Ka mbi një muaj që Samiti i Berlinit kreu punimet një ditore. Thelbi i tij u harrua. Socialistët që zakonisht mbajnë shënime, duartrokasin, presin shirita përurimi disa herë para dhe pas zgjedhjeve, përkujtojnë si rastësisht data historike nostalgjike, kur i pyet se çfarë u arrit pas mbylljes së samitit, pra “Ballkanit të Hapur”?
Ata dinë të përgjigjen:-“Ri-jetësimi i Piramidës.
Por gjen edhe shpjegime të tjera padyshim se këtu në piramidë do të jetë edhe një qendër inovacioni për moshat nga 12-18 vjeç me larminë e mësimit të shprehive në sporte, lojëra, muzikë, film, arte, robotikë, etj.
Pra nga nostalgjia në të ardhmen virtuale. Një kapërcim i jashtëzakonshëm i arritjeve kur mendon se në mes kemi humnerën e korrupsionit, partinë shtet që ka gjithçka në duar, popullin e varfër që emigron dhe ndër shumë të tjera një parlament në çrregull të plotë të cilit po i mohohet gradualisht pluralizmi.
Do të shkojmë tek e ardhmja virtuale pas pak me shtjellimin tonë pikërisht për ta sqaruar atë si një nga pikat kyçe të investimit të qeverisjes përmes propagandës. Propaganda është i vetmi mjet i suksesshëm në këta dhjet vite për socialistët ku nuk është lënë mangët thuajse asnjë formë e komunikimit bashkëkohor masiv, internet, podcast, selfie-t, media sociale, dhe për të shkuar tek më tradicionalet si Tv, radio, shtyp dhe e paharrueshmja ATSH.
UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), jo vetëm që ka monitoruar fakte shtrembëruese të qeverisjes, por me shqetësim vëren epërsinë propagandistike të saj. Në këtë mënyrë për t’i dhënë një këndvështrim që i mungon realitetit mediatik shqiptar, farsës propagandistike deri në tallje që i bëhet opinionit, ky union do t’i përgjigjet me të njëjtën “monedhë”. Fakte që mbajnë të vërtetën të shprehur edhe me humor.
E titulluam “10 vitet e fronit virtual” këtë shënim, pasi nga do që ta sjellësh propaganda dhe patronazhimi shfaqen në çdo aspekt të jetës. Më bukur se kudo tjetër ideologjia e PS-së zë vend në ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare), e cila nuk ka ditë që pas samitit që të mos të rrijë pa përmendur tituj “goditës” të gazetave të huaja ku turizmi i cili edhe pse hyri në vjeshtë përsëritet për numrin rekord të mbi 8 milion vizitorëve, në një kohë kur fushat e plehrave (landfill-et pa inceneratorë) tymosën çdo turist në bregdet me efekte skenike mbi natyrën dhe ekosistemin e vendit. Nuk po ka një veprimtari diplomatike ku Shqipëria të mos kryesojë jo vetëm me rend alfabetik (A-Z), por edhe me bollëkun e hedhjes së projekteve me rëndësi globale të cilat pas pak kohe, kryesisht kur nuk kuptohen, shpenzojnë me atë rast disa miliona dhe më pas fillojnë të harrohen.
Por ndër përditësimet e pafund të suksesit nga shtypi i huaj ku sigurisht mbisundon porosia ideologjike e shoqëruar me “hiret e peizazhit të natyrës”, shpalosen disa tituj që ose nuk përkthehen qartë, ose i ka kaluar koha dhe amatorizmi propagandistik duket se ka pushtuar edhe organet e shtypit prestigjoz.
Pa dashur t’ju ndikojmë ju lutemi që ta lexoni titullin e 21 Tetorit, në ATSH… pesë ditë pas samitit… viti 2023 (?!); “Surface”: Rinovohet monumenti shqiptar i tiranisë, Piramida e Tiranës.
Titulli i thotë të gjitha për çdo lexues në diasporë, shqiptar të shpërngulur rishtazi apo edhe të hershëm. Me pamjen e parë dhe pa shkuar në thellësi se ku do të dalë qëllimi, mëson se shkrimi tjerr historinë e diktatorit komunist, hidhet në djerrinën e viteve të tranzicionit pas ‘90-ës për objektin dhe së fundi përurohet si “Ri-jetësim i Piramidës”, një nostalgji që humbet edhe interesin që ky rikonstruksion elektoral ka për grup moshën 12 deri 18 vjeçare.
Formulimi i disiplinave tërheqëse për këtë grup moshë nxënie pedagogjike është i arrirë. Mbase do të ushtrohen aty edhe disiplinat e pikturës dhe të skulpturës ku do të fillojnë të spikatin talentet e reja që do të kompozojnë për së gjalli liderin Rama edhe më të lartë se Kulla e Sahatit.
Mos kujtoni lexues të dashur se kjo nuk i ka shkuar ndërmend bashkëpunëtorëve më të afërt në kabinetin qeveritar apo edhe militantëve të zjarrtë të asamblesë së heshtur pa mendim ndryshe. Pa frikë në të ardhmen e afërt patronazhistët do t’i hidhen në fyt popullit me një peticion për ta ngritur një monument të Ramës edhe në qendrën e Tiranës. Në këtë mënyrë mazhoranca do të mirëkuptohet “demokratikisht” me forcën e kartonit në parlament dhe opozita do të jetë ajo që do të rebelojë dhe do të nxitet në revolta për t’u marrë realisht me “hedhjen e bustit”.
Pa hedhje shtatoreje, s’ka fitore.
Fatkeqësi kur historia mund të përsëritet dhe qytetarët presin të ndërgjegjësohen prej saj.
Një fron virtual që tashmë Rama politikisht në 10 vitet e ardhëshme e ka piketuar.
10 Nëntor, 2023
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionnels Albanaise de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGAPD)