Ashtu sikurse Gjykatat po vonojnë dhe po vazhdojnë të pengojnë njohjen e Partisë Demokratike (të Vërtetë) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kreu pikërisht para protestës së 20 Shkurtit formalitetin burokratik të shtetit për të ndarë 345.6 milion lekë për 11 subjekte politike. Lajmi i thatë zyrtar i 20 Shkurtit, 2024 përmes ATSH (agjencisë së propagandës së qeverisë) cilësoi se ; Në mbledhjen e drejtuar sot nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u shqyrtua projektvendimi “Për shpërndarjen e fondeve vjetore partive politike në formën e ndihmës financiare vjetore për vitin 2024”.
Pra u shqyrtua një projekt vendim dhe kjo të lë të kuptosh se komisionerët e partive politike kanë kontribuar aty dhe në bazë të performanzës politike të subjekteve formula ‘për ta ndarë tortën’ apo për ‘ta hapur thesin’ është bërë përkatësisht për 11 parti politike. Përderisa ky projektvendim ende nuk ka marrë formën përfundimtare të paktën sipas burimit të lajmit sipas ATSH (i cili as më shumë dhe as më pak është protokoll i zëdhënsit të KQZ), duhet ngritur pyetja:
A janë apo jo të kënaqur anëtarët dhe simpatizantët e subjekteve politike me këtë vlerësim për partitë e tyre?
Kjo pyetje mund të shihet fillimisht në tre drejtime kryesore. 1- Formaliteti i KQZ, 2- Subjektet politike fasada dhe 3- Performanca e pavlerësuar e subjektit politk.
1- Formaliteti i KQZ. Në një ditë të caktuar ashtu sikurse edhe gati një vit më parë dhe nga i njëjti burim lajmi ATSH më 22 Shkurt 2023; “KQZ përcaktoi sot sasinë e fondit të buxhetit të shtetit që do t’u shpërndahet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023″.
Ky fond ishte mbi 97 milion lekë dhe u shpënda pë 14 subjekte politike. pra brenda 1 viti nga buxheti i shtetit financimi i Partive Politike kushton 346,6 milion lekë + 97 milion lekë= 443,6 milionë lekë. Si një vit më parë edhe sot formulimet për nevojat e zgjedhjeve janë të motivuara në mënyrë burokratike pasi paratë nga buxheti i shtetit janë një formalitet herët ose vonë do të dalin nga arka e tij. Por motivimi dhe gjuha me të cilën komunikohet me publikun qoftë edhe përmes një lajmi mbetet shumë për të dëshiruar. Si në 2023 dhe 2024 termat e përdorura janë “do t’u shpërndahet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet” dhe “në formën e ndihmës financiare vjetore”.
Argumenti që ngrihet lidhet me situatën politike të vendit. Njerzit janë të pakënaqur dhe të pa përfaqësuar ndërsa pushteti i kapur dhe harta e dominimit partiak shpërndan paratë nga buxheti ishtetit pra pasurinë e taksave të qytetarëve njëherë si paradhënie dhe herën tjetër si ndihmë financiare. Kjo është vlera morale e shtetit që drejton. Edhe kur mendon se bën transparencë me paratë gabon thellësisht me moralin pasi vendi është në tkurrje popullsie, në tkurrje ekonomike dhe përkundrazi në bum elite politike. A e ka komoditetin e paradhënies dhe të ndihmës financiare një familje shqiptare sot apo qoftë edhe një vit më parë kur po afronin zgjedhjet. Absolutisht që jo.
2- Subjektet politike fasada. Historikisht në shqipëri janë quajtur që me fillimet e pluralizmit, parti sa një furgon udhëtarësh, të cilat për efekt të përfitimit financiar, godinave nën pronësi dhe posteve të ofruara nga partitë në pushtet kanë treguar se ishin instrumente të nevojshme për të anuar votën dhe kartonin në parlament. Demokracia ishte në fillimet e saj dhe gjatë këtij tranzicioni 33 vjeçar njihen rreth 150 subjekte politike, me logo dhe vula ku ideologjitë në publik në shumicën prej tyre po vërtetohen si jo të përqafueshme. Subjektet politike “më luftarake” në këtë dhjetë vjeçar të fundit njihen ato parti më të afërta për aleanca dhe në mes tyre partitë fasadë ose “të lidhura padukshëm” me pushtetin. Një e tillë që merr financime në miliona lekë është Partia Demokratike e Vulës, ose Partia e Bashkëkryetarëve për Reformën Zgjedhore 2025 e cila nuk u përfaqësua në protestën e 20 Shkurtit, 2024, por dëshmoi publikisht se jo vetëm ky fraksion nuk është më forca reale opozitare që do të sjellë ndryshimin, por që është palë me keq qeverisjen aktuale dhe proçeset më tej të zhvillimit të shoqërisë shqiptare të dhunuar nga korrupsioni.
3- Performanca e pavlerësuar e subjektit politk. Është të kuptuarit e forcës reale të popullsisë së pakënaqur dhe e opozitës së bashkuar që e treguan veten me protestën e mijëra qytetarëve në Tiranë me 20 Shkurt. Pikërisht kjo forcë nuk përfaqësohet as me financën e KQZ dhe as me pjesëmarrjen në tryezën e Komisionit tË Posaçëm të reformës Zgjedhore i cili nuk ka funksionuar prej dy vitesh dhe për më tepër këtë lum njerëzor proteste që përkthehet në zgjedhës dhe ushtrues të votës së lirë e lënë jashtë të drejtës për të zgjedhur përfaqësimin e tyre.
Korrupsioni i qeverisë me blerjen e “aleatëve politik” janë sot fytyra e vërtetë e mosfunksionimit të kuvendit ku çdo seancë çelet e rrethuar me gardistë. Qytetari votues shqiptar sot i çdo krahu politik ka mundësinë të kuptojë se sa afër diktaturës jemi, se si pluralizmi po shkatrohet dhe bashkë me çdo kërkesë për ndryshim e Drejta, Morali dhe Njerzit e duhur për ta bërë Shqipërinë janë jetike.
22 Shkurt, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des journalistes professionels albaniase de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)