend i ri të Vatrës, në mënyrë që Vatra të kthehet në binarë kushtetues,” e përfundon deklaratën e tij z. Ervin Dine.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD), krahas zhvillimeve në Atdhé, i ndjek me shumë vëmendje dhe përgjegjësi edhe të gjitha zhvillimet në Diasporën Shqiptare. Panfederata Shqiptare Vatra, simbol i atdhedashurisë, unitetit kombëtar dhe antikomunizmit, sipas vizionit Faik Konicës, Fan Nolit dhe etërve të saj të tjerë, prej kohës kur nga drejtimi i saj është larguar Gjon Buçaj, ka rënë në duart e një klike, e cila i ka braktisur vizionet dhe idealet e Vatrës. Kjo klikë ka ardhur në krye të Vatrës duke shkelur dhe përdhosur Kanunoren, frymën e saj dhe gërmat e saj, duke ua përshtatur ato interesave të vetave të ngushta, duke ua hapur dyert zyrtarëve të Tiranës, simbol i korrupsionit, krimit të organizuar, antikombëtarizmit dhe duke ua mbyllur dyert e duke ua kthyer shpinën Vatranëve.
Prandaj ne mbështesim fuqimisht grupimin e Vatranëve që ka dalë në mbrojtjes të Vatrës, mbështesim fuqimisht kërkesën e tyre themelore që sa më parë dhe në kushte sa më optimale demokratike të zhvillohet Kuvendi i ri i Vatrës. Vatra nuk mund të mbahet gjallë nga drejtues të cilët, duke përvetësuar metodat dhe praktikat e regjimit të Tiranës, kërkojnë të uzurpojnë Vatrën, këtë thesar të pazëvendësueshëm të shqiptarizmit, të antikomunizmit, të demokracisë, të frymës dhe të vizioneve perëndimore.
Vetëm duke u rivënë në shinat e demokracisë dhe legjitimitetit Vatra mund të jetë sërish një faktor i fuqishëm në Amerikë, kampionen e demokracisë, miken e madhe e të pazëvendueshme të kombeve të pambrojtura, miken e madhe dhe të shenjtë të kombit shqiptar.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionist të Diasporës (UGSHPD) iu bën thirrje të gjithë faktorëve shqiptarë në Diasporë dhe në Atdhé që të mbështesin grupimin që ka dalë në mbrojtje të Vatrës dhe të gjitha proceset që do të çojnë në rikthimin e frymës së vërtetë kombëtare, demokratike e perëndimore në Vatër.
Ne do të vazhdojmë të ndjekim me vëmendje të shtuar dhe do të dalim vazhdimisht me qëndrimet tona për zhvillimet në Vatër, sepse i shikojmë si zhvillime të rëndësishme jo vetëm në kontekstin e Diasporës por edhe në kuadrin e zhvillimeve kombëtare, plot me sfida në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Malin e Zi dhe kudo tjetër në hapësirën tonë.
11 shkurt 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des journalistes professionells albaniase de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)