AEROPORTI NDËRKOMBËTAR I VLORËS NJË MASAKËR MBI NATYRËN SHQIPTARE (Propaganda e socialistëve në pushtet është premtimi elektoral që përditë me asfalt dhe beton po shkatërron Folenë e Shqiponjave)
Ky cilësim i dhimbshëm është një qëndrim nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD), për mbarë opinionin publik rreth masakrës mjedisore dhe papërgjegjshmërinë e politikës shqiptare që zbaton në dukje projekte “për zhvillimin bashkëkohor të vendit” duke shkretuar gjallesën pikërisht në ato mjedise natyrore të cilat janë rreptësisht të mbrojtura dhe të përcaktuara si një nga fondet më të rëndësishme të pasurisë dhe të larmisë së jetës së gjallesës së planetit.
Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë, është një ndër katër zonat me biodiversitet shumë të pasur dhe të rëndësishme jo vetëm për natyrën shqiptare, por edhe për Mesdheun dhe më gjerë.
Bregdeti i Shqiptar ka rreth 150 km2 sipërfaqe ligatinash, tokë, pyje dhe gjallesë në grykë derdhjet e lumenjve, liqenet dhe lagunat përgjatë detit Adriatik (Karavasta, Patok, Viluni, Kune-Vaini, Orikumi). Laguna e Nartës është njëra prej zonave të pasura të natyrës dhe e katërta për nga rëndësia mes atyre si (Karavasta, Shkodra dhe Ohri në juglindje që janë zona me rëndësi ndërkombëtare të njohur si IBA, harta Ramsar). Në këto zona dimërojnë 70 lloje shpendësh ujorë shtegtar ku folenizojnë dhe riprodhohet një popullatë prej 180 mijë shpendësh. Mesatarisht në secilën tyre inventarizohet lëvizja e rreth 20 mijë shpendëve. Laguna e Nartës është peizazhi i mrekullueshëm i natyrës për të cilat shoqëria shqiptare, institucionet mjedisore dhe qeveria duhet ta mbrojnë dhe të krenohen përpara ndërkombëtarëve.
Vetëm gjatë 30 viteve të tranzicionit Shqipëria mundi të përfshihet në marrëveshje ndërkombëtare ku u hartuan politika strategjike të mbrojtjes së biodiversitetit. Pra megjithëse kjo përvojë u ngrit dhe u institucionalizua mbi bazë të shpenzimit të miliona dollarëve dhe u shfrytëzuan autorë dhe burime intelektuale studiuesish, prej 2019 Laguna e Nartës, u piketua si një shesh ndërtimi strategjik dhe fitimprurës për pushtetin. Nga projekti në letër i një plani për ekoturizmin, ajo u shndërrua fatkeqësisht në një pistë aeroporti për fluturime.
Përfytyrojeni si duhet këtë projekt.
Nuk është pista prej 3200 metrash që pushtohet. Por rrotull saj parashikohen ndërtesa dhe një infrastrukturë e domosdoshme sa të ishte sheshi i një qendre të madhe qytetase me njerëz, rrugë, ujë, energji dhe transport gjatë 24 orëve të ditës. Veç tyre ne duhet të përfytyrojmë edhe ulje-ngritjet e fluturimeve ku rrezja veprimit zgjerohet me dhjetëra kilometra për rreth peizazhit të bukur natyror. Edhe pse këshillimet e para ishin për aeroporte të vegjël pa këtë ndikim shkatërrues në mjedisin natyror, dikur ishin hedhur idetë për aeroporte vendore për zona pranë Delvinës dhe Gjirokastrës etj.
Asgjë nuk u mor parasysh(!).
Por që të mos ju duket një prirje për t’i zmadhuar apo për të qenë të ashpër dhe kritik ndaj qeverisë, ky krahasim duhet të bëhet i qartë për të gjithë ne shqiptarët. Sot ne kemi përpara syve tanë janë dy realitete të cilët ne mund t’i kthejmë në anën e duhur të historisë. Ne na duhet të shprehim që në fillim se ligjet dhe normat ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës janë anashkaluar me dijeni të plotë nga qeveria shqiptare. Transparenca me publikun është maskuar qëllimshëm përmes një propagande politike të rrezikshme dhe se në Shqipëri kjo njëanshmëri e pushtetit po njeh jo vetëm ushtrimin autokrat të qeverisjes së kryeministrit. Ai ka kapur monopolin e plotë mbi pasuritë natyrore të vendit duke i shfrytëzuar ato si kredi politike dhe pasurim të një elite njerëzish. Ky gllabërim i Lagunës së Nartës tregon qartë se kryeministri shqiptar e shpreh veten si i plotëfuqishëm që është ai që zgjedh, ai që vendos ai i shpërndajeni në duart e bashkëpunëtorëve të tij dhe kompanive të parapëlqyera, “copa” të pasurisë kombëtare.
Ne do t’ju parashtrojmë disa nga treguesit dhe publiku le t’i bëjë vetë vlerësimet. Ne vërejmë se edhe pse ligjet janë të shkruara dhe janë bërë të njohshme për të gjithë, ato nuk arrijnë dot të ngrihen në nivelin e debatit mbarëkombëtar.
Ky mos diskutim i tyre me ndershmëri në platformat publike, është edhe ajo pjesë që i mungon vazhdimisht vëmendjes së medias së lirë shqiptare. Por shumë shpejt edhe kjo që po ndodh tani përpara syve tanë si edhe vetë strehës, brenda kufijve të territorit shqiptar, kjo po tregon se jo vetëm media ka humbur misionin e saj luftarak, por ajo është bërë sipërfaqësore dhe palë me pushtetin. Në qoftë se media bashkohet me politikën dhe pushtetin deri në këtë pikë atëherë faktet që duhen trajtuar çdo ditë “harrohen” dhe fundosen qëllimshëm. Nga monitorimi i shpejtë i kësaj periudhe del qartë se mbulimi me lajmet qëndron si 1/70 për ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e mjedisit në raport me punimet dhe me ndërtimet e aeroportit, hotelerinë e ardhshme turistike në grykëderdhjet e lumenjve etj.
Për këtë gjendje UGSHPD i drejtohet publikut dhe politikës shqiptare, institucioneve mjedisore vendase dhe ndërkombëtare me shumë shqetësim për të ndaluar dhe rishikuar vazhdimin e ndërtimit e Aeroportit të Vlorës që ka marrë këto përmasa shtrirjeje. Të gjitha ligjet dhe kriteret janë shkelur.
Me këtë që me shpejtësi që shkatërrimi po ndodh, pyetja shtrohet: -A do të kemi në të ardhmen kullat e vrojtimit të zogjve ku mendohet të mbarështohet natyra dhe të zhvillohet ekoturizmi nga popullsia vendase apo do të duhet të vazhdohet të ndërtohen skelete gjigandë me hekur dhe beton për kullat e kontrollit dhe të pistave që do t’i japin drejtim fluturimeve transoqeanike në Vlorë?
Po ju paraqesim një krahasim më poshtë fare të thjeshtë që publiku të qartësohet me problemin.
Ato për hir të së vërtetës ashtu sikurse dhe qindra akt marrëveshje dhe tërësi rregullash ndodhen në vendimet e marra dhe në dosjet e transparencës. Megjithëse ato ekzistojnë, vullneti për të shprehur këtë shqetësim është ndrydhur dhe kurrë me dashje ato nuk do të arrijnë të dalin në sipërfaqe. Janë zëdhënësit e qeverisë dhe mediat pa nerv profesional që trajtojnë vetëm propagandën partiake. Të dyja bashkë e kanë më të lehtë të zhurmojnë për “arritjet” dhe të sakrifikojnë dijen e shkencore të studiuesve shqiptarë të shekullit të kaluar, të rishfaqur në lidhjet e reja me botën pas izolimit me fillimin e viteve ‘90-të. Ndërsa tani në 20 vitet e para të mijëvjeçarit të ri dogma politike e ka fundosur dijen dhe vlerën e studiuesve shqiptar dhe pa dhimbje shkatërron natyrën.
Sa për përgjigjen ju këshillojmë që të mos lodheni!
Gjithshka është kryer hapur dhe aspak në mënyrë të fshehtë, por fare hapur dhe më qartë në letra, vetëm se e mbuluar me propagandë politike. Respektivisht janë drejtuar kërkesa për zbatimin e legjislacionit ndërkombëtar, raporte për të tërhequr vëmendjen, por asgjë nuk është kryer, madje është shpejtuar drejt rrugës më të gabuar.
Duhet theksuar se kushtet më të favorshme për të mashtruar, qeveria shfrytëzoi kohën gjatë pandemisë. Pikërisht atëherë kur globalistët më të thekur, kundërshtarë të fluturimeve monitoronin uljen e gjurmëve të karbonit në atmosferë duke krahasuar përfitimet e gjallesës dhe pastërtisë së ujërave nga pezullimi i fluturimeve ajrore dhe ndërprerja e pjesshme e transportit dhe e industrisë, qeveria shqiptare me hipokrizinë më të madhe shtyu projektin për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Popullsia shqiptare që në të përditshmen përjetonte rreziqet e humbjes së jetës, varfërinë, dëshirën për t’u larguar nga vendi, kufizime dhe vështirësi të shumta që nga shtrëngesat e shërbimit shëndetësor, mungesa e lëvizjes së lirë e deri tek varfërimi ekonomik i kishte dhënë qeverisë njëngjyrëshe rastin më të mirë dhe dorën e lirë që veç të tjerave të shpaloste me demagogji këtë projekt shkatërrues të natyrës dhe sot pas tre-katër viteve në vazhdim publiku po njihet pareshtur nëpërmjet shtypit dhe ekranit për këtë masakër mbi natyrën shqiptare në mënyrën e kundërt. Një “bum” infastrukturor modern i rajonit i ushqyer nga deliri i madhështisë.
Fillimi dhe vazhdimi i punimeve mbi Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë për të ndërtuar një aeroport ndërkombëtar, fsheh në të vërtetë përmasa ndërkombëtare të katastrofës natyrore dhe humanitar në qoftë se shqiptarët nuk veprojnë të ndërgjegjësuar për të mbrojtur natyrën dhe jetën e gjallesës.
Për median, ky nënvizim, duhet të jetë titulli kryesor lajmit deri në fund të betejës. Sa herë që qeveria do të dalë pas qëndrimit tonë, si për të raportuar mbi ecurinë punimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, shtetasve shqiptarë dhe publikut i duhet sqaruar se ky është vetëm një thellim i masakrës mjedisore që po i bëhet Shqipërisë nga drejtimi politik i saj me një skemë kulmore mashtrimesh.
Kjo gjendje ka çuar deri aty sa ministrja përgjegjëse e mjedisit, zv/kryeministrja dhe vetë kryeministri i shfrytëzojnë veprimtaritë rreth e rrotull Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe kthehen në aktorë kryesorë. Herë të tjera sipas lartësisë së shfaqjes ata kthehen në ciceronë që nuk harrojnë asnjë detaj për arritjet në Parqet Kombëtare dhe në të tjera projekte të natyrës. Ata sy për sy shmangin me absurditet edhe kundërshtitë që barten mbi këtë realitetit ku përgjegjës për shkatërrimin e asaj që po ndodh janë ata vetë. Për ironi të transparencës shpesh qeveritarët kthehen sforcohen edhe në autorë shkrimesh, bëhen publikues të fotove dhe videove dhe kthehen misionarë me ndikim në të gjitha rrjetet e mundshme sociale. Pra përveç lojës së aktorit detyra ua kërkon që këto të reja t’ua përcjellin ATSH-s të gatshëm si lajm dhe prej andej ky institucion tani për tani “më i besuari” bëhet i vetmi përçues që ushqen lajmet brenda vendit duke mbushur gazetat dhe radio-televizionet me një realitet të përpunuar dhe të ndërtuar mbi një gënjeshtër të madhe.
Nga monitorimi vërehen përsëritje javore të së njëjtës temë në mediat pro qeverisë. Hidhen lajme të sheqerosur duke treguar se me mjedisin po punohet dhe se po merren vendime shumë të rëndësishme ndërkombëtare. Thithen investime, zhvillohet infrastruktura, zhvillohet ekonomia, zgjerohet turizmi dhe merren çmime. Ndër më të fundit është edhe mburrja me natyrën e egër shqiptare promovohet edhe jashtë vendit.
Lumi Vjosa u shpall “Park Kombëtar” dhe ai futet në histori si lumi më i egër në Evropë duke marrë të gjithë shkëlqimin e vlerave të qeverisjes. Por se çfarë do të ndodhë me Lagunën e Nartës që është pjesa organike e këtij ekosistemi, këta aktorë kryesorë heshtin. Lajmet mungojnë, flitet me shifra vetëm për investime, stil turistik jetese dhe madje kur ndonjë individ apo organizatë mjedisore synon të ndërgjegjësojë banorët dhe publikun për rëndësinë e kësaj natyre të pasur që po keq menaxhohet, mendjet e varfra të militantëve politikë që shohin përfitimin nga propaganda e pushtetit, vërsulen me etiketime të ngjashme sikurse edhe vetë ato të fjalorit të kryeministrit.
E nëse i madhi flet për “tigra dhe mace” nga Tepelena në rastin e egërsisë së Lumit Vjosa, (referohuni në lajmet e ATSH-s), përkrahësit e politikës së tij përçmojnë qëllimet e veprimtarëve mjedisor; Ne “na duhet aeroporti dhe jo harabelat!”, kështu shprehen militantët.
Nënvleftësimi i problemit, buron nga gjuha e vetë kryeministrit që me mendjemadhësi i përcjell publikut dhe specialistëve se ai është i plotpushtetshëm dhe që vendos për gjithshka. Nuk do të shkonim më tej në analiza të fjalimeve dogmatike të përziera me batuta siç ishte rasti i Tepelenës në Mars 2023, por të tilla subjekte i gjen me shumicë tek ATSH-ja dhe në mediat e përditshme që kanë treguar se nuk arrijnë të mbajë dot qëndrime.
Mungesa e profesionalizmit për lajmin theksohet dhe media dhe po tregon se është shndërruar në një shitblerje interesash me pushtetin.
Nga kjo problematikë dhe mënyra se si mbulohen lajmet do të ndalojmë në një nga më të fundit që vazhdon ta mbajë ngrohtë rëndësinë e Aeroportit të Vlorës dhe për më tepër shpreh kujdestarinë e drejtpërdrejtë të vetë kryeministrit. Pra i vetmi burim, një si ATSH-ja (lajm në 13 Qershor, 2023) e ndërton të tillë lajmin;
– … “Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje të kantierit teksa bëri të ditur se ka filluar të marrë formë dita-ditës.”.
– “Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës ka filluar të duket në sipërfaqe e që po merr formë dita-ditës, për ta shndërruar atë në një tjetër portë të madhe për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shqipërinë për ta vizituar e për të pushuar”…
Pa qortuar penën e kryeministrit dhe oratorinë e tij të njohur, redaktorët kaq pranë tij nuk mungojnë për ta përcjellë me servilizëm mesazhin. Ata i ngjajnë jo më pak sot agjencive si ato të Koresë së Veriut , Kinës apo edhe diku tjetër, sepse ndërtimi vazdon “karvani i tij shkon për para”.
Ne publiku, i bie të lehim(!)
Shumë faleminderit për konsideratën ATSH, shumë faleminderit shoku kryeministër.
Por a ka qëndrim gazetarie në këtë rast?!
Ju lutemi të lexoni faqet në internet të qeverisë dhe mediave pro saj që pasqyrojnë vetëm arritje dhe vetëkënaqësi.
Ju kërkojmë ndjesë që nuk po e shtjellojmë më gjerësisht përmbajtjen e lajmit pasi që në fillim juve e vini re se është vetë kryeministri që merr gjithmonë përsipër dhe i thotë të gjitha dhe me të gjitha detajet. Bën shkrepjet, përshkruan përfitimet ekonomike, punësimin, zhvillimin e investime dhe tërheqje turistike e deri tek fotot me këndvështrimin e një kantieri ndërtimi. Mediat nga ana e tyre vetëm i bëjnë jehonë atij dhe asnjëherë nuk arrijnë të gjejnë dot një zë ndryshe, një qëndrimin kritik për t’i treguar me vërtetësi publikut se ky aeroport është masakër mbi natyrën.
Sikur të pyesim se kush fiton dhe kush janë humbësit, një përllogaritje e shpejtë vlera e 104 milion € për ndërtimin e objektit, mbetet borxh koncesionar që do të shtrihet mbi taksapaguesit për 30 vitet e ardhshme (me shumën prej 138 milion €), por pavarësisht interpretimit të shifrave ky çmim do të jetë fare i papërfillshëm në raport me dëmin që shkaktohet. Shtrimi me beton dhe asfalt fillon me Lagunën e Nartës dhe ajo do të kthehet si “njolla ekzistuese e aeroportit të vjetër” e cila shkatërron pa kthim gjallesën. Pas saj në qoftëse shqiptarët nuk do të jenë ta parandalojnë shkatërrimin, betonizimi i gjithë vijës bregdetare të Adriatikut deri në Shkodër do të jetë kërcënuar. Mashtrimi filloi me shpjegimet teknike se aeroporti i Vlorës ndërtohet mbi “njollën ekzistuese” të aeroportit prej 60 viteve më parë. Ndërsa gënjeshtrat thellohen me deklarata të tjera të qeverisë me atë që ky aeroport nga modest për nevojat e brendshme tani kthehet në një aeroport i përmasave ndërkombëtare, me lidhje direkte me kontinentet e tjerë dhe i aftë të përballojë kategorinë “4E”, avionët gjigandë, transoqeanikët. Por le të bëjmë një hap pas në arsyetim.
Çfarë rreze rreth aeroportit i duhet një avioni gjigand, të drejtojë uljet dhe ngritjet në një kohë kur ambjentalistët kanë monitoruar dhe kanë dhënë shembujt e sjelljeve të frikës së shpendëve kur në ajër ndjehet prania e dronëve që fotografojnë dhe xhirojnë video të peizazhit? Sa i papërfillshëm do të jetë për gjallesën një avion transoqeanik vetëm 500m larg ujit të lagunës aty ku shpendët e ujit jetojnë?
A është menduar se fuqitë motorike bëhen shurdhuese dhe përzënë gjallesën e shpendëve njëherë dhe përgjithmonë?
Po ndotja e ajrit dhe e ujit?
Përpara se të shpalosen projektet e detajuara të aeroportit a janë vendosur përbri qindra dokumente të inventarizimit të florës dhe faunës së Lagunës së Nartës dhe të bëhet vlerësimi i ndikimit në mjedis?
Përse ky shkatërrim duke futur në borxhe popullin?
Përgjigja është Jo dhe fare e pjesshme.
Kjo paaftësi dhe ky korrupsion duhet vendosur përpara ligjit dhe të tilla sipërmarrje me motive propagandistike të politikës socialiste duhen ndalur. Kanë kaluar shumë vite dhe premtimet e pushteteve janë të mjerueshme. Shqipëria pretendon se po përfaqësohet duke u integruar ne Evropë, por ky rast flagrant i ndërtimit të një aeroporti mbi rezervat e burimeve shekullore jetës së gjallë, është e trishtueshme.
Me këtë qëndrim, UGSHPD ju fton ju Shqiptarë që e doni kriporen e Nartës, për Ju shqiptarë që i doni banorët e Akërnisë, për Ju shqiptarë që mbroni tokën, detin, pyjet, lumenjtë, natyrën, zogjtë dhe botën e gjallë, që të mos të heshtni deri këtu. Kjo katastrofë natyrore nuk ka të ndalur dhe po shpreh më së miri mënyrën rrugën më e shkurtër të përfitimit që zgjedh mendësia e korruptuar në qeverisje që kurrë nuk mendon për popullsinë e saj, por ka ditur të përshtasë duke përkthyer së prapthi rrethqarkullimin dhe zinxhirin ushqimor të jetës duke u shndërruar grabitqarë të përkohshëm në këtë terren.
Kohët e fundit edhe çështjet gjyqësore të organizatave mjedisore janë rrëzuar nga gjykatat e shkallës së parë në Tiranë. Nuk ka asgjë për t’u dëshpëruar. Apelet do të vazhdojnë dhe ndërgjegjësimi i popullsisë shqiptare dhe i diasporës do të rritet.
Të prishësh ekuilibrat e natyrës e shprehur kjo më thjeshtë është shkëputja e lidhjeve miliona vjeçare të ligjeve të natyrës. Drita e diellit, toka, uji, gjallesa janë baza e përkryerjes së planetit tokë, me jetë dhe me begati të pafund. Ky ekuilibër mban përfitimin e burimeve energjetikë, zinxhirin ushqimor dhe burimet e energjisë vetëm në qoftë se njerëzit janë të ndërgjegjësuar dhe e kuptojnë vendin dhe rolin e tyre për ta ruajtur dhe mbarështuar këtë ekuilibër.
Në këtë tërësi faktorësh qëndron një fjalë e urtë e Jugut të Shqipërisë, aty ku edhe Vjosa e egër kalon: -“Duaje Atdhenë si Shqiponja Folenë”… por po nuk i mbrojtëm dot të dyja, humbja do të rëndojë mbi të gjithë ne sot dhe, mbi ndërgjegjen tonë më pas sepse propaganda e një forcë politike që i ka gllabëruar të gjitha kyçet e shoqërisë shqiptare tani nuk i ka mbetur asgjë tjetër veç se të shpërdorojë pasuritë e rralla të natyrës dhe të vërë në lojë simbolet kombëtare.