Kabineti i qeverisë Rama doli sot përpara medias jo rastësisht aty ku për 24 orë ky institucion ishte i blinduar dhe ku mijëra qytetarë treguan protestën kundër korrupsionit dhe ku opozita e bashkuar forcoi thirrjen për drejtësi dhe mbrojtjen e pluralizmit. Ministrat Balla, Manja dhe Mete treguan se qeveria është në këmbë ndërkohë që kryeministri ndau fotoalbumin e vizitës në Turqi një ditë pasi mijëra protestues i kujtuan autokratit 33 vjetorin e rrëzimit të monumentit të diktatorit më të egër komunist të Evropës. Balla sqaroi: mbi kompetencat e prefektit i cili është përfaqësuesi vendor i Këshillit të Ministrave për të rritur efektivitetin e sigurisë publike, një tregues ky i përgatitjes për kapjen e pushtetit vendor para zgjedhjeve 2025. Manja foli për një amnisti ku Kuvendit do t’i duheshin 84 vota për të zbutur masat e vuajtjes së dënimeve në mënyrë selektive duke treguar se “Nuk ka amnisti mbi ndjekjen penale për asnjë nga veprat që po hetohen dhe gjykohen në Gjykatën Speciale”. Ndërsa Mete sikur t’i jepte një lëmoshë bizneseve të industrisë fasone përmes një Akti Normativ të qeverisë nuk mungoi të vinte në dukje progresin ekonomik, uljen e borxhit duke krahasuar situatën e tanishme me dy vite më parë.
Ky shpjegim propagandistik nga të tre ministrat u mëshua sot nga mediat proqeveritare të cilat harruan vlerën e protestës së mijëra qytetarëve. Ato u morën me detajet e arrestimit dhe ndjekjes nën hetim të 10 protestuesve duke e konsideruar mjedisin përpara ndërtesës së kryeministrisë si vendngjarje-krimi pa u thelluar në aktin brutal të rrëmbimit nga njerëz paidentifikim dhe uniforma duke dëmtuar kështu kauzën e protestës dhe njëkohësisht përgjegjësinë e forcave policore për mos ushtrim dhune dhe përshkallëzimin e saj.
Në qoftëse këto narrativa lajmesh nga mediat pro qeverisë nuk bëhen enkas për të devijuar vërtetësinë e ngjarjeve dhe ku në asnjë rast nuk përmendet ndërkombëtarizimi mediatik i protestës së 20 Shkurtit 2024 nga shumë agjenci perendimore, kuptohet qartë se pas propagandës presioni policor dhe frika do të paraprijnë ditëve të ardhshme.
Por sikur edhe këto të mos mjaftonin, lajmi i ditës dje veç përballjes së qytetarëve me qeverisjen e korruptuar gjysma e së cilës me në krye Ramën vizituan Erdoganin, ishte Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore ai që zhvilloi një seancë dëgjimore me organizatat e diasporës për çshtjen e votës së 2025-ës.
Nga këto zhvillime qytetarët e ndërgjegjshëm për rolin dhe fatin e së ardhmes së tyre dje arritën ta kuptojnë se frika është thyer dhe bashkimi opozitar ndaj qeverisjes së korruptuar mposhtet me qendresë, me protesta masive paqësore në mbarë vendin për të mos i lënë një elite mazhorance të degraduar dhe aleatëve fasadë ta kapin tërësisht shtetin dhe ëndrrën e diasporës patriote për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të orjentuar nga zhvillimi i qytetërimit perendimor.
21 Shkurt, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des journalistes professionels albaniase de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)