Kosova mëton të jetë vendi anëtar i 55-të i Federatës së Futbollit Evropian – UEFA. Të martën në Budapest të Hungarisë mblidhet Kongresi i UEFA-s, ku pritet të merret vendim në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
Anëtarësimi në UEFA do t’i mundësonte Kosovës afirmimin në garat ndërkombëtare, pjesëmarrje në ngjarjet dhe kampionatet që organizohen nga kjo federatë. Po ashtu, edhe klubet e Kosovës do të përfitonin, duke u bërë pjesë e garave evropiane.
Një tjetër përfitim që mund të kishte Kosova nga pranimi në UEFA është hapja e derës për aplikim për anëtarësim në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit – FIFA.
Më poshtë, paraqesim një historik të shkurtër të UEFA-s, si dhe artikullin e statutit ku flitet për anëtarësim në këtë federatë.
Çka është UEFA?
Federata e Futbollit Evropian është një organ udhëheqës i futbollit në Evropë dhe shtëpia e 54 asociacioneve kombëtare të futbollit. Në bazë të statutit të UEFA-s, organizata ka si objektiv, veç tjerash, të merret me të gjitha çështjet që i takojnë futbollit evropian, që ta promovojë futbollin në frymën e bashkimit, solidaritetit, paqes dhe mirëkuptimit e të lojës fer pa asnjë diskriminim politik, racor, fetar, gjinor ose çfarëdo qoftë tjetër. Gjithashtu Federata ka për objektiv të vetin që të mbrojë vlerat e futbollit evropian, të mbajë marrëdhëniet me të gjithë hisedarët e përfshirë në futbollin evropian dhe të mbrojë e mbështes asociacionet anëtare për një mirëqenie të lojës evropiane. UEFA është neutrale politikisht dhe në aspektin fetar.
UEFA organizon një numër kampionatesh, përfshirë edhe Ligën e Kampionëve, Ligën Evropiane, Super Kupën dhe Kampionatin Evropian.
Si u krijua UEFA?
UEFA është krijuar në vitin 1954 në Bazel të Zvicrës, pas konsultimeve të Asociacioneve të Italisë, Belgjikës dhe Francës. Fillimisht ka numëruar 25 vende anëtare dhe numri u dyfishua në fillim të viteve të 90’ta të shekullit XX. Disa vende të kontinentit të Azisë gjithashtu u pranuan në Federatën e Futbollit Evropian, sidomos Izraeli dhe Kazakistani, që dikur ishin anëtar të Asociacionit të Futbollit të Azisë.
Vendi i 54 anëtar i UEFA-s në vitin 2013 u bë Gjibraltari, në Kongresin e Federatës të mbajtur në Londër (pas vitesh të kundërshtimit të Britanisë së Madhe).
Që nga viti 1995 selia e UEFA-s është në Nyon të Zvicrës. Gjuhë zyrtare e UEFA-s është gjuha angleze, frënge dhe gjermane, kurse gjatë mbajtjes së kongresit edhe gjuha ruse përdoret si gjuhë zyrtare
Anëtarësimi në UEFA – rregullat e procedurës
Në bazë të statutit të Federatës së Futbollit Evropian (UEFA), në paragrafin 5 dhe 6, UEFA është e hapur për asociacionet kombëtare të futbollit në kontinentin e Evropës, të vendosura në një shtet të pranuar nga Kombet e Bashkuara, si një shtet i pavarur dhe që janë përgjegjëse për organizimin dhe zbatimin e çështjeve të ndërlidhura me futbollin në territorin e shtetit të tyre.
Por, si përjashtëm në statutin e UEFA-s thuhet se “në rrethana përjashtuese një asociacion kombëtar ifutbollit që është i vendosur në një kontinent tjetër mund të pranohet si anëtar, duke dëshmuar se nuk është anëtar i Konfederatës së atij kontinenti apo I ndonjë Konfederate tjetër si dhe nëse FIFA e miraton anëtarësimin e tij në UEFA.
Për t’u bërë anëtar i UEFA-s, asociacioni kombëtar i futbollit duhet të dorëzojë aplikacionin me shkrim për anëtarësim dhe Kongresi i UEFA-s ka fuqinë e vendimmarrjes për ta pranuar ose refuzuar aplikacionin për anëtarësim.
Në Statut të UEFA-s shkruan se Komiteti Ekzekutiv mund ta pranojë për anëtarësim një asociacion kombëtar të futbolli vetëm mbi baza të përkohshme dhe vendimi i plotë për anëtarësim merret në Kongresin e ardhshëm
Votimi në Kongresin e UEFA-s është i hapur dhe bëhet me ngritjen e dorës ose të kartonit të votimit.
*Informacionet janë marrë nga faqja zyrtare e UEFA-s
*Union des Associations Européennes de Football (UEFA).
*Union of European Football Association
(rel)
Komentet