Cilido shtetas shqiptar apo turist i huaj që planifikon të vizitojë Tiranën tani dhe për disa vite më pas do t’i duhet t’i heqë kryq vizitës për në Muzeun Historik Kombëtar pas datës 15 Mars 2024. Këtë e njoftoi përmes Facebook-ut administrata e institucionit dhe ai shpërnda menjëherë në mediat me formulimin më telegrafik të mundshëm me fjalën “RIKONSTRUKSION” si dhe togfjalëshin se Muzeu Historik “UL ose MBYLL QEPENAT” diku nga një kanal ditor Tv i cili para pak kohësh shpjegoi dhe analizoi gjatë shkrirjen në një të Ministrisë së Ekonomisë me Ministrinë e Kulturës. Pra fjala “qepen”, që i shkon për shtat një njësie modeste tregtare, një tezge apo një kioske në ekonominë e tregut, merr edhe plotkuptimin e kësaj reforme institucionale të qeverisjes së Rilindjes Socialiste se; aty ku nuk ka përfitim ekonomik, bien qepenat dhe menjëherë lindin ide dhe plane të reja gjigante mu në zemër të kryeqytetit me afat kohor 4 vjeçar, pra si ky i Muzeut Historik Kombëtar.
Për këtë qëllim po mundohemi të japim japim disa drejtime të analizës dhe prej tyre për shkak dhe të së përditshmes që jetojmë në një sistem të korruptuar mendimet të shpien larg me ndjesinë e një pyetje, dhe ato mbështeten në dyshime të përditshmërisë , të ndjekjes së faktit që shpesh nuk gabon dhe synimit të paraqitjes të së vërtetës. Ndarjet e analizës vijojnë sa më poshtë;
Turisti: Çdo muaj në Shqipëri jepen grafikë propagandistikë dhe shifra. Vetëm gjatë Janarit 2024 sipas ATSH ishin 4500 vizitorë, ose le të themi rreth 150 persona në ditë. Pra shifra është mjaft relative dhe krahasimet zbehin njëri tjetrin kur thua sa shumë dhe sa pak “xhiro-ditore” kundrejt ndonjë bilete apo suveniri që vizitori mund të blejë aty si kujtim. Pra një pikë interesi si MHK do të shmanget lehtë nga guida turistike. Kjo është një saktësi dhe transparencë që duhet, por çfarë do të bëhet më tej me shifrat përmbytëse të turizmit gjithëvjetor nga ministria përkatëse? Muzeu Historik Kombëtar që ka në brendësi informacion historie dhe kulturës kombëtare dhe ka brenda ndarje datash historike me shekuj para Krishtit, si mundet sot të mbyllë qepenat?
“Optimizmi” megjithatë ruhet pasi kemi shënuar emrin dhe kemi hapur si Shqipëri qepenat e një tezge-“vendi i nderit” mbi turizmin në Berlin për panairin e vitit 2025. Ky është fillimi i largpamësisë së funksionit në një të ekonomi-kulturës si një ministri e re. Vetëm në 4-5 muajt e fundit turistët dhe rikonstruksioni ishin titujt kryesorë rreth këtij objekti që së shpejti mbyllet në disa rubrika dhe lajme.
Objekti: Kur turisti/vizitori lexon rishtazi një guidë apo kërkon me google se çfarë humbi nga njoftimi i MHK përmes facebook-ut, kupton aty moshën 43 vjeçare e kësaj arkitekture, ndarjet ose pavijonet përshkruese të historisë shqiptare dhe fatin e keq që do t’i duhet për ta rivizituar atë ndoshta pas 4 vitesh. Por më interesante kur “gugëllon” bëhen disa shifra pavarësisht precizonit dhe ato janë të rëndësishme. Duhet të jesh “mendje mbrapshtë” që ta peshosh historinë dhe kulturën e vendlindjes me përfitimin që të japin m2 dhe m3 (metri katror dhe metri kub). Pra çfarë nuk po i bëjnë atij sheshi pak nga pak duke i hequr tërësisht identitetin.
Qeveria dhe Bashkia: shtrirja e “Muzeut Historik Kombëtar” zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2 dhe ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe ai ka një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3. Të gjitha këto duket se janë shifra të prekshme të një projekti të heshtur në qoftë se qytetarët nuk kërkojnë një transparencë më të thellë. Me korrupsionin e përfshirë mund të dyshohet pa e ngritur në konspiracion faktin se një institucion si MHK me drejtues të dorëhequr, bën njoftim në facebook. Më pas duhet të dyshojmë dhe mund të jemi të bindur se sa nuk është vonë se do të dalin vendime nga qeveria dhe bashkia për ndryshim destinacioni pasi ende nuk shohim një dokumentacion bindës që duhet të kalojë në shkallë më të larta institucionale për t’u aprovuar. Rama dhe Veliaj janë mjeshtrit e ri-jetësimit të piramidave dhe bunkerëve të diktatorit, të karikaturës së kryeqytetit, ndaj kjo arkitekturë dhe kjo sipërfaqe në sheshin e Tiranës nuk mund t’i shpëtojë lakmive brenda rikonstruksionit apo të ndonjë shkëndije zjarri apo ndonjë bombole gazi që për shkak të rregullave të sigurisë mund të përfshihet nga flakët dhe vendi i shkretuar ashtu si Bashkia e Vjetër, Teatri Kombëtar, Kishat, Pazari i Vjetër si dhe dukshëm tani janë objektet e tjera arkitekturore janë të mbuluara dhe nën hijen e ndërtimeve; si Parlamenti Shqiptar (i vjetër), Xhamia e Et’hem Beut, Radio Tirana e me dhjetra objekte simbol të kryeqytetit që do të gllabërohen nga etja e ndërtuesit të shumëkatëshve.
Ndërgjegjësimi i qytetarëve: Ministria e Ekonomisë, qeveria dhe pushteti vendor janë një trekëndësh shumë interesant bashkëpunimi në ditët që do të vijnë sepse interesi publikut nuk përfillet dhe nuk përfaqësohet. Forca e VKM-ve do të jetë shkatërruese jo vetëm për humbjen e fondeve sikur përmenden projektet e ri-jetësimeve dhe rikonstruksionit, por ato fshijnë memorien e historisë dhe kulturës kombëtare në emër të një transformimi ideologjik të elitës së Rilindjes Socialiste për të përjetësuar pushtetin. Prandaj për t’i bërë ballë, Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti, Institucionet e Drejtësisë, institucionet e kulturës dhe trashëgimisë sikurse organizatat joqeveritare të këtyre fushave pa humbur kohë duhet të venë alarmin dhe të ndërtojnë struktura monitorimi dhe inventarizimi të mijëra objekteve që ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar.
Një njoftim në facebook nuk është një shkresë zyrtare me firmë dhe me vulë dhe e depozituar kundrejt një kapitali të paçmuar në qendrën e kryeqytetit që po shndërrohet në fatkeqësi dhe në dëm të identitetit kombëtar.
6 Mars, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)