Është interesante të mos vlerësosh “tërmetet” që media i cilëson për të bërë dhënien e një lajmi kur muaji Shtator nis me dorëheqje dhe largime nga detyra të njerëzve me poste si veprimtarë politikë dhe përkrahës të elitës së Rilindjes Socialiste dhe të mos shohësh paralelisht pozicionimin e propagandës partiake që vendet e lira të jenë paraprirë nga koncepti i thellimit të reformës që Rama udhëheq në mënyrë kapilare tek çdo institucion.
Publiku për fat të keq merret dhe shijon hamendjet se kush u zëvendësua me kë (?) dhe jo të kuptojë në thelb se asgjë nuk ndryshon pa e larguar me votë jo i thjeshtë keq qeverisjen, por korrupsionin dhe ligjshmërinë në tre mandate.
Kështu ndodhi me tre ndryshimet ministrore kur edhe pse ishte një ditë pushimi zyrtar presidenti Bajram Begaj firmosi dekretet përkatëse. Një zhdërvjelli që u pa edhe nga mediat të cilat tashmë takimet informale të Ramës në Tiranë, Shëngjin, Tepelenë dhe gjetkë i ka bërë shpesh nga njëri sezon turistik në tjetrin.
Arsyet se përse çalon, ekonomia, rendi, shëndetësia, arsimi, papunësia dhe përse popullsia shqiptare largohet, pra përgjegjësitë kurrë nuk merren sepse çdo ministër i ri në detyrë nuk ka arritur ende të njihet kur atij/asaj i vjen njoftimi i largimit. Kështu ndodh edhe me drejtorët dhe vijimësia krijon një boshllëk ekzekutiv të cilin e di, e kupton dhe e zbaton vetëm autoriteti i kryeministrit.
Duke parë nisjen e sesionit të ri të kuvendit të Shqipërisë vetëm në pak ditë vëren se dorëheqjet janë shtuar. Një e tillë ndodhi edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH Alfred Peza, në tentativën e dytë, por për këtë rradhë të cilësuar dorëheqje e parevokueshme. Peza u zgjodh në periudhën e bumit turistik, në muajin Qershor 2024 me votë unanime nga Këshilli Drejtues i RTSH-së.
A ishte ky unanimitet zgjedhja e duhur? Apo konflikti i interesit dhe të qenurit e tij sipas CV së shkurtër të ATSH-s:“Alfred Peza ka punuar si gazetar, redaktor, analist mediatik, pedagog dhe drejtor i Përgjithshëm i disa mediave. Në periudhën 2013–2017 ka shërbyer si deputet dhe nënkryetar i Komisionit të Medias dhe Arsimit në Kuvendin e Shqipërisë”.
Ekzekutivi kapilar i administratës dhe i institucioneve nga Rilindja Socialiste duke mos përjashtuar propagandën janë veç kapjes së pushtetit dhe ngritjes së influencave një tregues i kërcënimit real të pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.
Duke i ndjekur me vëmendje këto zhvillime UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), vlerëson se Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik* ka dhe luan një rol të madh për të kuptuar rëndësinë e zhvillimit të tregut mediatik shqiptar dhe që mbron fjalën dhe mendimin e lirë për të monitoruar dhe eliminuar propagandën e pushtetit të kapur. Sidomos në këtë periudhë të re zgjedhore që po afron institucionet shtetërore-publike mediatike si RTSH, ATSH, AMA sikurse dhe radio televizionet me platformë kombëtare të mbrojnë pavarësinë, identitetin dhe krijimtarinë e tyre përmes konkurrencës në treg dhe jo si paradhoma të partive politike apo marrëveshjeve politike për drejtuesit që zgjedhin.
Në rastin e Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në sesionin e ri vumë re ndryshim në pozitat drejtuese dhe interesimin për një agjendë të ngjeshur pune që pret rezultat ku u përmendën veç të tjerash arsimi dhe sporti si përbërës me rëndësi, por një platformë e plotë për median dhe diasporën këtë komunikim të rëndësishëm informimi me shqiptarët në emigracion ne ende nuk po e shohim.
Vlen të theksojmë se diaspora ka nevojë të dëgjohet për rëndësinë e zërit dhe veprimit të saj kryesisht nga gazetarë dhe media profesionale që pasqyrojnë jetën e shqiptarëve kudo që ndodhen si dhe përgatitjet e tyre se si do të votojnë më parë se sa ky informacion t’i jepet publikut nga organizatat e ndryshme qeveritare që sigurisht bëjnë punën e tyre jo si ekspertë dhe profesionistë në media, por si bashkëpunëtor me median brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Vota e diasporës është një sfidë e fjalës së lirë dhe e informimit profesional që ndihmon ndryshimin dhe zhvillimin e Shqipërisë ku pavarësisht se njerëzit lëvizin lirisht nëpër botë, lidhjet ushqehen dhe mbeten të përjetshme.
____________
*Sesioni i VII-të i Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Shqipërisë: Kryesia e komisionit: Ina Zhupa – Kryetare (PD), Evis Kushi- Zëvendëskryetare (PS), Lindita Buxheli – Sekretare (PS). Anëtarët e përhershëm të komisionit: Eduard Ndreca (PS), Teuta Ramaj (PS), Ilir Metaj (PS), Ilir Topi (PS), Blerina Gjylameti (PS), Florenc Spaho (PS), Dasantila Tahiraj (PS), Enslemvera Zake (PS), Meri Markiçi (pa grup), Agron Gjekmarkaj (PD), Flutura Açka (PD), Andia Ulliri (Demokraci dhe Integrim), Eralda Bano Tase(PD), Kastriot Piroli (PD), Merita Bakiu (PD), Orjela Nebijaj (PD). Anëtarët zëvendësues: Fadil Nasufi (PS), Ismet Beqiraj (PS), Luljeta Bozo (PS), Petro Koçi (PS), Lavdrim Krrashi (PS), Sorina Koti (PD), Arbi Agalliu (PD).
6 Shtator, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)