Kryeministri Rama do t’i rikthehet vizitës së dytë brenda harkut të një muaji në SHBA. Pas Sesionit të 79-të të UNGA-s më 21 Shtator edhe përse mediatikisht vëmendja u rrëmbye nga një intervistë në New York Times dhe fjalimi në OKB mbi idenë e formimit të një shteti Bektashi (“Albania is planning a new Muslim state inside its capital”), fryrja për një lajm me diasporën dështoi si mision. Ai u propagandua si një “bashkëbisedim me përfaqësuesit e 100 shoqatave të shqiptarëve të Amerikës”, por që rezultoi në vetvete si një tubim i ngushtë si për nga pjesëmarrja, po ashtu i stisur e i realizuar mbi lidhje grupesh dhe me pyetje të paracaktuara, i ngurtë për problematikën e trajtuar, skematik dhe propagandë e mirëfilltë e pranuar në heshtje. Pra ndryshe nga sa mund të presësh prej mendjeve të hapura dhe gjallëria e drejtpërdrejtë në komunikim që kanë audiencat që realizojnë shqiptaro-amerikanët e integruar prej vitesh në emigracion me jetën e tyre.
A është ky takim i 26 Tetorit diçka më shumë?!
Kjo përpjekje e re ende nuk ka parë ftesën personale përmes Facebook-u apo ‘X’ për diasporën nga ana e Ramës.
Pra dikush është duke u marrë me përgatitjet.
Por media është mësuar me kryeministrin Rama. Ajo “e di” dhe “e ndjen” se si ai e ruan ndonjë surprizë. Rama i ndan ato me përshëndetjet nga një “Mirëmëngjesi në një selfi-je” që flet sa 1000 fjalë për patronazhistët. Ajo mund të jetë një kilometër i ri i një rruge i sapo shtruar shtruar. Mund të jenë turistë që pushtojnë bregdetin apo ndonjë kafshë të egër nën kërcënimin e zhdukjes pranë aeroportit që ndërtohet. Mund të jetë një shkollë apo pemë për të cilën është kujdesur Erion Veliaj dhe shumë të tjera si këto nga përditshmëria e qeverisjes. Por momenti i befasisë si mjet i propagandës dhe sidomos kur futemi në një vit elektoral, ky fakt i vizitës së përsëritur në SHBA duhet të jetë me pritshmëri interesante.
Ndërsa për nga përditësimi ende ATSH-ja nuk ka nisur ndonjë sinjal dhe të jetë shprehur se Kryeministri u nis drejt SHBA-së për të motivuar udhëtimin e tij si dhe për të justifikuar ditët që ai do t’i mungojë ekzekutivit dhe Shqipërisë, kjo dinamikë mes heshtjes dhe surprizës bashkë ka ekzaltuar një ndër gazetat digjitale shqiptare e cila zbulon në një vend ndodhje pranë ‘Time Square -NY’, reklamën për tubimin e shumëpritur nga organizatorët, por të cilit është mësuar se do t’i bashkëngjitet edhe një protestë.
Këto janë disa nga zhvillimet paraprake.
Ndoshta Rama ka mundësi që t’i befasojë amerikanët dhe shqiptarët bashkë edhe me ndonjë program mëngjesi pasi kanalet kombëtare televizive amerikane më të shikuarit në këtë kohë të garës presidenciale ndodhen në ‘Time Square -NY’.
Kjo do të ishte ‘qershia mbi tortë’ për çdo socialist, pas hapjes së grup kapitujve me BE.
Gjasat do ta tregonin rastin si të tillë se do të ishte i mirë sponsorizuar me këtë, por publikut mund t’i kujtohet se me 5 Nëntor, mbahen zgjedhjet për presidentin në SHBA dhe këto janë lëvizje të rrezikshme në karrierën e një politikani.
Përpos kësaj hamendjeje le të mbetemi në një temë interesante që lidhet me përgatitjet e takimit Rama-Diaspora SHBA.
Prej sa kohësh Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën Taulant Balla ndodhet me vizita të gjata pune jashtë shtetit dhe së fundi në SHBA. Sipas ATSH, Balla bën lajme çdo ditë. Diku në një takim me studentë universiteti (Harvard), diku më parë nderohet me çelësin e një qyteti (Bergen-New Jersey), dhe pak më herët gjatë javës ka shtrënguar duart me Zj. Violeta Berisha, kryetare bashkisë në Fairview New Jersey.
Asgjë shqetësuese nuk vjen nga takimet e një zyrtari të Kuvendit të Shqipërisë që takohet me diasporën, qoftë ky edhe Taulanti. Por kur përcillen lajme zyrtare të ditë pas ditshme përmes ATSH-s dhe prej andej në mediat digjitale se “Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh dhe drejtues i Partisë Socialiste për diasporën, Taulant Balla” …dhe “Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri Balla e ka falenderuar” etj. etj. kjo tregon se propagandë-politika e Rilindjes Socialiste është kthyer në normalitet komunikimi me publikun. Ndikimin, influencën dhe parapërgatitje për të siguruar pjesëmarrjen për takimin e ardhshëm të Ramës në Manhattan i blejnë me çdo çmim. Një ministër shteti në fushatë me paratë e taksapaguesve shqiptarë apo të Partisë Socialiste, prej ditësh ndodhet në SHBA, madje i rikthyer si rilindës për ta plotësuar misionin si takim me diasporën..
Nuk do të ndalesha në mesazhet tipike protokollare dhe korrekte që këto takime zakonisht përbëjnë dhe janë për t’u vlerësuar si raste kontakti dhe bashkëpunimi, por shitja e propagandës e vret dhe e dëmton thelbin e lidhjes me diasporën.
Do të duhej të ndaleshim në këtë rast edhe për anën formale, por edhe për një saktësim historik.
Ana formale lidhet me përcjelljen në media të mesazhit ku Balla shprehet se: “Kjo është një arritje jo vetëm e juaja personale, por është një arritje e të gjitha grave dhe vajzave shqiptre, sepse ju jeni e para vajzë dhe grua shqiptare e zgjedhur në një detyrë publike kaq të rëndësishme në SHBA. Ke bërë krenare jo vetëm familjen tënde, por ke bërë krenarë të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet dhe vendet ku jetojnë”.
Ndërsa saktësimi, sikurse edhe përpjekja për ta bërë me tepricë lajm-propagandën ku rilindasit-socialistë do të zhvillojë takime me bashkatdhetarë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhen me mungesën në fotot e ilustruara të pranisë së shqiptarëve nga diaspora dhe e dyta Kryetarja e parë e një Bashkie në SHBA nga një familje me origjinë shqiptare i përket Zj. Konstantina B. Lukes, Worcester-Massachusets (2008-2010). Zj. Lukes ishte pjesë e valës së emigracionit pas LIIB dhe ka pohuar disa herë se pjesëmarrja e saj në politikë dhe qeverisjen vendore lidhet me ndjenjën e lirisë së individit pasi ajo “provoi kohën kur Shqipëria ishte një shtet që qeverisej nga një diktator dhe ku shtetasit kishin mbetur të izoluar dhe nuk kishin asnjë mundësi të dilnin jashtë vendit”.
Këto detaje janë të rëndësishme për politikën si dhe marrëdhëniet që shteti amë ndërton dhe i mban lidhjet me diasporën. Njohja duhet të jetë e thellë, komunikimi mjaft i sinqertë dhe shumë i respektueshëm për të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve, besimit apo krahinave prej të cilave ata janë detyruar ta lënë vendlindjen. Kanë qenë valët e para të emigrimit mbi një shekullore apo edhe me ato të viteve ’90-të e më pas që kanë ruajtur dashurinë për Shqipërinë. Bashkësia shqiptaro-amerikane i nderon dhe i feston sot ditën e flamurit dhe të pavarësisë si për Shqipërinë dhe Kosovën. Janë me dhjetëra sheshe, monumente dhe rrugë që mbajnë emrat e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit, Nënë Terezës dhe Fan Nolit, të shkrira dhe të mirëpritura në jetën amerikane, ashtu sikurse dhe lidhja me atdheun ka mbetur e shenjtë dhe nuk pranon të cenohet nga interesat e politikës.
Në qoftë se për interesa politike zbritet sot në diasporë për të vjelur votën dhe jo për ta respektuar këtë të drejtë që diasporës ja ka njohur Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, atëherë lidhjet e shqiptarëve me atdheun do të dëmtohen rëndë dhe pse jo qëllimshëm.
Ky moment është historik për shqiptarët sepse prej SHBA fryma e patriotëve ndihmoi përpjekjet për pavarësi dhe shtet Shqiptar më 28 Nëntor të 1912-ës. Lidhjet u thyen, por edhe u rikthyen më të fuqishme pas viteve ’90-të për t’u zhvilluar në të gjitha fushat ku vepron liria dhe shqiptarët sado larg, treguan se kudo e ruajtën gjuhën dhe traditat. Por në dekadën e fundit politikat personale mbi interesin e kombit e kanë vonuar ecjen e shëndetshme të demokracisë. Korrupsioni po e vret vendin ngadalë dhe në vend të krenarisë shqiptarëve u duhet t’i sjellim me dhimbje në vëmendje vargjet thirrje të Andon Z. Çajupit: E dashura mëmëdhe, të dua dhe kshtu si je! Po kur të të shoh të lirë do të të dua më mirë. *
Përse tani kujtesë për diasporën?!
Për t’i dalë në krye shtjellimit më lart na duhet të përforcojmë të vërtetat të cilat janë edhe më të thjeshta në mënyrën se si shqiptarët e kuptojnë dhe e duan njëri tjetrin pa politikë-propagandën e interesave..
Prej disa vitesh të shkuara qeveria socialiste nisi idenë e “Samitit të Diasporës”. Dhe mbajti takimin e parë në Tiranë 18-20 Nëntor 2016. Një ide që u përsërit sipas konjukturave edhe dy herë të tjera dhe ku vetë qeveria nuk u mjaftua institucionalisht që ta quante herë Ministri, herë Agjenci apo edhe të lënë si një degë nën hijen e një ministrie në një kohë kur gjatë mandateve të korrupsionit qeverisës, shpërbërja e ndjenjës kombëtare ka detyruar mbi 1 milion shqiptarë të emigrojnë për të gjetur punë dhe kushte më të mira jetese se vendlindja.
Sot nuk ka më vlerë që politikanët t’ua venë në dukje krenarinë shqiptarëve në emigracion, por ata duhet të udhëheqin drejtë dhe t’i ngrenë dinjitetin dhe mirëqenien shqiptarëve dhe familjeve të tyre në atë vend të bekuar.
Kjo është koha e kthesës e cila kërkon ndërgjegjen dhe përpjekjen e të gjithë shqiptarëve që kombi të marrë frymë lirisht, të zhvillohet prej punës dhe aftësive të lira krijuese të gjithsecilit që ka besim në zot dhe tek e ardhmja.
25 Tetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)