Edhe kur njerëzit akoma nuk kanë arritur të freskohen ndopak nga trullosja e vapës si pa kuptuar propaganda e Rilindjes Socialiste flet për me furnizimin me ujë të pijshëm.
Si pa të keq thuhet sipas ATSH se: “Niveli i arkëtimit të të ardhurave në sektorin e ujësjellës kanalizimeve gjatë 7-mujorit u rrit me 7%, duke shkuar në 68.5% nga 61.5% që ishte në të njëjtën periudhë të 2023-shit”.
U rritën të ardhurat sepse është shtuar konsumi apo…?
Në shtjellimin e mëtejshëm të lajmit që jemi ndalur nevoja do të ishte sikurse ta godisje me veten me shpulla veten dhe bashkëbiseduesin nga kjo e “vërtetë”. Të përmendesh nga ky mashtrim, sepse ujin për ta spërkatur veten dhe tjetrin që të vijë në vete nuk ke dhe nga kjo gënjeshtër e madhe janë dy realitete tejet të shtrembëruar.
Politika e qeverisjes dhe varfëria.
Si ka mundësi që në një kohë kur në qendrat e mëdha të banimit, popullsia merr vetëm tre herë furnizim gjatë 24 orëve dhe kur gjatë ditës tubacioni ujësjellës pikon mbi enët “vigjilente” duke shfryrë me pritjen e ardhjes së H2O… shkencë, quhet një rezultat sipas ministres Balluku?
Ajo ka pohuar se:-“Performanca janar-korrik 2024 fakton përmirësim të treguesve teknikë dhe financiarë, krahasuar me një vit më parë. Reduktohet uji pa të ardhura, rriten arkëtimet”, ndërsa arsyetimin më poshtë zv/kryeministrja e shtjellon me faktin që qeveria ka shkrirë 46 drejtori ujësjellësish nga i gjithë vendi duke mbajtur 15 drejtori qendrore.
A u shtrydhën këto 31 drejtori që po prodhojnë furnizim të pandërprerë apo këto 35 drejtori si të ishin masa akullnajore?
Apo mos H20 rrodhi nga përqafimi i politikave globale mjedisore dhe reformave të kësaj qeverisje dhe po japin ujë 24 orë?
Përse deri në këtë nivel edhe abuzimi me gënjeshtrën dhe mashtrimin kur dihet që uji vjen me orar dhe vetëm ata me fat në katet e ultë, tre herë në ditë?
Furnizimi 24 me ujë ishte dhe mbeti refren elektoral i Ramës që prej ardhjes në pushtet.
Por etapa e dytë e gënjeshtrës me këmbë propagande tani në pikun e vapës e ka rritur shpejtësinë duke ju qepur me aksion maleve. Rilindja Socialiste nuk ndalet nga marrëzia dhe hipokrizia kur shpall një fushatë mjedisore në mes të sezonit turistik për pastrimin me moton “10 parqe në dhjetë ditë”.
Kur e lexon lajmin propagandë në ATSH zbulon edhe të vërtetën e frymës së aksionit pasi kryeministri e ka dhënë kushtrimin pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Maleve të Pastra.
Kryeministri bën një raport informativ sa një çarçaf plot me të dhëna dhe të tregon se: “- Zonat e mbrojtura zënë një sipërfaqe totale prej 109 050 hektarësh, 10.5 % e fondit pyjor dhe 3.8 % e sipërfaqes totale të tokës” dhe radhit 10 parqet sipas strategjisë së pastrimit “10 parqe në dhjetë ditë” fondin e (Parku Kombëtar i Dajtit: Parku Natyror i Dajtit, Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës”, Parku Kombëtar “Thethi”, Parku Kombëtar i Lurës, Parku Kombëtar “Mali i Tomorit”, Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, Parku Kombëtar “Llogora”), …sikur të mos jetë në këtë realitet që pasuritë pyjore të keq menaxhuara po digjen dhe për shuarjen e tyre si dhe mbajtjen në kontroll veç vendasve po ndihmon dhe BE-ja Rama flet për malet e pastra?
Po!
Të përpirë nga flakët dhe të shpëlara nga reshjet më të pastra pyjet Shqiptare s’ke më për t’i gjetur. Por që ky pastrim bëhet në “kulmin e sezonit turistik” dhe të shtiret fryma e aksionit si një edukatë ndërgjegjësuese për publikun prej Rilindjes Socialiste, ku propaganda i vë në gojë fraza dhe informacion kryeministrit në një kohë kur Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka vetëm disa pika shënjuese në një hartë se si administrata e detajon drejtimin e kësaj motoje, kjo gënjeshtër e dytë nuk shkon fare. Faqja respektive e AKM-së (Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura), ka vetëm një paragraf dhe një hartë ilustrim. Ndërsa se kush janë grupi i punës, specialistët, studiuesit, financat dhe përfitimet pas ndotjes turistike dhe zjarreve, këtë do ta mësojmë në 2025.
Po, po në vitin 2025, koha kur qeveria është zotuar të nisë fluturimet transoqeanike nga aeroporti i ngritur mu në zemër të Lagunës së Nartës, Pjesë e Vjosës Park Kombëtar, pasuri e Biodiversitetit dhe Gjallesës me rëndësi botërore.
Tek ky rast i tretë, hipokrizia që buron prej paaftësisë dhe amatorizmit me të cilën po drejton vendin Rilindja Socialiste, kjo propagandë ka arritur në tallje prej Ramës dhe ATSH. Duhet sqaruar se duke përmendur burimet dhe fondin fotografik të VOA-së (Zërit të Amerikës në Shqip), ky kryeministër flet për Flamingot. Frymëzohet dhe ja shkruajnë sepse nuk ka mundësi që Rama të mos e kontrollojë së paku realitetin rreth vetes kur thotë:-“Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit”. Në qoftë se edhe këtë ja kanë bërë prapa shpine atëherë masa e gënjeshtrës dhe e mashtrimit ka marrë dhenë jashtë zyrave të kryeministrisë, ku vetëm aty nuk ka korrupsion.
Si është e mundur që të përshkruhet bukuria e kolonive shtegtare të flamingove në Lagunën e Nartës me një etje sadizmi për gjallesën që do të shfaroset, në një kohë kur VKM-të dhe koncesionet janë kryer nga ai kabinet, me Ramën kryeministër, që kjo Lagunë e Nartës të presë ulje ngritjet e avionëve dhe vetëm Vlora të jetë pritësja e mbi 1 milion turistëve gjatë 2025.
Etja e pushtetit nuk është shuar. Rilindja Socialiste ka projektuar politikat e Shqipërisë drejt Evropës 2030.
Një optimizëm dhe garë e paparë që vetëm një propagandë autoritare mund ta ushqejë, por deri atëherë do të jetë vonë në qoftë se ndërgjegjja qytetare nuk reagon sepse burimet natyrore të Shqipërisë largqoftë do të jenë tharë.
20 Gusht, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)