Kur bie fjala për karrigen në pushtet dhe politikë, Rama “kryeministër dhe njëherazi kryetar i Partisë Socialiste”, (frazë e preferuar e mediave zyrtare), vijon t’i kujtojë shqiptarëve edhe pas kthimit nga OKB-ja vazhdimisht se kush është në majë(!). Pasditen e së Hënës 30 Shtator, në një lidhje live dhe jashtë parlamentit që tashmë e ka shpërfillur me pjesëmarrjen e tij, ai u gjend në një takim me “Deputeti që Duam” dhe ilustroi nga lidhja celulari i tij një video nga zhvillimet në Kuvendin e Shqipërisë. Protestën brenda dhe flakën jashtë ndërtesës, një ngjarje që lidhej me deputetët e Partisë Demokratike të cilët në shenjë proteste i vunë zjarrin karrigeve të tyre, orendi të sallës së seancave plenare.
A ishte i papritur për Ramën ky reagim i opozitës apo mprehja e propagandës duhet të arrijë kulmin si brenda dhe jashtë vendit për t’u kuptuar se sa shpejtë po shkon Shqipëria drejt një sistemi një partiak ?
Këtë po që po kërkon elita e Rilindjes Socialiste me kapjen e të gjitha pushteteve, apo edhe në këtë rast ai shfrytëzoi menjëherë mundësitë për ta shprehur veten si të plotfuqishëm.
Ende pa e lënë të gjykojë publiku veprimin sikurse edhe mjaft media ndërkombëtare kanë vënë në fokus se AI ka marrë nën kontroll çdo pushtet, përfshirë gjyqësorin, Rama po tregon me mënyrën e tij revanshin parazgjedhor: “Është një zjarr i ndezur me karriget e deputetëve të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë, për t’u ulur në ato karrige, përfaqësuar ata që i çojnë atje. Në shenjë revolte ndaj një vendimi gjykate”.
Por pyetja tjetër që publiku duhet sqaruar është se si drejtpërdrejtë kryeministri shqiptar që ka dalë me platformë rienergjizuese të partisë së vet me lojën -aplikacionin “deputeti që duam” (380 aplikantë nga 30 Shtatori), bën të mundur matjen e forcave me shumicën e popullit opozitar që e ka dëmtuar në këta 11-12 vite qeverisje?
Për më tepër me median dhe rrjetet sociale veç propagandës, Rama ushtron shantazh direkt mbi politikanët jashtë çdo etike, të pasur me fjalor vulgar. Pavarësisht se sa publiku dhe politikanët janë mësuar ta dëgjojnë një fjalor të ulët, për të cilin Rama kurrë nuk jep llogari, situata e acaruar e tij në drejtimin e Rilindjes Socialiste dhe frika e humbjes janë të dukshme.
Do t’ju rikujtojmë nga teksti në X se Rama turfulloi pikërisht me të kuptuarin e rolit të karriges së pushtetit dhe se cilat janë fuqitë kur ju shpreh kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi se : “Kallzim i Rremë – sepse megjithëse gjysëm burrë e gjysëm derrkuc mbi prehrin e shefit të radhës, si jurist që je ti e dije se Kallzimi yt i Rremë do të të kryqëzonte nga gozhda e ligjit si autor i një vepre penale kundër drejtësisë dhe do t’i jepje lamtumirën politikës si një kriminel me vendim gjykate! dhe nga ana tjetër elita e Rilindjes Socialiste po kërkon nga ana e saj se: “sot është shumë e qartë që sot ne kemi nevojë për të filluar një transfuzion të ri të gjakut, kemi nevojë për të filluar një ndryshim dhe një kalim të ri të stafetës duke filluar t’i japim mundësi një gjenerate tjetër, por jo tjetër në moshë thjesht, por tjetër edhe në përmbajtje, tjetër edhe në brumë”.
Përmendëm në titull tri majat.
Ndaj për ta sqaruar demagogjinë për artistin dhe piktorin kryeministër po përpiqemi që ta ndihmojmë pa fantazi. Tri Majat, jetojnë lidhur ngushtë me realitetin shqiptar dhe publiku duhet t’i njohë:
1- Maja e Ajsbergut, që është pjesa e vogël e korrupsionit që ne shohim.
2- Maja e Prehrit, kemi parasysh të tërë ata shërbëtorë që mban rrotull dhe udhëheq, pa harruar dhe disa dhjetra që kanë provuar burgun pas prehrit në emër të drejtësisë.
3- Maja e Penës, që media të shprehë të vërtetën dhe po me majën e penës shqiptarët brenda vendit dhe në diasporë ta shënojnë përfaqësuesin e ndershëm që t’i shërbejë Shqipërisë.
30 Shtator, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)