Tifozët që shkaktojnë apo mundohen të shkaktojnë incidente gjatë ndeshjes ndërmjet Shqipërisë e Serbisë do të nxirren menjëherë jashtë stadiumit. Ndeshja e rrezikut të lartë ndërmjet Shqipërisë e Serbisë, e vlefshme për kualifikimet për kampionatin evropian të futbollit, do të luhet më 8 tetor në Elbasan.
Ishte përfaqësuesi për siguri i UEFA-s, Kenny Scott, që ka urdhëruar nxjerrjen e tifozëve jashtë nëse ata japin shenja se duan të shkaktojnë incident.
“Çdo tifoz që do të mundohet të shkaktojë edhe incidentin më të vogël apo edhe do të japë shenja të ndonjë problemi të mundshëm, nxirreni direkt jashtë stadiumit. Mos i jepni shpjegimin më të vogël, qoftë ai shqiptar apo serb. Tolerimi duhet të jetë zero në këto raste dhe nuk duhet të bëni diferencime”. Kjo ka qenë porosia e Kenny Scott për drejtuesit e policisë së Shqipërisë dhe organizatorëve të ndeshjes, gjatë një vizite që pati ditë më parë në stadiumin e Elbasanit.
Porosia e Scottit është mësuar nga burime të gazetës tiranase “Panorama Sport”. Scott gjatë vizitës ka bërë të ditur se për çdo incident eventual, përgjegjëse do të jetë Shqipëria, transmeton Koha Ditore. Scott ka mbetur i kënaqur me gjendjen e stadiumit.
Të kënaqur me përgatitjet që po bëhen për ndeshjen janë shprehur edhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Serbisë. Ndeshja vlerësohet e rrezikut të lartë për shkak të incidentit që ndodhi para një viti në Beograd kur erdhi te ndërprerja e takimit mes këtyre dy përfaqësueseve.
Ndërkohë po bëhet zgjedhje edhe për banorët që jetojnë në pallatet afër stadiumit, prej nga mund të përcillet pa telashe ndeshja. Pritet që banorët të lejohen të rrinë dhe të shohin ndeshjen nga banesat e tyre, por nuk do të lejohen mysafirë apo tifozë në kohën e ndeshjes. Sipas “Panorama Sport”, në portat hyrëse pritet të qëndrojnë punonjës të policisë që do të bëjnë verifikimet e nevojshme. Për banorët do të vlejnë rregullat e njëjta si për tifozët në stadium.
Çdo incident mund t’u kushtojë me largim madje nga shtëpia, deri në mbyllje të ndeshjes. Burime pranë policisë shqiptare kanë konfirmuar se për siguri do të kujdesen edhe 5 snajperë, nga një për çdo pallat afër stadiumit e po ashtu edhe një helikopter që do të monitorojë gjendjen nga ajri gjatë gjithë kohës.
Do të ndalohen rreptësisht edhe fanellat me mbishkrimin “autochtonous”. Ishte FSHF-ja që kërkoi ndalimin e këtyre fanellave, njëjtë si në ndeshje me Portugalinë.
Policia shqiptare ka konfirmuar të hënën se do të ketë masa nga ajri për ndonjë të papritur dhe se në pallate mund të jenë vetëm banorët e përhershëm të tyre.
“Këto masa nuk janë për të frenuar apo penguar tifozët. Janë për mbarëvajtjen e ndeshjes duke i ardhur në ndihmë skuadrës kombëtare dhe vendit tonë. Ndeshja të kthehet në festë e jo në nacionalizëm e patriotizëm të sëmurë që veç do të dëmtojë ëndrrën e shqiptarëve”, thuhet ndër të tjera në një njoftim të Policisë së Shqipërisë, të hënën.
Komentet