Pas shprehjes së dëshirës për mbylljen e tik-tok nga ana e një kryeministri që kërkon ta çojë në 16 vite sundimin në Shqipëri pas tre mandateve(!) të deritanishme, makineria zgjedhore e Rilindjes Socialiste bashkë me atë propagandistike po tregojnë se elita e forcës politike të Partisë Socialiste është tërësisht e shkëputur nga realiteti historik ndërkombëtar dhe ndryshimet që po kalon vendi. 12 vitet e progresivizmit të majtë politik (e majta ekstreme), janë vetëm rezistenca e një sistemi të shembur që po përshkohet nga rrjedha e forcës së fjalës së lirë, e së vërtetës dhe e lëvizjeve shoqërore për të drejtën dhe barazinë përmes ligjit.
Zgjedhjet e 11 Majit në këtë këndvështrim po e bëjnë Ramën të jetojë ditët me xhirot më të shpejta të marrëzisë kombëtare dhe ndërkombëtare në politikë tek sa ai kërkon të kapet pas gjithshkaje që i duket se e mban në pushtet.
Mbyllja e tik-tok rrjedhojë e censurës si fakt, ngritja e Komisionit Parlamentar i Dezinformonit dhe forca e kartonit të mazhorancës socialiste për të kaluar qorrazi çdo ligj që hedh për zbatim kabineti i njëzëshëm i VKM-ve të kryeministrit, janë shprehja më e mirë për të kuptuar frymën që sundon si dhe propagandën elektorale me shumicë që hidhet në media, por që nuk mund të përtypet dot nga një publik qytetar është rrudhur nga shpopullimi dhe opozitar prej varfërisë dhe korrupsionit. Shqiptarët gjithashtu janë edhe një publik i tej ngopur i cili nuk reagon dot as me protestë për shkak të këtij hutim propagandistik që prodhon parti-shteti. 8 Marsi, ishte një dukuri e përditshmërisë dhe shpërtheu si pjesë e dukshme mes shifrave feministe me të cilat Rama dhe propaganda e tij bombarduan me festën. ATSH-ja dhe pas saj të gjitha mediat nën mjegullën e festimeve për gratë, nënat dhe motrat, dhanë mesazhin elektoral i cili u copëtua në fragmente të “programit” të Rilindjes Socialiste.
Titujt e gjetur, bënë namin që prej presidentit, krye parlamentares, kryeministrit e deri tek dhjetëra funksionarë të rrethuar në veprimtari e më pas në statuse të rrjeteve sociale që sigurisht filtrohen si lajme. Glorifikimi i 8 Marsit me këtë intensitet përdorimi ditor të lajmit tregon pikërisht atë që 8 Marsi nuk është një festë e lirë. Në fund të ditës festa vetë të lë përshtypjen një dite të marrëzisë kolektive pikërisht sepse përdoret nga propaganda shtetërore e cila edhe vetë konceptin emancipues e lodh ashtu sikurse bllokon aksionin shoqëror.
Çfarë kohe po jetojnë shqiptarët?
Politikanë, të gjithë në fushatë elektorale dhe pushtim mesazhesh.
Kryeqyteti Tirana pas disa vitesh këtë rradhë shpëtoi nga spektakli/koncerti në shesh, por jo u siluruar në brendësi të titujve të tjerë me statuset nga mjediset e paraburgimit prej kryetarit të bashkisë Erion Veliaj i cili ndodhet në arrest prej gati një muaji (10 Shkurt).
Përveç një proteste qytetare përpara kryeministrisë gjithshka tjetër i takoi sukseseve të qeverisë e cila korrupsionin ja ka lënë në dorë drejtësisë dhe kjo shenjë e mirëqeverisjes janë për më tej sfida e një mandati të katërt ku çdo gjë shpallet vetëm si arritje, mobilizim dhe vendosmëri për ta ndjekur pas Rilindjen Socialiste, por sigurisht ende pa e ditur se çfarë drejtimi lideri i saj global Rama po ndjek.
Në dhjetëra tituj ku në shifra jepen pjesëmarrja e gruas në jetën shqiptare, rezultate të ideologjizuara në koncept dhe në formë i bëjnë publikut “të besojë” se arritje brenda tre mandateve kërkojnë natyrshëm edhe qeverisjen për BE-2030. Këto bashkë tregojnë se Shqipëria po i afrohet vërtetë regjimit parti-shtet të përmbysur 34-35 vite më parë.
Por, po t’i vini re titujt e ATSH pasi ajo i pudros me ndonjë qëndrim dhe reagim nga ngjarjet politike të ditës së festës pak kampin opozitar, pjesa tjetër është hidhja me vrull nga njëri vlerësim me cilësimin e programit tek analizat propagandistike të gjithanshme të Rilindjes Socialiste si;
Begaj: Bekuar qofshin gratë shqiptare, forca e vërtetë e jetës sonë
Spiropali: Shoqëria shqiptare e përmbushur, kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj
Takimi për 8 Marsin, Rama ndan lule për gratë dhe vajzat
Balluku uron 8 Marsin me zërin e grave që punojnë në energjetikë
8 Marsi, Balla: Çdo grua meriton të festojë çdo ditë në një familje të lumtur dhe në një shoqëri të shëndetshme
Hasani: Gratë përbëjnë rreth 60% të stafit diplomatik shqiptar
Pirdeni: Mbi 55% e kolegëve në administratën publike janë gra
8 Marsi, Denaj: Gratë janë frymëzim dhe forcë e pashtershme
Dita Ndërkombëtare e Gruas, politika mesazhe urimi
…ku tek ky titull futen në një lajm disa ministra si Hoxha, Manastirliu, Koçiu dhe kryebashkiaku Veliaj i cili nënvizon edhe nga mjediset e burgut se;- “Është 8 Marsi dhe u lashë porosi kolegëve të Bashkisë që, të gjitha nënat, zonjat, dhe vajzat, të cilat i japin çdo ditë kaq shumë nga dashuria, përkushtimi dhe këmbëngulja e tyre qytetit, të udhëtojnë falas në të gjitha linjat e transportit urban të Bashkisë së Tiranës. Faleminderit për punën tuaj të jashtëzakonshme!”.
E përsa ky ishte kryeqyteti i parë nga vipat drejtues politik, 8 Marsi nuk u harrua edhe për peshën ndërkombëtare të lajmit përmes bashkëshortes së kryeministrit në takimin e Abu Dhabi-t 30/50*;
Linda Rama në Samitin Global të “Forbes” : Fuqia pas progresit dhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt tryezës së BE (mjaft interesant nga përbërja).
Do të dukej tendencioz përdorimi i fjalës monitorim pas kësaj renditje të mësipërme pasi shteti në fjalë dhe në ligje ka institucione e veta që merren pikërisht me këto raporte të propagandës elektorale dhe medias në pragun e zgjedhjeve të cilat duket se janë bërë një me politikën në pushtet kundër interesave të publikut. Për vëzhgimin tonë e rëndësishme është që të shihet pesha dhe vendndodhja e këtij informacioni pasi Rilindja Socialiste dhe elita e saj jetojnë me arrogancën e parasë dhe me mekanizmin propagandistik i partisë shtet, të emulacionit-socialist të dikurshëm.
Brezi i ri i shqiptarëve sot nuk arrin dot ta kuptojë pasi kjo histori e dhimbshme e shkëputjes nga diktatura nuk u është mësuar kurrë në tekstet mësimore. Tashmë dëmi është bërë. Ajo që nuk mësohet në shkolla, është ushqyer me të kundërtën në mediat sociale. Ideologjizimi i partisë shtet i Rilindjes Socialiste që është një formacion i heshtur politik dhe me demokraci të brendëshme të vrarë në rradhët e saj, daljet në publik dhe zëri i tyre vinë vetëm nga një zë. Vetëm nga zëri i Ramës në larminë mediatike të podkastit, Moduleve të Akademisë Politike Socialiste, rubrikat sy m’sy, e në gjithë statuset e tjera të papërtuara që tregojnë krizën dhe gjendjen e tronditur të pozitave të tij dhe karriges në pushtet.
Kur mendon se edhe Gratë me Festën e 8 Marsit i shpërbekan një mandati të 4-rt, të shkon mendja tek filmi Kapedani në cilësinë e rinovuar HD ose 4K të realizuar një vit më parë ku Rama në një status ndër të tjera shkruante:-“… se historia e luftëtarit me mustaqe të bardha Sulo, i cili niset nga fshati i tij për në kryeqytet për të zbuluar se pse grave u janë dhënë të njëjtat të drejta si burrat, zë ende vend të rëndësishëm në kujtesën kolektive të shqiptarëve dhe transmetohet rregullisht nga televizionet kombëtare”.
Morali i asaj fabule 52 vjeçare të filmit Kapedanit nuk ka të bëj sot me shprehjen “na mbytën gratë”, por me humorin e ëndrrës së pushtetarëve dhe drejtuesve të institucioneve shtetërore që në një ditë si kjo, u marrin frymën edhe nga ekranet qytetarëve.
Kjo që shohim me sy të parë dhe pa e futur në filtrin e fushatës elektorale siç bëjnë monitoruesit profesionist të shtetit shqiptar është pak. Edhe aty ku nuk ta merr mendja roli i gruas në një ditë si kjo na del i lidhur me kulinarinë që të kujton më pas fluksin e turizmit, e prej këtej kuptohet se vetëm një fill i rilindësve të përkushtuar do ta gjente një titull të tillë pavarësisht se brendësia në të është tjetër gjë. Me kushtet e sotme të shoqërisë shqiptare mund të kuptohej ndryshe, edhe pse titulli nënvizon; BBC: Falë gjysheve kuzhina shqiptare po rilind.
Për çdo shqiptar të larguar në emigracion shkrimi nuk është as realitet i pa njohur , por edhe as ekzotikë sipërfaqësore. Kësaj propagande i duhet shpjeguar se një nënë e gjyshe veç se ruan receta dhe di të gatuaj kuzhinë shqiptare ka së pari fëmijë, nipa dhe mbesa apo edhe me dhjetëra të afërm që bashkë me komshinjtë/gjitonët bëhen qindra mijë dhe miliona shqiptarë që i janë larguar Shqipërisë. Janë shpërndarë nëpër botë dhe për shkak të politikës dhe qeverisjes së keqe janë larg nga sa do të mund që edhe t’ua uronin festën fizikisht, pra të ishin ekonomikisht më të fuqishëm dhe politikisht të lirë.
______________
*Samiti Global Forbes 30/50 – për pjesëmarrjen rezervimi kushton nga 6,500-8,500 dollarë.
8 Mars, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)