Seanca Plenare e 5 Dhjetorit do të mbahet mend për mënyrën se si shpërthimet e debatit mes politikanëve nxjerrin nga mos përmbajtja etike edhe thelbin mbi shqetësimet reale që ziejnë aty brenda si dhe ato çka ata/ato përjetojnë të kushtëzuar ose urdhëruar për të mos qenë vetvetja në politikë. Një titull klasik propagande dhe keqinformimi nga ATSH-ja, Agjencia Telegrafike Shqiptare, shtypi zyrtar i qeverisë gjen justifikimin kur shpreh se: –“Seanca plenare e kuvendit u ndërpre, pasi deputetët e Partisë Socialiste braktisën sallën e Kuvendit, pas ofendimit që deputetja Ina Zhupa bëri ndaj deputetit socialist Erion Braçe”. Ndërsa shkarja tek më e fundit kthimi në qesharake është koha e humbur në kuvend, koha që i merret publikut në ekran, radio apo qoftë edhe shumëfishuar në pajisjet celulare për këdo që e zotëron sado pak teknologjinë dhe më kryesorja mos zgjidhja se përse deputetët janë mbledhur. Pra nga një seancë serioze për mbajtjen e dy interpelancave dhe diskutimin e një projektligji ende të pashkruar protagonistët kryesor si Kryeministri dhe Ministrja e Arsimit me shpërfillje gjinden disa kilometra larg Kuvendit të Shqipërisë të angazhuar në një tjetër veprimtari.
Peshën, rëndësinë dhe seriozitetin e kanë jo vetëm kërkesat se si bëhet interpelanca për t’u ballafaquar, diskutuar dhe duke dhënë zgjidhje, pikërisht ajo sallë tërheq vlerat e gjithshkaje që nuk duhet bërë.
I pari është kryeministri Rama që nuk merr pjesë edhe përse ligji e kërkon, të tjerat më pas vazhdojnë pa hequr dorë nga parimet ideologjike me të cilat janë formuar dhe fatkeqësisht po çimentohen në mendësinë e një politike pa nevojën e debatit të kundërshtarit.
Megjithëse thumbat dhe arroganca kanë zëvendësuar prej kohësh fjalën dhe aktet ligjore të cilat janë kuptimi i të mbledhurit të përfaqësuesve të popullit në Kuvend, veprimet kthehen në qesharake ku në pak momente vizatimi artistik shpreh një këndvështrim të harruar të përmbajtjes.
Autori i skicës LD-NY24, karakteristikat e vjetruara të propagandës së mediave të huaja për kryeministrin artist, e ka mbërthyer me numrin e preferuar ’12’ pikërisht në parashikimin apo mbylljen e karrierës me mandatin e tretë. Pas Ramës që i mungon parlamentit sepse ai merret intensivisht me formimin e “fidanishtes” së Rilindjes Socialiste në pushtet ideologjia ka bërë për vete deputetë dhe ministra që flasin atë që ju është përpunuar si mekanizëm në mendim për të qeverisur gjatë një sistemi 12 vjeçar të zbuluar nga korrupsioni.
Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë i bie aq shkurt dhe drejt debatit politik sa del tek thelbi i dikurshëm i vetvetes që për të siguruar votat në Qarkun e Dibrës, numrat e shquajnë atë për konsekuencën politike ndaj liderit artist-sportist:-“Ky parlament doni apo nuk doni ju brenda këtij sesioni do ta miratojë ligjin për anulimin e gjobave të pa ekzekutuara. Neve (mazhoranca), i kemi numrat”.
Ndërsa Erion Braçe i promovuar dhe sprovuar si zv/kryeministër dikur i njohur për disa projektligje mes të cilave edhe 13 muaj më parë për kujdesin e trajtimit të ciklit menstrual si sëmundje dhe veç ditëve të paguara të punës dha edhe sugjerimin për përjashtimin nga tatimet produktet higjeno-sanitare (deri këtë nuk ka asgjë të keqe). Por nuk dihet se sa thellë e vrasin mendjen për t’u bërë tërheqës për publikun kjo kategori deputetësh që veç gjuhës ofenduese ndaj kolegëve/eve në Kuvend ata/ato pranojnë role të papërshtatshme. Fati nuk i dihet propozimit të atëhershëm të Braçes, por etiketimi “projekti për tamponin” do t’i shërbente atij të hidhej në krye të një bllokimi tjetër siç ishte komisioni i posaçëm parlamentar i Dezinformimit, me misionin e ndalimin e informacioneve gënjeshtra prej kanaleve mediatike. Ose thënë ndryshe censura për fjalën e lirë në prag të një viti zgjedhor ose një mbikëqyrje e rreptë e politikës mbi mediat që çdo çast mban në duar butonin e stresit dhe panikut të kryeministrit dhe njëherësh kryetarit të Rilindjes Socialiste.
Sa për vetë Ramën sportistin-artiststin e stolit dhe të promovuesit të pikturës vetjake në zyrën e kryeministrisë gjërat rreth tij kanë ndryshuar duke u përkeqësuar në mënyrë dramatike. Ndërsa ndjekësit e tij sot janë përfshirë në Akademinë Politike të PS si një brez që politikën e sheh si mjet pushteti dhe pasurimi, pjesa më e madhe e rinisë ka emigruar aq sa që Ramës i duhen turet e diasporës për ta rigjetur popullaritetin. Kjo sepse vendit, mosha e re që dëshiron shkollë, punë dhe jetë më të mirë në Shqipëri është zhgënjyer dhe ka humbur çdo besim tek qeverisja e gjatë autokratike. Mashtrimi dhe Propaganda kanë krijuar një valë të re goditëse dhe të pashmangshme të korrupsionit fakt përballë të cilit sot gjendet drejtësia.
6 Dhjetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)