Rasti më i fundit, dhuna e ushtruar ndaj gazetarit Gjergj Zefi, përsëriti edhe njëherë dukurinë kur krimi i organizuar ka në shënjestër fjalën e lirë.
Në qoftë se, sipas policisë së Tiranës, ka mbetur njoftimi i dy ditëve më parë : “pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se personi i dëmtuar është shtetasi Gjergj Zefi, 52 vjeç (administrator i një portali), i cili aktualisht po merr ndihmën mjekësore” dhe më tej agresorët “janë larguar në drejtim të paditur”, ky refren i ngritjes së supeve po e bën shoqërinë shqiptare të ndjehet e pasigurt dhe të mbetet e kërcënuar në çdo orë të ditës.
Dhuna verbale mbi median është ndeshur shpesh, kujtojmë këtu etiketimin si “vrasës me pagesë” kur Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i bëri ndaj një gazetareje, kur ajo zbuloi korrupsion në investimet e munguara në djegësin e plehrave. Pra nga dhuna verbale dhe përshkallëzimi në lëndim fizik vetëm në pak muaj tregon se ndjeshmëria e parandalimit dhe ndëshkimit me forcën e ligjit mungon. Rastet janë shumta dhe të shprehura në forma të ndryshme, por duke e analizuar këtë kapërcim, nga dhuna verbale (normë), deri në dhunë fizike (fakt) dhe kur përgjegjësit nuk ndëshkohen, kjo shpalosje e bën UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), që të dënojë me forcë dhe të kërkojë ndërgjegjësimin qytetar që të angazhohet për marrjen e masave të menjëherëshme për mbrojtjen e sigurisë së jetën e shtetasve.
Këto shprehje të përsëritura që kanë gjetur shprehjen e frikës me formën e kërcënimit të vazhdueshëm janë dëshmia e realitetit të sotëm shqiptar që shkon përtej lajmit në kronikën e zezë. Qeveria e cila ka përgjegjësinë dhe detyrën e mbrojtjes së jetës dhe sigurisë së shtetasve ka mbetur vetëm në ushtrimin e propagandës politike dhe të arrogancës në një kohë kur opozita zgjohet, mediat shprehen, bota sheh ndërsa krimi duket se po drejton vendin.
UGSHPD i fton shqiptarët ta shohin më gjerë dhe me përparësi situatën pasi KËRCËNIMI i kthyer në normalitet në jetën e shoqërisë sot po përbën një rrezik të madh. Janë jo vetëm mediat të kërcënuara që përcjellin kronikën e zezë, për grabitje bankash, vrasje, rrahje të dhunëshme, votues të ndrojtur në qendrat e votimit, veprime bandash të trafiqeve dhe deri tek kërcënimi i jetës së prokurorëve së fundmi që po tregojnë se krimi po ndjehet i lirë dhe ka aftësi dhe epërsi të gjunjëzojë vetë shtetin.
I vetmi mjedis mediatik ku ky fenomen nuk pasqyrohet është ATSH-ja (Agjencia Telegrafike Shqiptare), organi i propagandës së pushtetit që propagandon vetëm arritje.
Asnjë kronikë e zezë veç sukses it shihet në të.
Shprehet me bujë sipërmarrja e “operacioneve të koduar” që qendrojnë si tituj filmash, por në rrjetë përfundojnë vetëm pak kokrra. Ca më keq kjo situatë vishet me një tjetër ngjyrim kur rendi dhe policia studiojnë ngritjen e strukturave të reja që do t’i shërbejnë sezonit turistik të ardhshëm, pasi 2023 priti 8.3 mil turistë.
Kjo është farsa e qeverisjes së dështuar që është mbërthyer prej krimit dhe korrupsionit duke kthyer për qytetarët kërcënimin në një normalitet.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)