Duam Rrugë! është thirrja e vazhdueshme e protestuesve të Thumanës që përfaqësojnë 85 mijë banorë të zonës dhe mbi 1000 biznese që përfundimisht janë ndarë jo vetëm thjeshtë fizikisht nga segmenti Thumanë-Kashar pjesë e Korridorit Blu, por janë ajo pjesë e popullsisë shqiptare që duhet të ndjehet me diskriminuara dhe më e revoltuara për padrejtësitë vendimmarrëse të qeverisë Rama, kompanisë koncesionare ndërtuese me 35 vite përdorim dhe përgjegjësive të Kuvendit të Shqipërisë për të kaluar këtë projekt shumë milionësh dhe thellësisht politik që është trajtuar nga propaganda e Rilindjes Socialiste.
Më 13 Gusht, 2024 banorët zhvilluan protestën e pestë paqësore për të bllokuar aksin rrugor në Thumanë. Ata u ndeshën me rezistencën e fuqishme të forcave të Policisë së Shtetit, FNSH (Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë), RENEA (Reparti i Neutralizimit të Elementëve të Armatosur), forcat “Shqiponja”, zjarrfikës dhe efektivë civilë të cilët kanë përforcuar qëndrimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku një ditë më vonë me 14 Gusht, se banorët e Fushë Krujës dhe të Krujës janë të paralajmëruar për përdorimin e forcës në rastin e protestave që synojnë bllokimin fizik të autostradës.
Rrumbullaku është shprehur se:- “E drejta për tubuar është e drejtë e kujtdo, por e drejta për ti ndërprerë një të drejtë përdoruesve të rrugës e prone publike është të mos bllokohet autostrada. Do të veprojmë sipas ligjit. Kemi të bëjmë me një autostradë të kategorisë A 1 respektojmë dhe garantojmë të drejtën e protestës por në asnjë rrethanë cilido që kalon në paligjshmëri do të përdoret forca e përshkallëzuar sipas kritereve dhe rrethanave”.
Këtë e përcollën mediat të cilat ndoqën një deklaratë të drejtorit të policisë së shtetit gjatë një deklarate mbi “arrestimin e dy eksponentëve të krimit të organizuar në Dubai”. Por fakti që qeveria nuk është fare e shqetësuar për gjendjen edhe pas protestës së pestë dhe ka nën mbikëqyrje sezonin turistik mbi higjienën dhe pastrimin e plazheve duke angazhuar edhe forcat e ushtrisë sepse zjarret masive janë bërë të pamenaxhueshme dhe i janë lënë vullnetarizmit apo ndihmës emergjente të BE-së. Këto situata kur kjo qeverisje shijon pushimet janë jo vetëm shprehja e papërgjeshmërisë por edhe e kaosit që ushqen autoritarizmi i kryeministrit Rama, pasi është ai që tërheq me çdo fije interesat dhe spërkat me foto dhe mesazhe në rrjetet sociale propagandën turistike në Shqipërinë e rrënuar prej mijëra problemeve që ka shkaktuar korrupsioni.
Por le t’i kthehemi segmentit të Korridorit Blu, Thumanë-Kashar. Banorët do ta vazhdojnë protestën, por ata kanë kuptuar se qeveria hesht jo vetëm se ka shkuar thjeshtë me pushime, por ajo “i ka larë duart” me kontratën. Pronari koncesionar do të jetë aty 35 vjet dhe përplasjet e banorëve me policinë do të jenë të vazhdueshme deri sa zëri të dërgohet aty ku duhet dëgjuar.
Banorët nuk kanë nevojë as që të goditen dhe as të shpërndahen me ujë hedhes dhe me granata gaz lotsjellëse, por ata duhet ta hedhin në gjyq shtetin dhe ta nisin problemin që prej aty kur ai ka filluar si projekt i qeverisë dhe ka kaluar me forcën e kartonit në kuvend. Pra të ngrihet padia civile mes qytetarëve dhe shtetit. Banorët mund të bashkohen për të ngritur fonde dhe hartuar ligjërisht çështjen dhe të përfaqësohen me një grup avokatësh. Drejtësia e zgjidh problemin duke respektuar shtetin e së drejtës. Daljet e munguara në aksin Thumanë-Kashar janë diskriminuese për banorët.
Duke u kthyer pak në kohë me fillimet dhe gjatë ndërtimeve të aksit rrugor Kashar-Thumanë për autostradën A1 duhet thënë se banorët e zonës kanë qenë aty dhe i kanë bërë të njohura problemet dhe shqetësimet në prani të medias, të përfaqësuesve deputetë të kuvendit, por deri tani duket se ata nuk janë dëgjuar. Më 30 Qershor, propaganda nxitoi ta përuronte aksin Thumanë-Kashar si rruga e bumit turistik, por fatkeqësisht jemi shumë larg. Arroganca dhe papërgjegjshmëria e qeverisë ka acaruar protestën dhe përplasjen fizike të banorëve me forcat e policisë dhe ndërhyrjes speciale.
Por përse ndodh diskriminimi i 85 mijë banorëve dhe mbi 1000 bizneseve?
Sepse koncepti dhe strategjia e Rilindjes Socialiste ka qenë që në fillimet e saj e gabuar, kujtoni vitin 2019 kur në muajin Janar të atij viti, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku anuloi kontratën me kompaninë gjermane “Gener 2” për ndërtimin e këtij aksi, por më pas në muajin Korrik Gjykata Administrative e Apelit urdhëroi ministrinë që të përcjellë për miratim kontratën në Këshillin e Ministrave. Projekti infrastrukturor Partneritet Publik Privat me kosto 245 milionë euro. Vlera totale e ndërtimit të aksit Thumanë-Kashar 21 km, u caktua 245 milionë euro, ndërsa kompania e rikthyer në kontratë “Gener 2” gjatë 35 viteve do të mirëmbajë strukturën rrugore dhe do të marrë taksat nga fluksi i qarkullimit të automjeteve që do ta përshkojnë aksin dhe vlera e shumës përfundimtare parashikohet të shkojë në 307 milionë euro.
Drejtuesit e automjeteve do të paguajnë një taksë të kalimit mes trarëve për një shumë mesatarisht 2.5 euro duke përfshirë dhe TVSH-në, por 85 banorët që i ndan autostrada kanë humbur komunikimin në kohë, në copëtim pronësie dhe në cilësi shërbimesh dhe emergjencash pasi edhe rrugët dytësore janë tejet të amortizuara dhe ndanë saj nga lindje-perëndimi nuk ka mbi dhe nënkalime për qarkullime.
Projektet infrastrukturore të qeverisë Rama gjatë mandateve 2 dhe 3 tregojnë për një mungesë profesionalizmi për zgjidhjet strategjike në dobi të zhvillimit ekonomik të popullsisë vendase. Qëllimi i vetëm propagandistik me në qendër turizmin dhe shfaqjen ndërkombëtare për justifikim të përdorimit të fondeve publike dhe ndihmave të BE-së përbëjnë një nga temat e rëndësishme që shpërdorimet e pushtetit mund të vendosen nën lentën zmadhuese “follow the money”, ndiq paranë.
Përderisa drejtësia vonon dhe publiku ndodhet gjithnjë mes turbullirës që krijojnë lajmet dhe propaganda e pushtetit, një gjë mbetet e qartë nga vetë deklaratat e ministres Balluku në Korrik 2024, kur ajo i drejtohej një segmenti tjetër që përfaqëson autostrada Adriatiko-Joniane, atij të segmentit Milot-Balldren;-“… kjo zonë në përgjithësi dhe qyteti i Lezhës në veçanti, kanë një potencial të madh ekonomik dhe turistik. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në këtë segment jo vetëm që do të mundësonte zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të zonës, por edhe lehtësimin e trafikut në këtë zonë gjithmonë e më të frekuentuar nga pushuesit vendas e turistë të huaj”.
Pra 85 mijë banorë që vazhdojnë të protestojnë, nuk janë pjesë e loteve të rëndësishme infrastrukturorë të ekonomisë dhe turizmit, por janë shijuesit e gazit lotsjellës, ujë hedhësve dhe ndeshjes me policinë kur protestojnë për ngritjen e një të drejte të qenësishme për jetën e tyre, mbajtjen e familjeve, zhvillimin e bizneseve etj.
Ndeshja me protestë paqësore me policinë duhet zhvilluar paralelisht me ngritjen e një çështje ligjore kundër qeverisë.
Kjo qeverisje është aq egoiste, arrogante dhe e papërgjegjshme në vendimmarrje sa që as propaganda për infrastrukturën dhe turizmin nuk e ndihmon.
Ka vetëm një vit që Rilindja Socialiste e ka marrë Shkodrën, ndërtimi Milot-Balldren do të prodhojë të njëjtat efekte ekonomike dhe sociale sikurse edhe izolimi i zonës së Krujës (lexoje Rrethimi i Krujës), në qoftë se shqetësimet e publikut nuk dëgjohen. Nga ana tjetër kur flitet për konceptet strategjike infrastrukturore të Rilindjes Socialiste që i kanë dhënë tashmë provat, ja vlen me vend të përmendim shprehjen e goditur humorit shkodran të kohëve të fundit.
“Çelësi në n’ Shkodër e bira n’ Vlorë”!
Pra, ajo e lidhjes së Shqipërisë me Evropën ku autostrada Adriatiko-Joniane, hyn në Shkodër dhe mbahet drejt tunelit të Vlorës. Ndërmjet tyre dhe atë çka autostrada ndan janë problemet që do t’ju lindin shqiptarëve të zonës me ekonominë, zhvillimin, kohën, pronat, diskriminimin etj. përgjigje të cilat nuk mund t’ua kërkojnë dot qeverisë sepse ajo i ka shitur parcelat për përdorim 35 vjeçar tek koncesionari.
Një qeverisje e keqe nuk mund të shahet thjesht për korrupsion, por për paaftësinë dhe mendësinë e papërgjegjshme që ajo ka me përdorimin e fondeve dhe pronës publike.
14 Gusht, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)