Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës merr shënim se Endri Fuga, i cili drejton aktualisht Agjencine për Mediat dhe Informimin, organ i propagandës qeveritare krijuar më 2021 nga Kryeministri Edi Rama, ka vendosur të vihet zyrtarisht në dispozicion të Partisë Socialiste në pushtet përgjatë fushatës së zgjedhjeve vendore.
UGSHPD e përshëndet këtë informim për publikun dhe i kërkon Kryeministrit edhe më shumë transparencë për t’iu komunikuar taksapaguesve shqiptarë nëse i është prerë pagesa nga Qeveria Endri Fugës, dhe sa do jetë kohëzgjatja e kësaj ndërprerje rroge. Në një demokraci nuk ka vend për parti- shtet.
Po ashtu, UGSHPD i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të verifikojë nëse transferimi i Endri Fugës nga zyrat e Kryeministrise në ato të Partisë Socialiste kryhet në kushte që nuk favorizojnë financimin ilegal të partive politike.
Së fundmi, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës i kërkon zëvendësuesit të Endri Fuges në krye të Agjencisë qeveritare për Mediat dhe Informimin një prononcim për pyetjen që qeveria ende nuk po ua jep gazetarëve: Në ç’kushte ka përfituar pasaportë dhe immunitet diplomatik Dorian Duçka, ish- këshilltar i qeverisë shqiptare, që shfaqet në aktakuzën e drejtësisë amerikane kundra ish – agjentit të FBI, MacGonigal?
Agjencia për Mediat dhe Informimin financohet me fonde publike. Ajo ka detyrimin t’u përgjigjet pyetjeve legjitime të mediave . Z. Endri Fuga do të ishte i mirëpritur, po ashtu, për një intervistë publike për bilancin e punës së tij dyvjeçare në krye të Agjencisë qeveritare për Mediat dhe Informimin në momentin e largimit të tij për t’i shërbyer Partisë së shefit të tij Kryeministër.
UNIONI I GAZETARËVE SHQIPTARË PROFESIONISTË TË DIASPORËS
VERBAND DERI ALBANISCHER BERUFSJOURNALISTEN DER DIASPORA