UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës) shpreh shqetësimin e tij mbi formën e përmbajtjen që debati politik, insitucional e publik ka marrë mbi detyrimin Kushtetues të votës së emigrantëve.
UGSHPD e gjen aspak demokratike e jo në shërbim të së drejtave legjitime të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut, përzgjedhjen e kufizuar dhe përjashtuese të KQZ dhe Kuvendit Shqiptar në debatin e rëndësishëm mbi votën e Diasporës. Vërejmë që në tryezë ulet vetëm një shoqatë emigrantësh dhe nuk ftohen të marrin pjesë individë, organizata dhe grupime profesionistësh të diasporës.
UGSHPD, edhe pse nuk ju krijua lidhja sipas njoftimit mbi veprimtarinë ndoqi përmes rrjeteve sociale Konferencën me temë “Votimi jashtë vendit-rruga përpara” ku nga diaspora shqiptare ishte e ftuar vetëm një shoqatë e shtrojmë shqetësimin pasi shqiptarët jetojnë në 5 kontinentet dhe kudo të arritshëm. Që këtu fillon vullneti i mirë për ndërgjegjësimi dhe pjesëmarrje.
Kujt i shërben kjo pjesëmarrje e reduktuar?
Kjo shoqatë është vetëm një dhe nuk e ka tagrin të përfaqësojë e të flasë në emër të komunitetit e disa milionë shqiptarëve dhe të hartojë drafte që janë përgjithësuese dhe ndoshta të pjesëshme për nga ngjyrimi i kudo ndodhur i shqiptarëve në diasporë e që ende sot nuk janë bërë publike.
Me kë nga grupet e shoqata e tjera të emigrantëve shqiptarë janë konsultuar?
A është ky përfaqësim individual me parapëlqim të KQZ, apo KQZ ka nevojë të zgjerojë përfaqësimin dhe përmbajtjen?
Kushtetua e Shqipërisë garaton të drejtën e votës për shqiptarët brenda e jashtë kufijeve. Kujt i shërben kjo humbje kohe me hartime draftesh dhe burokraci ligjore e institucionale që kanë kërkuar dhe vendim të Gjykatës Kushtetuese?
Kujt i shërben kjo farsë politike e publike për të arritur në ekstremis të kohës që limitojnë marrje vendimesh nxituese e që nuk i shërbejnë së drejtës së votës demokratike?
Siç u shfaq qartë dhe nga diskutimi i shumicës pjesëmarrëse në këtë Konferencë, del se ekzitojnë dispozita të mjaftueshme ligjore që vota e emigrantëve të bëhet akt ekzekutiv.
Një shifër interesante e paraqitur ishte ajo e 12.000 shqiptarëve të listuar, të rregullt ose të gatshëm për të hedhur votën sikur zgjedhjet të mbaheshin nesër. Por pa shkuar më larg si e shpjegon qeverisja që vetëm gjatë 2022-2023 qytetit të Lushnjës i janë larguar 20.000 banorë (brenda apo jashtë), kjo pak rëndësi ka tani. Shqetësimi vjen se çdo të bëhet me 4.7 milionë shqiptarë të regjistruar në regjistrat civilë e 2.2 milionë prej tyre jashtë kufijve.
Pra mbi 40 % e shqiptarëve nuk kanë përfaqësues të tyre në Parlamentin e Shqipërisë pasi nuk u është dhënë mundësia e ushtrimit të votës.
Pse e kush e pengoi?
Qeveria në fuqi pa dyshim që si dy vite më parë, e nisi po një proces të tillë farsë që u mohoi shqiptarëve jashtë kufijve të Drejtën Kushtetuese.
Ç’bëri këto dy vite Komisioni Parlamentar (mazhorancë dhe opozitë), mbi hartimin e reformës zgjedhore e votës së Diasporës?
Konferenca e sotme tregoi qartë dy linjat politike ndaj kësaj çështje;
1-Linja e opozitës e cila nuk pranon draft ligje të reja e humbje kohe për një të drejtë kushtetuese të garantuar nga ligji.
2-Linja qeveritare ku është renditur qeveria dhe e vetmja shoqatë e ftuar në tryezën e KQZ nga Diaspora e cila thotë se ka hartuar një draft ligj dhe e ka të dorëzuar tek Kryetarja e Kuvendit Shqiptar Lindita Nikolla. Po Kryetarja si do ta paraqesë draftin, në ç’kohë?!
A janë njohur emigrantët dhe shoqata e tyre përfaqësuese me këtë draft?
Cili është hartuesi i draftit?
Me kë janë konsultuar?
E pse duhet një draft i tillë kur Kushtetuta nuk pengon votën e shqiptarëve jashtë kufijve?
Mendojmë se është e drejta e tyre si organizarë që të punojnë në çdo drejtim për çështjen e votës, por jetën, shqetësimet, sondazhin dhe komunikimin e ka si përgjegjësi gazetaria, gjinitë mediatike.
Ajo që duhet mëshuar në këto limite kohe është; gjetja e mënyrave më të thjeshta, prakticitet, transparencë dhe siguri në mënyrë që demokracia të ushtrohet sa më gjithëpërfshirëse për votën e emigrantëve ku duhet garantuar e drejta e çdo shqiptari për vullnetin e zgjedhjes së tij politike e pavarësisht dy shtetësisë. Si dhe vota e çdo shqiptari pavarësisht komunkimit ose jo të adresës së banimit. Secili me moshë 18 vjeç, që ka të drejtën të jetoj përkohësisht jashtë shtetit dhe ku e lejon privatësia e tij pa ju limituar pjesëmarrja në votim.
Diaspora ka qënë e është një kontribues i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare, Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, remitancat e emigrantëve arritën në 214 milionë euro, duke qenë ndjeshëm më të larta se e njëjta periudhë në çdo vit tjetër pararendës. E po sipas Bankës së Shqipërisë keto remitanca janë burim të ardhurash për 26% të familjeve shqiptare e ndikojnë në rritjen e konsumit, në krijimin dhe mbajtjen e bizneseve të vogla si dhe në rritjen e kursimeve familjare.
E pra e drejta jonë Kushtetuese për të shprehur votën tonë të lirë është një detyrim moral, social, ekonomik e politik i të gjithë aktorëve përgjegjës që deri më sot nuk e kanë bërë të mundur.
Mjaft me humbje kohe, të ekzekutohet me garancitë më demokratike vota e shqiptarëve jashtë kufijve sic e sanksionon Kushtetuta.