Kjo nuk është një pyetje që i drejtohet vetëm 1/3 së popullsisë shqiptare që jeton dhe punon sot jashtë atdheut, por i drejtohet mbarë hapësirës shqiptare ku jetojnë dhe punojnë njerëzit e thjeshtë që i dallon një gjuhë, një kulturë, traditat dhe historia e përbashkët dhe si bashkëkombës ata/ato i drejtohen Shqipërisë dhe e thërrasin Amë.
UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), me këtë përcaktim tregon se secili shqiptar i ikur nga vendlindja dhe i kudondodhur në planet ka jo vetëm lidhjen simbolike si “bijtë e shqipes” që kanë qenë të detyruar të emigrojnë, por shumë herë më tepër ata kanë mbetur të dëshiruar për t’u kthyer në vendlindje.
I parë me këtë vështrim nga lart prej fluturimit të çdo zogu shqiponje (biri të shqipes), foleja buzë Adriatikut dhe Jonit që përqafon lartësitë nga malet e jugut dhe deri në alpe e bjeshkë mbetet foleja e gëzimit shpirtëror e çdo bashkëkombësi që puth tokën kur ulet dhe përlotet kur merr sërish fluturimin dhe largohet prej saj, folesë Shqipëri.
Ndjenja e afërsisë, emocioni rroken dhe që nuk kërkojnë shpjegime. Dashuria buron vetiu dhe është e pa paragjykuar sepse është aty, në Shqipëri ku ruhen lidhjet e një gjaku mes shqiptarëve, jeton bota e shumë vlerave që duhen zhvilluar më tej përmes gjuhës, besimit, muzikës dhe valleve, kostumeve folklorike, traditave dhe zejeve, prej artit, letërsisë, kulturës, por edhe prej shkencës, pra një fond i çmuar që njerëzit duhet ta ndeshin në historinë e trashëguar dhe mbijetesës së identitetit shqiptar.
Por fatkeqësisht ka raste që shumë prej tyre nuk mund ta shijojnë thjeshtë atdheun si të tillë, sepse propaganda dhe marrëzia e politikës dhe e keq qeverisjes mendon ta përzgjedhë diasporën për t’ia marrë suksesin, vlera që nuk ja jep dot shqiptarëve brenda vendit e që gjithsekush ta gëzojë dhe shijojë vendlindjen për së gjalli. Shumë shqiptarë prej vitesh që detyrohen të ikin, largohen për të jetuar të lirë, të marrin në dorë fatet e veta për të mos i shërbyer më regjimeve politike të tranzicionit 33 vjeçar.
Duhet kuptuar mirë se shqiptarët emigrantë të ndershëm, që kanë besim në Zot dhe në Komb e duan atdheun jashtë ndarjes politike. Shqiptarët emigrantë janë edhe mundësia e parë e vetëdijes qytetare demokratike, janë provë e integrimit me botën e zhvilluar, kanë të renë me vete që vjen nga energjitë e pastra mbi edukatën e punës, dijet konkurrencën e ndershme dhe drejtësinë.
Pra kjo ndërthurje vlerash që përbëjnë virtytin e trashëguar dhe këto ndjenja e ftojnë pjesëmarrjen e shqiptarëve për t’u gëzuar me data të shenjta historike.
Dita e Flamurit ka 111 vite veçorinë e zbulimit të natyrshëm të miliona lidhjeve jete që janë të trupëzuara e tashmë pulsojnë, përçohen dhe ushqehen nga gjaku dhe nervat tek çdo shqiptar. Kur i ndjen dhe i jeton këto lidhje arrin të kuptosh se nuk je më një vizitor apo turist në Shqipëri, por e vlerëson veten dhe e thua me plot gojë se ndodhesh në folenë tënde dhe je kthyer për ta ndjerë me mall vendlindjen.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionnels Albanaise de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGAPD)