Në qoftë se duhet gjuajtur si kurrë ndonjëherë ky oktapod i politikës, i propagandës dhe i mediave që përmes korrupsionit të paparë po i grabit, po i shfaros dhe po pasurohet duke i varfëruar shqiptarët, Bashkia e Tiranës është fatkeqësisht vendi ku drejtësia dhe anija e posaçme SPAK e saj duhet të ankorohet, në Sheshin Skënderbej.
Po bëhet gati një muaj nga një arrestim i bujshëm i 9 zyrtarëve të këtij institucioni të dyshuar për përvetësim, shpërdorim detyre (sikurse ende nuk përmendet influencë e blerjes së votës, pra krim elektoral), dhe gjithçka që është shtjelluar e diskutuar, ku janë ngritur qytetarët në protesta, ku kanë ndodhur arrestime dhe shpërthime flakësh sikurse janë mbajtur qëndrime qortuese dhe leksione demokracie nga vendas dhe ndërkombëtarë, Tirana është edhe ai realitet asgjë nuk po ndodh dhe krimi mbrohet. Askush nuk jep llogari, askush nuk dorë hiqet nga skandalet sepse e vetmja rrugë për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë, është blerja kohë për zhdukjen e fakteve dhe rritja e kaosit përpara se ky oktapod të ngecë në rrjetën apo grepin e drejtësisë.
Për Bashkinë e kryeqytetit tentakulat dhe koka e oktapodit janë aty në atë ndërtesë historikisht gjatë viteve të tranzicionit sepse interesat e pushtetit u qindfishuan jo për të zhvilluar jetën e tiranasve dhe popullsisë në lëvizjen e lirë, por u gjet dhe u zhvillua mbi të gjitha një treg informal. Ende shifrat e Census-it që nuk janë bërë transparente po përdoren shpesh kohët e fundit vetëm nga burimet e qeverisë nga kryetari në detyrë Erion Veliaj ku shprehet me mburrje se Tirana është kryeqyteti më kozmopolitan i rajonit i cili është pesëfishuar dhe i ka arritur apo tejkaluar me 1 milion banorë. Mbi të gjitha Veliaj e shet Tiranën si; “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, “Kryeqyteti Europian i Sportit”, “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut” dhe ku rikonstruksioni ndërtimor vazhdon me rrugët, parqet shkollat, spitalet sheshin Skënderbej, Pazarin e Ri, Parkun e Liqenit, Bulevardin e Ri, duke krijuar një reputacion të jashtëzakonshëm për Tiranën me boom-in turistik”. Të mos harrojmë se disa tregues si rreth 50 mijë apartamente të pa jetuara nga njerëz vetëm në kryeqytet sot po marrin një prirje të re të reklamës së Rilindjes Socialiste për tregun e lirë të banesave nën sloganin “të huajt të interesuar për blerje në real-estate”. Këtë e provoi Lezha me shitjen e 300 apartamenteve, këtë e ka provuar mbarë bregdeti shqiptar me klientë dhe investitorë strategjik, por Tirana mbetet nyja e tregut informal dhe një skemë e piramidë betonizimi që po largon banorët e vet dhe nuk gjen më gjurmë tradite dhe identiteti.
Por se çfarë kanë përfituar banorët e tij veç taksave më të larta, mungesës ujë dhe energji 24/7, ajri i ndotur dhe plehrat si detyrat bazë të bashkisë etj. kjo është gjithnjë pjesë e fushatës së ardhme për të mashtruar dhe qëndruar në pushtet.
Për korrupsionin dhe krimin në zyrat e shtetit shqiptar të cilët gjithnjë e më shumë po cilësohen si veprimtaritë e një organizate mafioze ose grupi të strukturuar kriminal, çka do të thotë se ky konstatim është një realitet që tregon se mes bashkëpunëtorësh vjedhjet e arka e shtetit, përgjegjësia politike zbutet në shpërdorim detyre. Kështu politikanët, analistët dhe mediat po e amplifikojnë Oktapodin dhe tentakulat duke e krahasuar atë me “La Piovra” serialin televiziv italian të viteve të mafies gjatë 1980-ës dhe ky rrëfim është tentohet t’i largohet thelbit, marrjes së përgjegjësive, vlerave morale dhe daljen përpara drejtësisë.
Tek sa për lexuesin media sjell dhe figura emocionale si serialet me “La Piovra”, apo dhe kur shtypi dhe TV ndërkombëtar përforcon shqetësimin e shtetit shqiptar të kapur nga korrupsioni, disa cilësi elementare të Oktapodit (si gjallesë e ujit e klasës së cefalopodëve) ende nuk janë kuptuar. Edhe i mbyllur në një enë me kapak shtrënguar, kjo gjallesë me kokë, membranë në formë ombrelle dhe me zgjatime këmbësh plot tentakula gjen mënyrën dhe del. Çdo e çarë dhe krisje (e ligjit) shfrytëzohet për të shpëtuar nga kapja. Mbi të gjitha në rast rreziku qeska e bojës (lexo gjendra mediatike), i shërben turbullimit të ujit për të humbur çdo gjurmë.
Publiku dhe banorët e Tiranës të gjitha këto i dinë dhe i kanë kuptuar, revolta e tyre duhet shumëfishuar me qytetari duke ftuar drejtësinë dhe SPAK-un që ta ankorojnë anijen e tyre pranë kësaj godine ku është oktapodi i krimit. Në asnjë rast protesta nuk duhet të lëshojë “flakë molotovësh” sepse shkëndijat shndërrohen në shkaqe për fshehjen e gjurmëve të vërteta të dhunës dhe të krimit. Një shtet i kapur i vendosur para drejtësisë ka dy rrugë për t’i shpëtuar zemërimit qytetar, të djegë çdo provë dhe t’ia mbathë në arrati.
23 Prill, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)