Mbeten gjithnjë të pashtershme historitë me personazhet e peshkatarëve dhe të gjuetarëve ku shpesh hyrja në rrjedhën e tyre na zbulojnë situata shumë qesharake, por prej tyre zakonisht morali është i njohur. Zmadhimi nga njëra anë, por edhe gënjeshtra dhe dredhitë dalin si aftësia rrëfimtarëve të cilat na tregojnë në thelb disa cilësi të rëndësishme. Për peshkatarët janë ato se si duhet; ta ushqesh vendin, të dish ta hedhësh rrjetën, ta tërheqësh grepin kur peshku i bie, si të rrëshqet ngjala dhe në fund si ta gatuash në tjegull apo ta bësh tavë. Por tre moralet që nxjerrim se”A kape gjo!”, “Peshku në det dhe tigani në zjarr” dhe ai më i rëndësishmi që lidhet me gjuhën politike është se “Peshku qelbet nga Koka”. Të gjitha këto lidhen bukur me historinë e “gjahtarëve rilindas socialistë” që si grup parlamentar (74 deputetëve), u mbyllën si në një kuti konserve në “Fish-City” në Fushë Labinot të Elbasanit. Media hamendësoi se çfarë mund të ndodhte, një pikturë e madhe me figurën e kryeministrit Rama aty ishte vendosur dhe se pronari i biznesit Gjergj Luca si nikoqir i takimit u duk se e pati eksluzivitetin e portretizimeve të disa protagonistëve për t’i publikuar në rrjetet sociale.
E gjithë kjo pavarësi për të drejtat dhe liritë e një individi në pronën e tij është legjitime dhe kuptohet se ka vlerën e publicitetit aq sa i zoti i jep. Pas saj shkëmbimi i mesazheve mes tij dhe publikut shkon me rënie të lirë në rrjetet sociale për pëlqimet, mospëlqimet dhe komentet.
Mbajtja e takimit të grupit të deputetëve socialist, mbledhur në një vend, në një datë dhe orë të caktuar si dhe brenda një kohe të caktuar (7-8 orë), i tejkalon përmasat e lajmit për situatën në të cilën kalon vendi. Disa media u morën pikërisht me këtë, ndërsa ATSH dhe RTSH nuk e përmendën takimin thuajse të mos ishin njoftuar fare se ai do të ndodhte apo do të ishte zhvilluar.
Të gjitha këto pasi tashmë kanë kaluar disa ditë dhe ende nuk ka një analizë mediatike, e cila në raste të tjera do t’i shqyente studiot televizive nuk ndodhi. Nuk ndodhi nga se shumica e kanaleve nuk e kanë bërë ende “nxemjen” sepse ato sapo kanë filluar sezonin e ri, apo zhurma dhe hamendësime kanë më tepër rezultat për propagandën kur qeveria e ushqen median me frontin e opozitës me ngjarjet e fund javës dhe Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve të reja e kërcënuar nga korrupsioni.
Vetëm në një artikull të Shqiptarja.comgjen agjendën e takimit të Grupit Parlamentar PS për datën, orën, sesionet dhe diskutantët që shtrihen gjatë 4 orëve.
Asgjë ende nuk ka dalë në sipërfaqe, por aq varietete sa ky grup palamentar ka në një pellg ku flitet për “Sfidat Parlamentare”, Komisionet e Posaçme në Integrimin Evropian, Mirëqeverisja dhe Korrupsioni, Dezinformimi, Strategjia e Komunikimit dhe Sfidat e veprimtarisë parlamentare të deputetit, janë së bashku disa çështje shumë të rëndësishme politike për qeverisjen e Shqipërisë. Ato mund të jenë të denja edhe me dyer të mbyllura kur mazhoranca politike bën strategjinë e saj, por transparenca e munguar deri tani dhe mbyllja e dyerve tregon se si nën ujë shumë varietete dhe rrasate peshqish “dinë” të rrëshqasin, mbijetojnë dhe të veshur me politikë dhe pushtet, janë jo vetëm grabitqarë ku i madhi ha të voglin.
Sado që opinioni qytetar me reagimin e vet tregon interesimin ose jo, kur vjen fjala për diasporën pasi Luca i ka nxjerrë në breg disa protagonistë të elitës rilindase duke i portretizuar ata/ato, deklarata e Taulant Ballës krahë qafë se :“…besoj se që të gjithë do të bashkohen me ne në realizimin e këtij momenti historik të votës së vëllezërve tanë që jetojnë në diasporë…”, jep shumë nga ky tregim.
Si mund të kuptohet ky mesazh kur Rama nuk ra në grepin e opinioneve?
Ai ruajti “madhështinë e pikturës së udhëheqësit” që ishte përgatitur me këtë rast, i heshtur për qëllimin e takimit me dyer të mbyllura të Grupit parlamentar të PS, por i vëmendshëm për rëndësinë e mjeteve të propagandës që në strategjinë e komunikimit më rezultative të arritur deri tani kanë silurimin e opozitës dhe pluralizmit për të vendosur një sistem autokratik të partisë shtet.
16 Shtator, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)