Këtë të mërkurë ora 21:00 në “Stade de Lumiere” të Lionit shkruhet një pjezës e historisë së futbollit. Luhet Portugali- Uells, sfida që vlen finalen e “Euro 2016”, një përballje që rezervon disa kuriozitete. Në klasifikimin e FIFA-s, Uellsi ka bërë një ngjitje që nuk ka mundur ta bëjë askush tjetër. Në tetorin e 2015 arriti në vendin e tetë, aktualisht ndodhet në të 26- in, por është e lehtë të imagjinosh se pas këtij turneu do të bëjë një tjetër kërcim së larti. Dhe të mendosh që në 2010-ën, Uellsi ishte në vendin e 112-të. Kris Koleman, trajneri i Uellsit sot shijon triumfin, por fillimi nuk ishte aspak i lehtë. Mori detyrën e trajnerit në fillim të 2012, pas vetëvrasjes tragjike të mikut të tij Geri Spid.
Sot pak mund ta kujtojnë, por Koleman hyri në librat e rekordeve nga ana e gabuar, pasi rezultoi i pari trajner i Uellsit, që humbi të 5 ndeshjet e para me përfaqësuesen. Pas një disfate 6-1 të pësuar nga Serbia, ishte gati të dorëhiqej, por nuk ndodhi kështu dhe tani ëndërron finalen e një Europiani. Gareth Bejl, goleadori më i ri i Uellsit, (ka shënuar që në moshën 17-vjeçare) është 6 finalizime larg rekordit prej 28 golash të Jan Rash, njeriut që ka shënuar më shumë për “Dragonjtë”.
Uellsi po bën historinë, por janë 6 klube të këtij vendi që kanë preferuar të luajnë në kampionatet angleze edhe pasi lindi Premier League e Uellsit, kështu pakkush e di se klube të Uellsit janë dhe Suonsi i drejtuar nga Premier League si dhe Kardif në Championship e Njuport Kauntri, Ureksham, Koljun Bej dhe Merthjur Taun në ligat inferiore. Për sa i përket Uellsit, ka luajtur ndeshje kundër 70 përfaqësueseve të tjera dhe rekordi i Uellsit është në barazim të plotë me skuadra si Shqipëria, Danimarka, Greqia, Hungaria, Moldavia apo Turqia. Te Portugalia rekordmeni është padyshim Ronaldo, ka numrin rekord të prezencave 131, si dhe atë të golave me 60 finalizime.
Renato Sançez është shitja rekord e kampionatit portugez, Bajerni e bleu nga Benfika në një operacion prej 80 milionë eurosh, 25 të sigurt dhe 45 milionë të tjerë në formë bonusesh në varësi të objektivave që i duhet të arrijë. Dhe në fund Kuarezma. Në Itali nuk ka lënë kujtime të mira te tifozët e Interit, por në këtë Europian ka qenë vendimtar me golin që eliminoi Kroacinë në 1/8 dhe me penalltinë e fundit në çerekfinalen me Poloninë.
Coleman: Portugalia nuk është vetëm Ronaldo
Të gjithë pyesin se si do t’ia bëjë Uellsi për të ndalur Cristiano Ronaldon. Përgjigjen më të saktë mund ta japë vetëm trajneri Chris Coleman, strategu i skuadrës debutuese të Europianit, që jashtë cdo parashikimi është rreshtuar mes katër më të mirave të turneut.
“Ronaldo është një futbollist i talentuar dhe me mentalitet fituesi. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për djaloshin tonë, Gareth Bale. E mbaj mend Cristianon kur luante te Manchester United, unë isha trajner i Fulhamit. Ai shënoi në minutën e fundit ndaj nesh dhe ne humbëm 2-1. Ai bëri dicka të jashtëzakonshme, ishte i pandalshëm. Mendoj se do të jetë interesante mënyra sesi do ta ndalojmë.”
Coleman, i jep udhëzimet nga pankina, por detyrat e tij duhet t’i zbatojnë futbollistët të udhëhequr nga kapiteni Ashley Williams. Qendërmbrojtësi i Swansea, në Premier League, kujton se Portugalia nuk mund të jetë vetëm Ronaldo.
“Mendoj se Ronaldo është një nga futbollistët më të mirë në botë, por ata kanë futbollistë të tjerë shumë të talentuar, kështu që nuk mund të jemi të fokusuar vetëm te Cristiano. Ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe t’i respektojmë kundërshtarët për atë që u takon. Duhet t’i neutralizojmë si skuadër dhe jo duke menduar vetëm te individë të vecantë.”
Pa Aaron Ramsey dhe Ben Davies në formacion, për Uellsin bëhet edhe më e vështirë, por Williams këmbëngul se kushdo që
do të zbresë në fushë do të bëjë më të mirën.
“Forca jonë ka qenë gjithmonë grupi i bashkuar. Nuk janë vetëm 11 futbollistët në fushë por edhe ata që qëndrojnë në stol. Më vjen keq për Ben Davies dhe Aaron Ramsey, ata kanë zhvilluar një turne të jashtëzakonshëm, por unë jam i bindur se djemtë tjerë që do t’u jepet mundësi të luajnë në Europian, do të japin maksimumin.”
Portugalia, Santos: Dëshirojmë të shkruajmë historinë
Fernando Santos nuk dëshiron ta shohë Portugali-Uells si një sfidë mes Cristiano Ronaldos dhe Gareth Bale. Trajneri i luzitanëve e merr me sportivitet gjysmëfinalen e parë të Europianit, madje nuk ngurron të bëjë humor për të shmangur tensionin.
“Ronaldo dhe Bale janë dy lojtarë me shumë eksperiencë dhe që janë mësuar me kaq shumë presion. Mirëpo kjo ndeshje nuk është vetëm mes tyre. Janë shumë futbollistë te të dyja skuadrat që kërkojnë të shkojnë në finale. Nëna ime dikur më thoshtë se gjëja më e rëndësishme është të zgjohemi në mëngjes, sepse do të thotë se jemi gjallë.”
Më pas Santos lë të kuptohet se ka dyshime për sa i përket formacionit titullar.
“Të shohim se në cfarë gjendjeje do të jetë Pepe. Kemi nevojë për lojtarë që japin 100%. Ne dëshirojmë të shkruajmë historinë. E kaluara ka rëndësi për të gjithë, por e përsëris ne duam të hyjmë në histori. Ndaj Uellsit mund të hedhim një tjetër hap drejt suksesit final, por do të kemi një kundërshtar shumë të fortë. Do të jetë e vështirë dhe shpresoj që të luajmë me të njëjtën përulësi.”
Komentet