Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) përshëndet vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në takimin e datës 16 prill.
Ky hap historik është rezultat i qëndresës dhe ecurisë që nga fitorja e pavarësisë duke kurorëzuar rrugën shtet formuese të Kosovës, shteti më i ri që pritet t’i bashkohet familjes evropiane muajin e ardhshëm.
Marrja e vendimit lidhet me zbatueshmërinë e të gjitha protokolleve të kërkuara nga organizmat e Këshillit të Evropës përfshirë edhe mekanizmat monitoruese të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut . Rekomandimi i Asamblesë Parlamentare legjitimon përmbushjen e parametrave evropianë të Kushtetutës së Kosovës, dhe zotimeve të kërkuara për anëtarësim krahas përparimit të vendit në fushën e luftës ndaj korrupsionit.
Me 131 vota pro nga totali prej 170 votash, ku 29 ishin kundër dhe 11 abstenime, dita e Martë 16 Prilli mundësoi hedhjen e hapit të sigurt për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Vendimi përfundimtar do të merr më 16 Maj 2024 nga Këshilli i Ministrave i 46 vendeve anëtare.
Pranimi i Shqipërisë më 13 Qershor, 1995 në Këshillin e Evropës duket si një vit i largët, ndërsa afrimi i Kosovës këtë vit rrit optimizmin e popullsisë shqiptare në dy shtete që të përpiqen me të gjitha forcat për ta ruajtur pluralizmin, demokracinë në vendet e tyre duke iu bashkuar shëndetshëm vendeve të qytetëruara evropiane në fushën e ekonomisë së tregut të lirë dhe forcimit të shtetit të së drejtës. Veç të tjerave, anëtarësimi i mundëson Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Këshilli i Evropës deklaroi se e konsideron votën e djeshme parlamentare si një “katalizator për Kosovën” drejt forcimit të demokracisë, zbatimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe përmballjen me sfidat që janë përpara.
16 Prill, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)